Mendime MëngjesiShembull

11 Janar
Sepse ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë bashkë me dobësitë tona, por që u tundua në të gjitha njësoj si ne, por pa mëkat.
Hebrenjve 4:15
Shikoni Atë ndërsa mbart brengat dhe sëmundjet tona; shumë më tepër se kaq, shiheni teksa mbart mëkatet dhe paudhësitë tona. Mos mendoni se shtegu juaj është i izoluar. Perëndia i mishëruar e ka shkelur atë shteg para jush dhe Ai mund t’ju japë sytë e qartë të besimit për të dalluar gjurmët e Tij në çdo hap. Jezusi mund të thotë, dhe në fakt ju thotë: “E njoh pikëllimin tënd, e di se çfarë kryqi po mbart, sepse e kam mbartur Vetë. Nuk po mban mbi shpinë një barrë që Unë nuk e kam mbajtur, nuk po përjeton asnjë pikëllim që Unë të mos e kem ndjerë dhe asnjë dhimbje që Unë të mos e kem duruar, nuk po ecën në një shteg që Unë të mos e kem shkelur, nuk po derdh asnjë lot që mos ketë njomur edhe sytë e Mi, nuk ka asnjë re mbi shpirtin tënd që të mos ketë qenë edhe mbi shpirtin tim. Mos është dobësia e trupit? Një herë Unë eca për 65 kilometra për t’ia çuar ujin e gjallë një mëkatareje të mjerë në Samari. Mos është pikëllimi i humbjes? Unë qava pranë varrit të mikut tim, edhe pse e dija se isha gati ta ktheja sërish në jetë atë person të dashur. Mos është dobësia dhe brishtësia e miqësive njerëzore? Unë isha atje dhe dëgjova me veshët e Mi që u mohova nga të njëjtat buzë që dikur më kishin folur me aq dashuri; buzët që tani po më mohonin me betim, dikur shqiptuan se do më donin deri në vdekje. Mos është vështirësia e rrethanave, apo ndjesia poshtëruese e varësisë? Unë nuk isha i huaj me varfërinë dhe shpesh u mbështeta e u ushqeva nga bamirësia e të tjerëve. Mos vallë je i pastrehë e pa miq? Kështu isha edhe Unë. “Dhelprat kanë strofkat e tyre dhe zogjtë kanë foletë e tyre”, por Unë, edhe pse isha Zoti i të gjithave, nuk kisha ku të mbështesja kokën; shpesh, ditë pas dite, nuk dëgjoja ndonjë fjalë qetësuese miqësie me veshët e Mi. Mos është barra e mëkatit? Edhe atë e mbarta në gjithë peshën e saj të jashtëzakonshme dhe të grumbulluar kur u vara i mallkuar mbi atë dru.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









