Mendime MëngjesiShembull

12 Shkurt
Sepse, ata që Ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë njësoj me shëmbëllimin e Birit të Tij.
Romakëve 8:29
Ja tek është modeli i lavdishëm i një fëmije të Perëndisë. Shenjtërimi është përshtatja me shëmbëlltyrën dhe shembullin e Krishtit. Sa më tepër të rritet besimtari në përngjasim me Jezusin, aq më tepër rritet në shenjtëri. E kundërta është gjithashtu e vërtetë: sa më pak ngjashmëri me Krishtin në parimet e tij, në zakonet e mendjes së tij, në frymën e tij, në temperamentin, në ecjen e përditshme, po, në çdo veprim e në çdo shikim, aq më pak po përparon ai person në veprën e madhe të shenjtërimit. Oh, sa të shumtë janë ata që e rrëfejnë emrin e Tij të dashur, që presin të jenë me Të përgjithmonë, por nuk ndalojnë kurrë të konsiderojnë se çfarë ngjashmërie kanë me Të tani! Nëse do të tregoheshin të ndershëm me ndërgjegjen në detyrën shumë të neglizhuar të shqyrtimit të vetvetes, nëse do ta vendosnin veten përballë këtij standardi të lartë, sa poshtë tij do të gjendeshin! Sa shumë gjëra në parimet e tyre, në motivet që i qeverisin, në temperamentin, frymën dhe sjelljen e tyre të përditshme, sa shumë gjëra në ecjen e tyre në botë, në sjelljen e tyre në kishë dhe në sjelljen më të padukshme në familjet e tyre do të zbuloheshin si jo shumë të ngjashme me Krishtin! Sa shumë nga këto janë “nga poshtë” dhe sa pak janë “nga lart”; sa shumë do të duket “shëmbëlltyra e tokësorit” dhe sa pak ajo e “qiellorit”! Por, shihni shëmbëlltyrën e Zotit tonë të dashur; sa e përulur dhe e shenjtë është! Shikoni varfërinë e frymës së Tij, përulësinë e zemrës së Tij, përulësinë në sjelljen e Tij, butësinë, faljen e lëndimeve, vetëmohimin, frymën e lutjes, zellin për lavdinë e Atit të Tij, dëshirat e zjarrta për shpëtimin e njerëzve. Oh, sikur të ishim si Jezusi! Sikur të bëheshim edhe më të ngjashëm me Të në çdo gjë! Ky është kuptimi i frazës “të ecni në mënyrë të denjë për Zotin që t’i pëlqeni në çdo gjë”. Kjo është të kuptosh se “vullneti i Perëndisë është shenjtërimi ynë”. Prandaj, mos lejoni që ta harroni se besimtari që po përparon është ai që rritet në ngjashmëri e në përputhje me shëmbëlltyrën dhe shembullin e Krishtit.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









