Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mendime MëngjesiShembull

Mendime Mëngjesi

DITA 59 NGA 366

28 Shkurt

Unë do t'i jap atij që ka etje si dhuratë nga burimi i ujit të jetës.

Zbulesa 21:6

Hiri që gjendet në Krishtin Jezus duhet prej vetë natyrës së tij të jetë një hir që nuk mund të blihet. Kjo nënkupton varfëri absolute tek krijesa dhe bollëk të pafund në Perëndinë. Nëse do të kishte ndonjë mundësi që ky hir të blihej, do të pushonte së qeni ai që është: “hiri i Perëndisë”. Për shkak se është një hir kaq i madh, kaq i pasur e kaq i pafund, Perëndia e ka ofruar aq falas sa edhe diellin, dritën dhe ajrin. Asnjë gjë nuk mund ta sigurojë. Lotët nuk munden, bindjet nuk munden, besimi nuk mundet, bindja nuk mundet, lutja nuk mundet, as vepra më e kushtueshme e Frymës së Perëndisë në shpirt nuk mund të sigurojë qoftë edhe një pikë nga ky “ujë i gjallë”. Atë e jep Perëndia dhe, sikurse nënkuptohet nga vetë fjala, e jep falas. Kjo është lavdia e Tij: hiri është dhuratë që nuk mund të blihet, por që jepet falas. Ai nuk jepet mbi asnjë kusht tjetër. Si rrjedhim, asnjë kusht i karakterit njerëzor dhe asnjë rast i fajit njerëzor nuk përjashtohet. Edhe më i neveritshmi i të neveritshmëve, edhe mëkatari i mjerë e skamës, nevojtar dhe pa asnjë qindarkë mirëpritet prej zërit të hirit falas tek “ujërat e gjalla”. Çfarë të ka mbajtur kaq gjatë larg këtij burimi? Ke pasur etje, ke psherëtirë dhe ke dëshiruar, por ende shpirti yt nuk është rimbushur. Ndoshta ke qenë duke i kërkuar Zotit për një kohë të gjatë, ke kërkuar udhën dhe ke dëshiruar shpëtimin. Pse nuk e ke gjetur Atë? Ke mbartur barrën e rëndë të mëkatit, muaj pas muaji, vit pas viti, duke mos e përjetuar fare ndjesinë e faljes, pranimit, birësimit a prehjes. Pse? Për shkak se je penguar te fakti se hiri është falas. Ke pritur ta marrësh atë si shenjtor, duke mos dalluar se Perëndia do të ta japë vetëm si mëkatar. Por, dëgjo tani fjalën e Zotit: “Ju jeni shpëtuar në fakt me anë të hirit”, “jeni shpenguar pa para”, “nuk paguat asgjë”, “kush do le të marrë si dhuratë ujin e jetës”. Oh, pranoje këtë të vërtetë në zemrën tënde dhe ke për të qenë i lumtur. Gjithë krijimi do të të duket sikur të buzëqesh, qiejt do të të buzëqeshin, toka do të të buzëqeshë, po, Perëndia Vetë do të të buzëqeshë. Duke i hedhur tej zinxhirët e tij, shpirti yt i çliruar do të lëshohet në lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë. Çfarë sovraniteti, çfarë ëmbëlsie dhe çfarë lavdie do të shfaqet në vetë aktin që fal gjithçka dhe që të paraqet një botë të re, përplot me aromën e gëzimit dhe ëndjes!

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Mendime Mëngjesi

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al