Mendime MëngjesiShembull

23 Dhjetor
Por Ai që na forcon bashkë me ju në Krishtin dhe na vajosi është Perëndia, i Cili edhe na vulosi dhe na dha kaparin e Frymës në zemrat tona.
2 e Korintasve 1:21-22
Bindja solemne e shkrimtarit është dhe ka qenë për një kohë të gjatë se pjesa më e madhe e errësirës frymore, ngushëllimi i pakët, perëndishmëria e vogël, frika dhe dyshimet që na sulmojnë, pamjet jo të përsosura të Jezusit, besimi i dobët, gjendja e sëmurë dhe e shkurajuar e shpirtit, pasiguria e pranimit të plotë në Krishtin, gjëra të cilat karakterizojnë shumë nga populli i Perëndisë në këtë kohë, mund të shpjegohet me mungesën e vulosjes së thellë të Frymës. Duke u kënaqur me përshtypjet e zbehta në konvertim, me pamjet e errëta që patën atëherë për Krishtin dhe me kuptimin e dobët të pranimit dhe birësimit të tyre, a ju duket e habitshme që, gjithë jetën e tyre, këta njerëz të jenë në pranga për shkak të frikës dhe dyshimeve skllavëruese? A ju duket habi që këta njerëz të mos e arrijnë kurrë “masën e shtatit të një njeriu të përsosur në Krishtin Jezus”, që të mos e arrijnë kurrë guximin e përulur, besimin e palëkundur, sigurinë e bekuar dhe dinjitetin e shenjtë të bijve të Perëndisë? Oh, jo! Ata kënaqen me diçka më pak se ky bekim. Ata mbahen pas derës së arkës, qëndrojnë në kufi të tokës së bekuar dhe nuk hyjnë plotësisht në të dhe, kështu, efektet janë ato që kemi përshkruar më sipër.
Lexues i dashur, minerali më i pasur gjendet i groposur në thellësi, fryti më i ëmbël gjendet në degët e sipërme, drita më e fortë është afër diellit. Me fjalë të tjera, nëse dëshirojmë më tepër njohuri nga Krishti, për faljen tonë të plotë, për pranimin tonë të plotë, nëse dëshirojmë garancinë e trashëgimisë tonë, madje tani të shijojmë “rrushtë e Eshkolit” duhet që të “jepemi drejt gjërave që janë para nesh”, duhet të “shkojmë drejt synimit” dhe të mos prehemi derisa këto gjëra t’i gjejmë në siguri të qartë, pa re, të palëkundur e të shenjtë të qenies tonë në Krishtin dhe kjo gjë përjetohet vetëm në vulosjen e Frymës. Sërish po themi, me gjithë zellin që frymëzon një ndjesi në rritje për paanësinë e bekimit, kërko të vulosesh nga Fryma, kërko “kaparin e Frymës”, kërko të “mbushesh me Frymën”, kërko “vajosjen e Frymës”, kërko “Frymën e birërisë”.
Mos thuaj: ky është bekim tepër i madh, arritje tepër e lartë për një person kaq të vogël, kaq të dobët, kaq të panjohur e kaq të padenjë sa unë. Mos e fyej kështu hirin e Perëndisë. Të gjitha bekimet e Tij janë dhurata të hirit dhe hir do të thotë favor falas për më të padenjin. Nuk ka qoftë edhe një sy të vetëm të përulur e të përlotur që e sheh këtë faqe, e të mos ketë mundësi që, nën vulosjen e bekuar të Frymës, të mos e shohë Perëndinë si Atë, përmes Jezusit. Pamjet e ulëta për veten, vetëdija e thellë për neverinë, varfërinë e gjendjes apo frymës nuk janë pengesa me Perëndinë, përkundrazi janë argumente të forta të cilat e bindin Atë për faktin se ju duhet ta keni bekimin. Vetëm kërko, vetëm beso, vetëm këmbëngul dhe ke për ta arritur. Zemra e Frymës është t’i vulosë “për ditën e shpengimit” të gjithë ata që besojnë në Jezusin. Qoftë edhe në zemrën e besimtarit që të dëshirojë bekimin, duke parë se ai është ofruar kaq lirshëm e bollshëm!
Lexues, mbishkrimin e kujt je duke dëgjuar? Ndoshta përgjigja jote është: “Dëshiroj Krishtin; në fshehtësi kam dëshirë për Të; e dëshiroj Atë mbi gjithçka tjetër.”. A është kështu? Atëherë, merr guxim dhe shko te Jezusi. Shko tek Ai thjesht, shko tek Ai pa hezituar, shko tek Ai menjëherë. Ajo dëshirë është prej Tij; lëre të të udhëheqë tek Ai. Ajo ëndje e fshehtë është puna e Frymës dhe, duke qenë se Ai e ka ngjallur atë dëshirë, a mendon se nuk do ta plotësojë e të të pranojë kur të vish? Provoje Atë. Sille Atë para gurit të provës së të vërtetës së Tij. “Më vini në provë”, është ftesa e Tij e hirshme. Merre premtimin e tij: “Atë që vjen tek Unë Unë nuk do ta nxjerr kurrë jashtë”. Shpalle në përleshje para fronit të mëshirës, pastaj shiko nëse Ai nuk do të hapë “pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini”.
Shko tek Ai ashtu si je; nëse nuk ke mundësi t’i çosh Atij një zemër të pastër, çoji një të papastër; nëse nuk mund t’i çosh një zemër të thyer, çoji një zemër të plotë; nëse nuk ke mundësi t’i çosh një zemër të butë, çoji një zemër të ngurtë; veç shko tek Ai. Veprimi i të shkuarit do të jetë i bekuar për ty. Kjo është fuqia e dashurisë së Tij, e tillë është dhembshuria e Tij e zjarrtë dhe butësia e zemrës së Tij për mëkatarët e mjerë, e tillë është aftësia dhe gatishmëria e Tij për të shpëtuar, saqë nuk ka për të të dëbuar me po atë siguri që nuk ka për ta mohuar ekzistencën e Tij. I çmuari Jezus! Na vendos si një vulë mbi zemrën Tënde dhe, me anë të Frymës Tënde, vulose Veten Tënde në zemrat tona; edhe pse ne jemi të padenjë, na jep një vend mes “atyre që janë vulosur”.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









