Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mendime MëngjesiShembull

Mendime Mëngjesi

DITA 58 NGA 366

27 Shkurt

Sepse pranë Teje është burimi i jetës.

Psalmi 36:9

Çfarë burimi jete që është Jezusi! Të vdekurit, veshët e të cilëve dëgjojnë tingullin e zërit të Tij, jetojnë. Në Krishtin ka hir, hir ringjallës, rilindës, jetëdhënës; kujtdo që i jepet ai hir, edhe ai që dergjej i ftohtë e pa frymë në luginë, nis të lëvizë, të jetojë, të marrë frymë e të çohet. Një prekje e Krishtit, një pëshpëritje e zërit të Tij, një fllad i Frymës së tij lind në shpirt jetë që nuk vdes kurrë. Çfarë burimi jete që është Jezusi! Mendoni për mbi-bollëkun e tij. Në Krishtin ka plotësi jete. Hiri që gjendet në Jezusin është i pafund në burimin e tij, ashtu sikurse është edhe hyjnor në natyrën e tij. Një plotësi e pakrijuar duhet që të zotërojë një mbi-bollëk të pashtershëm. Po qe se Ati do ta kishte depozituar këtë hir jetëdhënës tek të gjithë engjëjt në qiell, do të ishte shterur me kohë. Mendoni për ata mijëra mijërash që digjen nga etja për shenjtëri dhe lumturi, të cilët janë gjunjëzuar dhe e kanë shuar etjen e tyre tek ky burim; mendoni për moritë që i kanë mbushur enët e tyre bosh tek ky burim dhe që janë larguar gjithë gëzim dhe shpresë që gufonte në mendjet e tyre. Mendoni për moritë mëkatet e të cilëve janë larë nga gjaku i Tij, shpirtrat e të cilëve janë veshur nga drejtësia e Tij, prishja e të cilëve është mposhtur prej hirit të Tij dhe pikëllimet e të cilëve janë ngushëlluar prej dashurisë së Tij. Mendoni për paudhësitë që Ai ka falur, për rrëshqitjet që ka shëruar, për vajtimin që ka larguar, për lotët që ka tharë, për shpirtrat që ka shpëtuar. Mendoni për moritë të cilat dikur pinë nga rrjedha këtu poshtë, por që tani po pinë nga vetë burimi në lavdi. Megjithatë, ky burim është po aq i bollshëm sa ka qenë gjithmonë! Ai nuk është pakësuar qoftë edhe një fije. Jezusi është po aq përplot me hir falës për fajtorët, me hir drejtësues për të neveritshmit, me hir shenjtërues për të padenjët sa ka qenë përherë. Ai është mjaft plot për të plotësuar nevojat e shpirti të mjerë, të etur e që, duke rënkuar, i afrohet Atij. Oh, çfarë e vërtete e çmuar është kjo! Me të vërtet e çmuar për atë që e ndjen pamjaftueshmërinë, skamjen dhe nevojën e vet. Lexues, cila është nevoja jote? Cila është brenga jote? Cila është sprova jote? Cila është lëngata jote? Cila është barra jote? Cilado qoftë, shko me të tek ky burim i ujit të gjallë dhe mos u dëshpëro pasi të pret një mikpritje e hirshme dhe një furnizim i bollshëm. Ai është burim, burim i gjallë. Nuk ka nevojë t’ia mbushësh mendjen që të gufojë, pasi ai gufon spontanisht dhe, kudo që rrjedh uji i tij, ka jetë.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Mendime Mëngjesi

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al