Mendime MëngjesiShembull

7 Shkurt
Por, kur të vijë Ai, Fryma e së vërtetës, do t'ju prijë në gjithë të vërtetën.
Gjoni16:13
Pamje të reja dhe më të zgjeruara nga Fryma e Shenjtë karakterizojnë mendjen e rilindur. Pasi e ka marrë Frymën e Shenjtë si rilindës, besimtari ndjen nevojën ta ketë Atë si mësues, shenjtërues, ngushëllues dhe vulosës. Si mësues, Ai i zbulon gjithnjë e më shumë, nga ligësia e fshehur në zemrën e tij, më tepër njohuri rreth Perëndisë, rreth Fjalës dhe Birit të Tij. Si shenjtërues, Ai e çon përpara punën e hirit në shpirt, duke e ngulitur edhe më thellë në zemër imazhin Hyjnor dhe duke e sjellë çdo mendim, çdo ndjenjë e fjalë nën bindje të ëmbël, të shenjtë e birnore ndaj ligjit të Jezusit. Si ngushëllues, Ai e udhëheq tek Krishti në çastet e sprovave të tij më të thella; e ngushëllon duke i shpalosur dhembshurinë dhe butësinë e Jezusit bashkë me vlerën e çmuar e të jashtëzakonshme, si dhe përshtatjen e veçantë të shumë prej premtimeve me të cilat fjala e së vërtetës është e tejmbushur për ngushëllimin e të pikëlluarve të Zotit. Si vulosës, Ai e përforcon në zemrën e tij ndjesinë e faljes, pranimit dhe birësimit, duke hyrë brenda tij si “kapari i trashëgimisë, derisa të bëhet shpengimi i plotë i zotërimit të blerë”. Oh, çfarë pamjesh të lartësuara që ka ai tani për Frymën e bekuar dhe të përjetshme, për lavdinë e Tij personale, për punën e Tij, për ofiqet e Tij, për ndikimet e Tij, për dashurinë, butësinë dhe besnikërinë e Tij! Veshi është hapur ndaj pëshpëritjes më të butë të zërit të Tij; zemra zgjerohet ndaj përshtypjes më të butë të vulosjes, shenjtërimit dhe ndikimit të Tij. Ndërsa kujton që është “tempull i Frymës së Shenjtë”, ai dëshiron të ecë në mënyrë të tillë: me përulje, butësi, vigjilencë dhe lutje. Ai përpiqet të evitojë gjithçka që mund ta “brengosë Frymën”, duke braktisur çdo mëkat të njohur që do ta çnderonte Atë e ta bënte të tërhiqej; synimi i vetëm i jetës së tij është të ecë në mënyrë që t’i pëlqejë Perëndisë, që “Perëndia të mund të përlëvdohet në gjithçka”.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









