YouVersion Logo
Search Icon

Ura për tek EsteriSample

Ura për tek Esteri

DAY 40 OF 57

Ester 6:12-14

Pastaj Mardokeu u kthye te porta e mbretit, por Hamani nxitoi të kthehet në shtëpinë e vet, i pikëlluar dhe kokëmbuluar.

Hamani i tregoi bashkëshortes së tij Zeresh dhe gjithë miqve të tij gjithë sa i kishin ngjarë. Atëherë njerëzit e urtë dhe gruaja e tij Zeresh i thanë: «Në qoftë se Mardokeu para të cilit ke filluar të biesh është nga fisi i judenjve, ti nuk do të arrish të fitosh kundër tij, por do të rrëzohesh plotësisht para tij».

Ata po flisnin ende me të, kur arritën eunukët e mbretit, të cilët nxituan ta çonin Hamanin në banketin që Esteri i kishte përgatitur.

Mos m’i prek sytë

A e ktheu Hamani shikimin te trekëmbëshi që kishte përgatitur për Mardokeun para se të shkonte te banketi? A u pendua për planin e tij të tmerrshëm? A e kuptoi fajin për telashet që tashmë po e rrethonin? Nuk e dimë, por dimë që kur u kthye në shtëpi, ai nuk qau për mëkatet e tij. Ai qau sepse ndihej keq, i turpëruar, i përulur, i ofenduar dhe i zemëruar. Ai duhet të jetë ndier sikur i kishin hequr të gjitha rrobat përpara gjithë njerëzve. Ai mbase nuk e kishte pëlqyer kurrë mbretin, por tani, pa dyshim që e urrente!

Por nuk ishin njerëzit ata që e shkaktonin rënien e Hamanit. Ishte dora e Perëndisë. Çdo gjë këtu është historia e Tij! Pse po e vendoste dorën e Tij të gjykimit mbi Hamanin? Sepse Hamani ishte i vendosur të shkatërronte popullin e ZOTIT.

Mendoni pak për atë pjesën e butë të syrit tuaj. Momenti në të cilin njëri nga gishtërinjtë është shumë afër asaj pjese, ju e lëvizni menjëherë kokën tutje. Kur Hamani po planifikonte të lëndonte popullin e Perëndisë, Izraelin, ishte sikur po prekte pjesën e butë të syrit të Perëndisë, beben syrit të Tij. Perëndia është i njëjtë edhe sot. Ai nuk do të lejojë që njerëzit të vënë në lojë Atë, popullin apo Mbretërinë e Tij.

Mbase ju e dyshoni Perëndinë, kur shikoni se sa mirë u shkojnë gjërat njerëzve të paperëndishëm. Yjet e filmave dhe këngëtarët e muzikës rok fitojnë miliona dollarë, vlerësohen me çmimet më të mira, edhe pse nuk i binden, madje edhe tallen me Perëndinë dhe Fjalën e Tij. Nëse Ai ekziston, pse nuk i ndalon këta përqeshës të botës moderne? Pse nuk i ndalon Ai njerëzit nga vrasjet e burgosjet e popullit të Tij? Çdo vit vriten mijëra të krishterë, vetëm sepse i shërbejnë Perëndisë. Cila është arsyeja që Zoti i lejon format e tjera të padrejtësisë dhe mizorisë? Të jeni të sigurt, arsyet se përse Zoti nuk e ndalon djallin dhe punëtorët e tij nga të bërët e veprave të liga, janë gjithmonë të drejta.

Vuajtjet janë njëra prej mënyrave të përdorura nga Perëndia për të na ndryshuar. Ai mund ta përdorë vuajtjen si një megafon për t’i zgjuar mëkatarët. Në raste të tjera, Ai i përdor si një ilaç të hidhur për të na shëruar. Edhe pse nuk lexojmë për kërcënimet që Hamani u bëri vetë judenjve, ju mund të jeni të sigurt që kjo gjë u shërbeu atyre. A i bëri që ata t’i ulnin gjunjët dhe të luteshin më shumë? A i bëri që të hiqnin dorë nga mëkatet e tyre personale apo familjare? A i bëri më falënderues për paqen që kishin shijuar? A vendosën disa nga ata, që të ktheheshin në vendin e tyre të Izraelit?

Perëndia nuk bën asgjë pa pasur një arsye të mirë. Edhe kur Ai lejon që bota të lëndojë popullin e Tij, në fund do të shikojmë që “Ai ka bërë çdo gjë si duhet”.

Day 39Day 41