Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mendime MëngjesiShembull

Mendime Mëngjesi

31 Dhjetor

Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni në Mua! Në shtëpinë e Atit Tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thosha: Po shkoj t’ju përgatis një vend.

Gjoni 14:1-2

Të shkosh në shtëpi, çfarë reflektimi qetësues! Çfarë pritjeje ngazëlluese! Zemra rreh më shpejt, syri sheh më qartë, fryma bëhet edhe më e gatshme, gjithë shpirti ngrihet me krahë fluturim, i gatshëm për fluturimin e tij thjesht nga mendimi i qiellit. “Po shkoj t’ju përgatis një vend” ishte një nga siguritë më të ëmbla që doli nga buzët e Shpëtimtarit që po largohej; edhe pse u tha para dymijë vjetësh, ato fjalë vijnë në kujtesë si jehona e një muzike, e rrëqeth zemrën me një ndjenjë të shenjtë e të papërshkrueshme. Po! Ai ka hyrë përtej velit si Pararendësi ynë; Ai ka përgatitur qiellin për ne dhe, përmes disiplinës së Tij të butë, të urtë e të dashur, Ai është duke na përgatitur për qiellin. Mes skenave përherë në ndryshim të tokës, është inkurajim të mendojmë për qiellin si shtëpia jonë e sigurt. “Në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave.”

Kjo nuk është një bazë e dobët për besimin, nuk është dukje shprese. Qielli është “prehja” e premtuar, është imazhi jashtëzakonisht i qartë! Ai premtim është fjala e Atij që nuk gënjen. Asnjë gjë nuk mund t’ia kalojë, as mund të krahasohet me këtë! Siguritë njerëzore, më të fortat e më të bukurat, janë përkulur dhe janë thyer poshtë nesh. Shpresat e ndritura që i ushqyem me shumë dashuri janë zhdukur si retë e mbrëmjes dhe horizontin që e kishin pikturuar me njëmijë nuanca ngjyrash tani e veshin me mbulesën e zymtë të natës. Por, qielli është i vërtetë! Perëndia e ka premtuar, Krishti e ka siguruar, Fryma e Shenjtë është kapari i tij dhe gëzimet që i ndiejmë tani janë garancitë dhe “frytet e para” të tij. Shtëpia që dëshirojmë dhe të cilën mezi e presim nuk është vetëm shtëpi e premtuar, ajo është gjithashtu shtëpia jonë e përsosur dhe e përhershme. Karakteri i përzierë i atyre stinëve të cilat tani i quajmë prehje, si edhe vendet dhe banesat e ndryshueshme të cilat tani i quajmë shtëpi, do të na kujtojnë përherë se ende nuk kemi arritur në prehjen e përsosur dhe në shtëpinë tonë të përhershme në qiell. Shumë e vërtetë është se Perëndia është shtëpia e tanishme e besimtarit dhe Jezusi është prehja e tij e tanishme.

Poshtë hijes së kryqit, përkrah fronit të mëshirës, brenda çadrës së dashurisë së Atit, ka prehje të vërtetë mendore, ka qetësi të vërtetë të zemrës, paqja që ia tejkalon çdo zgjuarsie gjendet këtu, kur të gjitha gjërat e tjera janë kalimtare si një re dhe boshe si një ëndërr. “Ejani tek Unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe Unë do t’ju jap çlodhje.” Por, në qiell shohim për lumturinë e përsosur e të pandryshueshme të shpirtit. Me çfarë imazhi ta portretizoj? Si ta përshkruaj? Mendoni për të gjitha të këqijat e gjendjes tuaj të tanishme: asnjë prej tyre nuk ekziston në qiell! O i vajtuar, atje vdekja nuk hyn, nuk vret e nuk ndan. O i sëmurë, atje nuk të lëngon, nuk të dobëson e nuk të tret sëmundja. O i pikëlluar, atje nuk të irriton, nuk të trishton, as të mbulon pikëllimi.

O i shtypur, mizoria nuk të lëndon, nuk të plagos e nuk të shtyp atje. O i braktisur, atje paqëndrueshmëria nuk të zhgënjen, nuk të pezmaton, as të përçmon. O ti që qan, atje nuk do të derdhësh lot, sytë nuk do të të njomen, as do të të turbullohen. “Gjërat e shkuara kanë kaluar.” Mbi atë ballë të lëmuar e mbi ato tipare të qeta nuk ka asnjë rrudhë, asnjë vijë apo hije trishtimi, pikëllimi dhe vuajtjeje të kaluar, nuk ka asnjë shenjë dëshirash të paplotësuara apo shpresash të zhgënjyera. Shkretëtira është lënë pas, oqeani është kaluar, kemi arritur në shtëpi dhe shpirti gjen prehje në qiell, atje ku gjithçka është përsosmëria e pastërtisë dhe bollëku i shkëlqimit. Epokat pasojnë njëra-tjetrën pa fund, por ende gjithçka është e shkëlqyer, e re dhe e përjetshme. Kush nuk do të jetonte për të fituar e për të shijuar një qiell kaq të bukur, kaq të shenjtë e kaq të pandryshueshëm sa ky? Ai që ka Krishtin në zemrën e tij ruan shpresën e pashueshme e të pavdekshme të lavdisë.

Mjafton që Perëndia është Ati im, Dielli im dhe Mburoja ime, që Ai do të më japë hir e lavdi dhe nuk do të më privojë nga asgjë e mirë dhe e nevojshme. Mjafton që Krishti është Pjesa ime, Avokati im, Miku im e që, pavarësisht se çfarë mund të humbas, dhembshurisë së Tij nuk do t’i vijë fundi, mjaftueshmëria e Tij nuk do të dështojë dhe dashuria e Tij nuk do të vdesë. Mjafton që besëlidhja e përjetshme është imja dhe që ajo besëlidhje që është bërë me mua parashikon çdo gjë dhe është e sigurt. Mjafton që qielli është prehja ime, që jam duke udhëtuar drejt tij dhe që jam një vit më pranë shijimit të tij të bekuar e të përjetshëm.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Mendime Mëngjesi

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al