Mendime MëngjesiShembull

8 Shkurt
Në dashurinë e Tij do të qëndrojë në heshtje.
Sofonia 3:17
Leximi i drejtpërdrejtë i kësaj pjesë është jashtëzakonisht i bukur dhe shprehës: “Ai do të qëndrojë në heshtje për shkak të dashurisë së Tij.”. Zemërimi hyjnor është i heshtur, për shkak se dashuria e ka qetësuar. Drejtësia hyjnore është e heshtur, për shkak se dashuria e ka përmbushur. Mëkati është i heshtur, për shkak se dashuria e ka dënuar. Satani është i heshtur, për shkak se dashuria e ka shpartalluar. Dashuria e Perëndisë ka bërë të heshtë çdo zë, përveç zërit të saj. Kur një akuzë u ngrit kundër një mëkatareje të mjerë në praninë e Jezusit dhe Atij i kërkuan që të jepte gjykimin e Tij, është shkruar se Ai, “duke u shtënë se nuk dëgjoi, u përkul dhe shkruante me gisht në dhe”. Ai heshtte, për shkak të dashurisë së Tij! A nuk kemi edhe ne akuzues? Ah, po! Kemi shumë të tillë, dhe me vend. Ndërgjegjja na akuzon, Satani na akuzon, mëkati na akuzon, bota na akuzon, por Jezusi nuk na akuzon; Ai hesht, për shkak të dashurisë së Tij. Ata na dënojnë me zë të lartë dhe me ashpërsi, madje me të drejtë; por Ai nuk na dënon kurrë. “Pastaj u përkul përsëri dhe shkruante në dhe.” Sërish, as edhe një fjalë e vetme dënimi nuk doli nga buzët e Tij. Ndaj Tij kishin vepruar pa të drejtë, kishin mëkatuar kundër Tij, vetë ligji i Tij i shenjtë ishte shkelur dhe dëshmitarët, të shumtë e dashakeqës, ishin aty për të dëshmuar për të vërtetën kundër mëkatares; por Jezusi hesht. Ai hesht në dashurinë e Tij.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









