Mendime MëngjesiShembull

27 Dhjetor
Shpëtimtarit tonë Jezus Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit.
2 e Timoteut 1:10
Fakti që ekziston një fuqi ndarëse në vdekje është një e vërtetë tepër e dukshme dhe tepër ndikuese për ta mohuar. Vdekja ndan shpirtin nga trupi, e ndan njeriun nga të gjitha kërkimet dhe tërheqjet e botës. “Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.” Të gjitha mendimet dhe ambiciet e tij, mendimet e tij për të përparuar, mendimet e tij për një fe të kotë prej fariseu, të gjitha humbasin atë ditë. Çfarë sublimiteti i vajtueshëm dallohet në këtë përshkrim të spikatur të fuqisë ndarëse që vdekja ka mbi krijesën! Çfarë fuqie ndarëse ka vdekja teksa ndihet në boshllëqet që krijon në marrëdhëniet njerëzore!
Kush nuk ka humbur një mik apo një bashkëshort në duart e pamëshirshme të vdekjes? Cila shtëpi e ndriçuar nuk është errësuar? Cila zemër e dashur nuk është trishtuar prej vizitave të vdekjes? Vdekja na ndan nga bashkëshorti i rinisë tonë, na ndan nga fëmija ynë i dashur, na ndan nga miku apo shoku i viteve të fëmijërisë dhe rinisë. Vdekja vjen dhe e këput lidhjen që na mban të lidhur aq ngushtë dhe aq afër me atë qenie, dashuria, dhembshuria dhe miqësia e së cilës na dukeshin elemente aq thelbësore për qenien tonë, jetën e së cilës ishim mësuar ta konsideronim si pjesë të vetë ekzistencës tonë. Por, ka një gjë nga e cila vdekja nuk mund të na ndajë: nga dashuria e Perëndisë që është në Krishtin Jezus dhe nga të gjitha bekimet që na jep ajo dashuri.
Vdekja na ndan! Jo, vdekja na bashkon edhe më ngushtë me ato bekime duke na sjellë zotërimin më të plotë e të përhershëm të tyre. Vdekja i jep realizim dhe qëndrueshmëri të gjitha pritjeve të shenjta e të shkëlqyera të të krishterit. Çasti më i lumtur i jetës së tij është ai i fundit. Gjithë lavdia dhe bekimi i ekzistencës së tij mblidhen dhe shkëlqejnë përreth asaj krize solemne të qenies së tij. Atëherë ai e ndjen sa i çmuar është privilegji dhe sa i madh është dallimi i të qenët besimtar në Jezusin. Dita që ia mbylli sytë për të gjitha skenat tokësore ia hapi ato për të parë lavditë e patregueshme, të papërfytyrueshme dhe gjithnjë e më të mëdha të përjetësisë. Kjo është ditëlindja e pavdekësisë së tij.
Prandaj, o i krishterë, mos e ki frikë vdekjen! Ajo nuk mund të të ndajë nga dashuria e Atit, as mundet që, teksa të shkëput nga një përqafim tokësor, të të shkëputë nga përqafimi i Krishtit. Mund të ndodhë që, në vdekje, të kesh manifestim më të ndritshëm dhe më të ëmbël të dashurisë së Tij nga sa ke përjetuar gjatë jetës. Jezusi, Ngadhënjimtari mbi vdekjen do të të afrohet dhe do të vendosë krahët e Tij të gjithëpushtetshëm poshtë teje dhe kokën tënde mbi gjoksin e Tij të dashur. Kështu, i përqafuar dhe i mbështetur në gji të Tij, “nuk do ta shohësh vdekjen”, por, ndërsa do të kalosh përmes kësaj hyrjeje të zymtë, do të kuptosh vetëm se, në fakt, ke vdekur, për shkak të vetëdijes së gëzimit dhe lavdisë në të cilën të ka futur vdekja.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









