Ura për tek EsteriSample

Ester 6:7-11
Hamani iu përgjigj mbretit: «Për njeriun që mbreti dëshiron të nderojë
të merret rroba mbretërore që ka veshur mbreti dhe kali mbi të cilin ka hipur dhe të vihet mbi kokën e tij një kurorë mbretërore.
T’i dorëzohet rroba dhe kali njërit prej princave më fisnikë të mbretit dhe t’i vishen rrobat njeriut që mbreti dëshiron të nderojë; pastaj të çohet me kalë nëpër rrugët e qytetit dhe të shpallet para tij: “Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshiron të nderojë!”».
Atëherë mbreti i tha Hamanit: «Shpejto, merr rrobën dhe kalin, siç the, dhe vepro kështu me judeun Mardoke, që rri ulur pranë portës së mbretit, mos lër pa kryer asgjë nga ato që ke thënë».
Hamani mori, pra, rrobën dhe kalin, ia veshi Mardokeut rrobën dhe e çoi me kalë nëpër rrugët e qytetit, duke shpallur para tij: «Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshiron ta nderojë!».
Kapur në rrjetën e vet
Sytë e mbretit duhet të kenë shkëlqyer, ndërsa dëgjonte propozimin e Hamanit. Të vjen për të qeshur, kur mendon se si mund të ketë ngelur gojëhapur Hamani nga çudia. Mbase po dridhej, ndërsa çdo gjë i vërtitej rreth kokës plot me pyetje. “A e dëgjova siç duhet? Mos jam në ëndërr? Sigurisht, e gjitha kjo është shaka”.
Por mbreti e kishte seriozisht. Ndërsa i dorëzonte kurorën dhe rrobën e tij Hamanit, duhet ta ketë prekur në shpatull dhe ta ketë paralajmëruar: “Sigurohu që të mos harrosh asgjë nga ato që the”. Hamani duhet të jetë ndier si një balonë e shfryrë. Nuk e kishte menduar kurrë që kjo gjë do t’i ndodhte atij. Por ndodhi, dhe ende ndodh. Pothuajse çdo ditë në lajme mund të lexojmë për njerëz të rëndësishëm, të cilët papritur hiqen ose pushohen nga pozicionet e rëndësishme. Ky është një paralajmërim për ne të gjithë.
Suksesi është i rrezikshëm, sepse ka prirje për të na bërë krenarë. Krenaria na bën të ndihemi si mbretër. Mendojmë se jemi aq të rëndësishëm, saqë kushdo që nuk bie dakord me ne apo që nuk na admiron, është i keq. Ndërsa po shkruaja këtë pjesë, një ish-gjeneral në një shtet evropian u fut në burg. Ai ishte përgjegjës për vrasjen e mijëra njerëzve në shtetin e tij. Si mundet një njeri ta bëjë këtë? Një përgjigje është kjo: ai e quante veten “perëndia serbe”. Nëse mendoni këtë gjë për veten tuaj, nuk mendoni dhe nuk silleni më në mënyrë normale.
Kjo thënie e vjetër shpreh shumë mençuri: “Mos u ruaj nga dobësitë e tua, ruaju nga pikat e tua të forta”. Tundimi juaj më i madh është në fushën e talenteve tuaja, të aftësive dhe të zotësive, veçanërisht kur njerëzit fillojnë t’ju lavdërojnë. Lavdërimi është si majaja e bukës, e cila e bën brumin e bukës të fryhet në tavën e vet. Dëgjoni paralajmërimet e Perëndisë në lidhje me frymën krenare apo kryelartësinë te Fjalët e Urta: “Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por urtësia është me të përulurit. Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare. Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një frymë të përulur, do të ketë lavdi” (Fja. 11:2; 16:18; 29:23).
Scripture
About this Plan

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More