Mendime MëngjesiShembull

9 Janar
Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti.
Luka 22:61
Pjetri duket se e kishte harruar parashikimin solemn të Zotit të tij. Por, kur sytë e tij kapën vështrimin e Tij, iu kujtuan sërish nxitjet e buta dhe besnike me të cilat qe paralajmëruar për rrëzimin e tij. Në mendjet tona të rëna, ekziston prirja t’i harrojmë largimet tona nga Perëndia. Rrëshqitja e trefishtë e Davidit dukej sikur kishte humbur në harresë, derisa Zoti i dërgoi profetin e Tij për t’ia sjellë sërish në mendje. Krishti do t’i vërë në pah largimet tona të harruara, jo për të na dënuar apo poshtëruar, por për të na përulur e për të na sjellë sërish te gjaku i spërkatur. Shikimi hetues i Krishtit shfleton çdo fletë të librit të kujtesës, me mëkatet dhe marrëzitë, mospërputhjet dhe largimet që janë shkruar atje, por që janë harruar prej një kohe të gjatë; ato lexohen e rilexohen, në mënyrë që shpirti ynë të përjetojë përulje dhe urrejtje të thellë për mëkatin. Lëreni vështrimin e dashurisë falëse të depërtojë në shpirtin tuaj e ta ndriçojë dhomëzën e errët të kujtesës dhe shikoni se sa shumë gjëra, rrethana dhe hapa në jetën tuaj do të kujtoni e që do t’ju përulin thellë para Perëndisë. Oh, sa shumë kemi nevojë që të kujtohemi në këtë mënyrë për nxitjet tona, për paralajmërimet tona dhe për rrëzimet tona, në mënyrë që, në frymë dhe sjellje, të “ecim me përulësi para Perëndisë tonë."
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









