Mendime MëngjesiShembull

9 Shkurt
Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë.
Gjoni 11:4
Stina e sëmundjes është edukimi i shpirtit. Gjatë kësaj kohe, shpaloset më tepër nga Perëndia, mësohet më tepër nga e vërteta e Tij sesa në çfarëdo rrethane tjetër. Sa mirë që shpaloset karakteri, përsosmëritë dhe qeverisja e Perëndisë në mendjen e personit përmes mësimeve të Frymës së të vërtetës! Pamjet e tij të mjegullta qartësohen, idetë e tij të papërpunuara rafinohen, idetë e tij të gabuara drejtohen; ai mediton për Perëndinë nën një dritë tjetër, e konsideron të vërtetën përmes një kanali tjetër. Por, efekti më i ëmbël nga të gjithë është përjetimi personal i Perëndisë në shpirtin e tij. Tani ai mund të thotë: “Ky Perëndi është Perëndia im, Ai është Ati im, Ai është pjesa ime përjetë”, fjalë sigurie të cilat, deri në atë çast, ishin të huaja për buzët e tij. Premtimet e Perëndisë nuk qenë përjetuar kurrë si kaq të çmuara, doktrinat e hirit nuk qenë dukur kurrë kaq të themeluara dhe porositë nuk kishin tingëlluar kurrë kaq detyruese dhe kaq shenjtëruese sa tani; këto janë rezultatet e bekuara të përqafimit të shenjtëruar të stinës së sëmundjes! Oh, çfarë krasitjeje u ka ndodhur degëve të tij jetësore! Sa shumë që është çliruar prej pretendimeve skllavëruese të thirrjes tokësore, nga lidhja e pashëndetshme me të mirat e krijimit, me krijesat, me botën dhe, çka është zvjerdhja më e madhe nga të gjitha, nga idhulli më i dashur: vetja! Ai hyri në atë dhomëz si njeri krenar, por u largua prej saj si fëmijë i vogël. Shkoi brenda saj me frymë të fortë zaptimi, lakmie dhe si rrëfyes me mendjen e botës, por doli prej saj me botën nën këmbët e tij: “Shenjtëruar Krishtit dhe Shenjtërisë së Perëndisë” ishin shkruar mbi ballin e tij dhe mbi gjithçka të tijën. Ai ka qenë afër përjetësisë! Ka hedhur një vështrim përtej velit! Ka shfletuar zemrën e tij! Është ballafaquar me Krishtin! Ka parë dhe ka ndjerë sa solemne ishte t’i afrohej portës së vdekjes, të hynte në praninë e Perëndisë dhe, nga ajo pikë e tmerrshme vizioni, ka medituar për botën, jetën dhe përgjegjësinë njerëzore ashtu sikurse janë dhe është kthyer si një frymë nga një botë tjetër, i veshur me gjithë solemnitetet e përjetësisë, për të jetuar tani si dikush që në realitet do të jetë atje shumë shpejt. Me të vërtet sëmundja e tij ishte “për lavdinë e Perëndisë, në mënyrë që Biri i Perëndisë të mund të përlëvdohet përmes saj”.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









