Mendime MëngjesiShembull

7 Janar
Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e Tij të papërshkrueshme.
2 e Korintasve 9:15
Vetë Shlyerja i përjashton të gjitha idetë e meritës njerëzore dhe, nga vetë natyra e saj, shpall se është falas. Konsideroni madhështinë e Shlyerjes, meditoni mbi çmimin e saj: Hyji u mishërua; bindja e përsosur, pastërtia e panjollë, hiri dhe dashuria e pashoqe, vuajtjet e mëdha e të mistershme, vdekja e mahnitshme, ringjallja, ngjitja dhe ndërmjetësimi i Shpëtimtarit, të gjitha së bashku e bënë këtë flijimin më të jashtëzakonshëm që mund të ofrohej ndonjëherë. A do të ketë ndonjë gjë te mëkatari që ta meritojë këtë flijim? A do ta ulë Perëndia aq shumë dinjitetin e Tij, ta nënvlerësojë vlerën e Tij dhe ta çnderojë Veten sa të bëjë ndonjë lloj "shkëmbimi" me mëkatarin? Edhe sikur Perëndia të ishte i prirur ta bënte këtë, çfarë mund të ketë brenda mëkatarit për ta blerë këtë gjë? Ku është e barasvlershmja? Ku është çmimi? "Mjerë!" është klithma e shpirtit të bindur, "unë jam i falimentuar në frymë; e humba gjithçka kur prindi im i parë u rrëzua; erdha në këtë botë i varfër e pa ndihmë; mëkatit të natyrës time i kam shtuar edhe shkeljet reale të një karakteri të prishur. Nuk kam asgjë që të më bëjë të pranueshëm para Perëndisë; nuk kam asnjë të drejtë për mëshirën e Tij; nuk kam asnjë çmim me të cilin të mund ta blej; e, nëse shpengimi nuk është falas, pa para e pa ndonjë çmim, atëherë jam krejt i humbur." Prandaj, vetë fakti që Shlyerja është kaq e shtrenjtë, e bën të jetë përtej çdo çmimi dhe i vendos etiketën e pafundme falas.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









