Mendime MëngjesiShembull

17 Shkurt
Është e çmueshme në sytë e ZOTIT vdekja e të shenjtëve të Tij.
Psalmi 116:15
Është solemnisht e vërtetë se ka një “kohë për të vdekur”. Ah, çfarë mendimi prekës: një “kohë për të vdekur”! Një kohë kur ky konflikt për vdekje do të marrë fund, kur kjo zemër do të pushojë së ndjeri dhe, po ashtu, nuk do të ndjejë më gëzim apo brengë; kur kjo kokë nuk do të dhembë më dhe kur këta sy nuk do të lotojnë më; më e mira dhe më e shenjta nga të gjitha: një kohë “kur ky i prishshëm do të veshë mosprishjen, dhe ky i vdekshëm do të veshë pavdekësinë” dhe do ta “shohim Krishtin sikurse është dhe do të jemi si Ai”. Nëse është kështu, o i krishterë, pse të ka zënë kjo frikë plot ankth e dridhje? Koha jote e vdekjes, me të gjitha rrethanat që e shoqërojnë, është në dorën e ZOTIT. Gjithçka është caktuar dhe rregulluar prej Atij që të do dhe që të ka shpenguar: mirësia, urtësia, besnikëria e pafundme po veprojnë për lumturinë tënde më të madhe në çdo rrethanë të largimit tënd. Sëmundja e fundit nuk mund të vijë, “armiku i fundit” nuk mund të të godasë gjersa Ai ta urdhërojë. Gjithçka është në dorën e Tij. Prandaj, me qetësi dhe siguri, largohu nga skena përmbyllëse e kësaj jete me Të. Nuk mund të vdesësh larg Jezusit. Kurdo që shpirti yt ta nisë fluturimin, kur të jetë jashtë a në shtëpi, mes të panjohurve a miqve, përmes një procesi lëngues a përmes një goditjeje të papritur, në shkëlqim a zymtësi, Jezusi do jetë me ty dhe do të të ngrejë me hirin e Tij, do të të japë zemër me praninë e Tij, dhe ti do të deklarosh me triumf: “Edhe po të eci në luginën e vdekjes nuk do të kem nga asnjë e keqe; sepse Ti je me mua, shkopi Yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër”, duke dhënë dëshmi edhe në momentin tënd të vdekjes për besnikërinë e Perëndisë dhe për faktin se sa të çmuara janë premtimet e Tij. Koha ime për të vdekur është në dorën tënde, o Zot, dhe, me qetësi, vendos ta lë aty.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









