Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mendime MëngjesiShembull

Mendime Mëngjesi

DITA 54 NGA 366

23 Shkurt

Për këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë.

2 e Korintasve 12:8

Kur u lut për largimin e gjembit në mish, Pali i kërkoi Perëndisë diçka që tregonte se atij i mungonte gjykimi në vlerësimin e gjësë për të cilën po lutej. Kush do ta priste këtë nga apostulli i jo-hebrenjve? Por Zoti e dinte më mirë se çfarë ishte për të mirën e shërbëtorit të Tij të dashur. Ai e pa se, nën dritën e zbulesave të veçanta që iu dhanë në vizitën e tij në lavdi, disiplina e besëlidhjes ishte e nevojshme për ta mbajtur të përulur në pluhur. Kur u përgjërua tri herë për heqjen e gjembit në mish, për një çast, në natyrën e dhimbshme të disiplinës, fëmija i Tij nuk e dalloi ndikimin e saj të nevojshëm për ta mbajtur atë në pozitën e “ecjes me përulësi me Perëndinë”. Prandaj, këtu shohim se edhe një apostull i frymëzuar mund t’i kërkojë Perëndisë ato gjëra të cilat Ai mund t’i konsiderojë si me vend për t’u refuzuar. Shpesh mund të presim një sprovë, diçka që të na mbajë të përulur para Perëndisë pas një stine të veçantë afërsie me Të, një shfaqje të dashamirësisë së Tij për shpirtin tonë. Ekziston prirja për t’u mbështetur te vetëkënaqësia pas përbashkësisë së ngushtë me Perëndinë, saqë kërkohet që dora e butë e Atit tonë të na mbrojë nga vetja jonë. Kështu ndodhi me Palin; pse të mos ndodhë edhe me ne? Megjithatë, në privimin nga gjëja që po kërkojmë prej Tij, mund të jemi të sigurt për këtë: se Ai do të na japë një të barasvlershme të përsosur. Zoti e pa me vend që të mohonte kërkesën e apostullit; por Ai i dha një të barasvlershme, po, më tepër se një të barasvlershme, për atë nga e cila e privoi: i dha hirin e Tij gjithëmbështetës. “Hiri Im të mjafton.” Lexues i dashur, a ke qenë duke kërkuar për një kohë të gjatë heqjen e ndonjë kryqi të fshehtë, të rëndë e të dhimbshëm? Ndoshta ende je duke ofruar kërkesën tënde; megjithatë, duket se Zoti nuk po të përgjigjet. Pse? Për shkak se kërkesa në vetvete mund të mos jetë e mençur. Po ta largonte kryqin tani, duke e bërë këtë Ai mund të mbyllë një kanal mëshire për të cilin do të jesh gjithmonë pishman. Oh, ai kryq mund të jetë mjeti përmes të cilit do të vijë në shpirtin tënd një bekim i fshehtë dhe i jashtëzakonshëm.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Mendime Mëngjesi

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al