Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mendime MëngjesiShembull

Mendime Mëngjesi

DITA 50 NGA 366

19 Shkurt

Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezus Krisht, që, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së Tij.

2 e Korintasve 8:9

Sa pak i shoqërojmë mëshirat tona më të çmuara, përfshirë ato që jemi mësuar t’i vlerësojmë si të një karakteri më të zakonshëm (edhe pse çdo mëshirë është pafundësisht e madhe), me përuljen e Zotit tonë! Sa rrallë i gjurmojmë çastet tona të lumtura, gëzimet tona të shenjtëruara, kënaqësitë tona të larta, skenat e shenjta dhe privilegjet e çmuara tek kjo pjesë e errët e historisë së Tij të shquar! Megjithatë, të gjitha këto rrjedhin te ne përmes po këtij kanali dhe, po të mos ishte ky, këto gjëra nuk do të ishin bërë kurrë tonat. Kur oqeani i mirësisë së Tij më mbulon, valë pas vale, kur ndjej ngrohtësinë ngazëlluese të buzëqeshjeve të krijesës që rrezatojnë aq ëmbël dhe me dashuri, kur i rishikoj njëra pas tjetrës mëshirat e mia personale, familjare dhe shoqërore, kur edhe një gotë uji të freskët e cila më ofrohet nga dora e mirësisë së krishterë m’i njom buzët, cili është mendimi që zë vend në mendjen time? “E gjithë kjo rrjedh nga përulja më e thellë e Krishtit tim të mahnitshëm.”

Kur të ngjitem në sferat më të larta të hirit e të sodit bekimet që janë derdhur kaq lirshëm e kaq bujarisht - një rebel u nënshtrua, një kriminel u fal, një fëmijë u birësua, një prift mbretëror u vajos, bashkësia me Krishtin, marrëdhënia e besëlidhjes me Perëndinë, hyrje në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, përshtatje me imazhin Hyjnor - pushtohem edhe më thellë prej mendimit se “e gjithë kjo rrjedh nga përulja e pafundme e Perëndisë së mishëruar”.

Kur ngjitem edhe më lart dhe kaloj nga hiri në lavdi dhe meditoj për qiellin e shkëlqyer që më pret - në një çast larg trupit të mëkatit dhe i pranishëm me Zotin, larg botës, e cila, edhe pse e bukur për shkak se e krijoi Perëndia, është gjithsesi froni i Satanit, perandoria e mëkatit, skena e pikëllimit, ndotjes, vuajtjes dhe vdekjes; përjetësisht tani me Perëndinë, ku gjithçka është gëzim, ku gjithçka është shenjtëri, pasi jam bërë përsosmërisht i shenjtë dhe, si rrjedhim, përsosmërisht i lumtur, për të mos mëkatuar më, për të mos u pikëlluar më, për të mos vajtuar më, për të mos u endur më, për të mos u rrëzuar më – oh, sa e lavdishme bëhet përulja e Zotit tim të mishëruar! Të dashur, kur Perëndia ju lartëson, mbani mend se kjo është për shkak se Shpëtimtari juaj u poshtërua. Kur kupa juaj është e ëmbël, mbani mend se kjo është për shkak se kupa e Tij ishte e hidhur. Kur e shtrëngoni fort në gji mëshirën tuaj, kujtoni se kjo është për shkak se Ai shtyu zemrën e Tij drejt shtizës. Kur sytë tuaj të shpresës dhe besimit shohin përpara drejt lavdisë që po vjen, oh, mos harroni se, ngaqë Ai duroi ferrin tuaj, ju do të gëzoni qiellin e Tij!

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Mendime Mëngjesi

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al