YouVersion Logo
Search Icon

Ura për tek EsteriSample

Ura për tek Esteri

DAY 43 OF 57

Ester 7:8-9

Pastaj mbreti u kthye nga kopshti i pallatit, në vendin e banketit ku shërbehej vera; ndërkaq Hamani kishte rënë mbi divanin në të cilin rrinte Esteri. Atëherë mbreti thirri: «Dashke gjithashtu të dhunosh mbretëreshën, ndërsa unë vetë jam në shtëpi?». Sa dolën këto fjalë nga goja e mbretit, ia mbuluan fytyrën Hamanit.

Pastaj Harbonahu, një nga eunukët, tha përpara mbretit: «Ja, në shtëpinë e vetë Hamanit është ngritur një trekëmbësh, i lartë pesëdhjetë kute, që Hamani e kishte përgatitur për Mardokeun, i cili kishte folur për të mirën e mbretit». Mbreti tha: «Vareni aty këtë!».

Sundimi i mirë dhe i urtë i Perëndisë

Mësimi kryesor i këtij libri të mrekullueshëm, të frymëzuar nga Fryma e Shenjtë, është që të kemi besim te Perëndia. Nganjëherë ndihemi sikur Perëndia qëndron në heshtje, kur në jetën tonë ndodhin gjëra të pakuptimta. Kur njerëz të këqij vrasin njerëz të tjerë, ne mund të pyesim se ku është Perëndia. Ndërkohë që na ndodhin ngjarje të tmerrshme që na lëndojnë, ne mund t’i këlthasim Perëndisë, por prapëseprapë as nuk e shohim, dhe as e dëgjojmë Atë. Në kohëra të tilla, Ai na thërret t’i besojmë edhe kur nuk e shohim. Ai është pranë; është gjithmonë në veprim dhe asnjë detaj i vogël nuk është jashtë kontrollit të Tij. Gazetat tona nuk do të na tregojnë asnjëherë, që presidenti ose kryeministri nuk mund të flinin një natë të caktuar. Por Perëndia na tregon që një natë, Ai e mbajti zgjuar mbretin Asuero! Ai bëri që një nga shërbëtorët e tij të lexonte saktësisht faqen duhur. Një falënderim mbretëror i harruar nuk duket si një gjë e madhe, por shikoni se sa detaj i rëndësishëm ishte në sundimin e Perëndisë në lidhje me ngjarjet që vijuan.

Prandaj, mos u dëshpëroni kur çdo gjë duket që po shkon keq. Historia e Esterit ishte si një labirint. Së pari, prindërit e saj vdiqën; pastaj ajo u hoq nga kujdesi atëror i kushëririt të saj; më vonë, nga një vajzë e thjeshtë dhe e zakonshme, u bë mbretëreshë. Në këtë pikë, jeta e saj ishte në një rrezik kritik. Edhe pse ajo mund të mos e ketë parë dorën e Perëndisë ndërsa kjo gjë po ndodhte, ne mund ta shohim tani. Sigurisht, pas kësaj, ajo dhe Mardokeu duhet të jenë habitur me mënyrën se si Perëndia i kishte drejtuar ata.

“Sigurisht,” mund të thoni ju, “po ajo i përket së ardhmes. Unë kam nevojë të jetoj sot, dhe rrethanat e mia janë shumë të vështira.” Kjo është e vërtetë. Një autor e krahasoi jetën me të qenët në mes të rrymës së ujit, në mëshirë të fatit. Ndiheni të tërbuar, të frikësuar, të rraskapitur, si dhe të hutuar, pa ditur se ku është bregu. Thërrisni, por askush nuk ju përgjigjet. Heshtja shtrihet kudo përreth. Kështu mund të duket edhe me jetët tona. Ju prisni të dëgjoni nga Perëndia, por Ai nuk po shfaqet dhe as po ju thotë një fjalë.

Mbase këto janë mendimet tuaja më të thella. Por Ai është duke ju dëgjuar. Të gjitha gjërat janë nën kontrollin e Tij. Koncepti i Tij për kohën nuk është i njëjtë me atë tonin. Ne shohim një nga një vetëm “pjesëzat e lojës formuese” ndërsa Ai na i jep, por Ai e shikon pamjen e plotë. Ai nuk na kërkon t’i kuptojmë mënyrat e rrugët e Tij, Ai kërkon t’i besojmë Atij.

“Por unë jam në dhimbje, jam i lënduar. Shokët e mi më vënë në lojë ose më shpërfillin. Jeta jonë familjare nuk ka kuptim tani që nëna apo babai kanë vdekur ose që janë ndarë. Ndihem shumë keq për shkak të asaj që më bëjnë të tjerët. Ku është Perëndia?” Ai është duke e drejtuar jetën tuaj si një Perëndi sovran, që kujdeset thellësisht për çdo njeri që ka krijuar. Ai do çdo gjë që është e drejtë dhe e shenjtë, dhe Ai do të triumfojë mbi mëkatin dhe të ligën.

Day 42Day 44

About this Plan

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More