Mendime MëngjesiShembull

25 Dhjetor
Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?
Romakëve 8:35
Për dashurinë e kujt po flet apostulli? Për dashurinë e besimtarit për Krishtin? Jo, përkundrazi, kjo është dashuria e Krishtit për besimtarin. Ky këndvështrim i kësaj teme shkakton gjithë ndryshimin në ndikimin që ka mbi mendjen tonë. Çfarë kënaqësie dhe ngushëllimi i vërtetë, pavarësisht sa e vogël masa e tij, mund të nxjerrë besimtari nga meditimi mbi dashurinë e tij për Krishtin? Vërtet që, kur bëhet i ndjeshëm për rrezatimin e saj dhe i vetëdijshëm për fuqinë e saj, ai nuk ka se si të mos ngazëllojë për çdo provë të punës së Frymës së Shenjtë në shpirtin e tij, pavarësisht sa e vogël mund të jetë ajo. Megjithatë, kjo nuk është baza e ligjshme e sigurisë së tij, as burimi i duhur i ngushëllimit të tij.
Dashuria e Krishtit për të! Kjo është saktësisht e vërteta mbi të cilën mendja e krishterë ka nevojë të prehet. Kujt ia dërgoi Pali këtë letër në fillim? Shenjtorëve të epokës së hershme dhe të përvuajtur të kishës. Kjo e vërtetë, dashuria e Krishtit për popullin e Tij, është e vërteta që, me siguri, do t’i ngushëllojë, forcojë e gjallërojë ata besimtarë. Të shpallësh se asgjë nuk do të mund t’ia dalë t’i shtyjë ata ta braktisin Krishtin do të kishte qenë një ngushëllim i dobët për individë që kishin dëshmuar shumë apostazi të frikshme nga Krishti tek të tjerët dhe të cilët shpesh kishin dalluar të njëjtin parim të vepronte brenda tyre. Duke kujtuar deklaratën e fortë të Pjetrit se: “Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun Tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë”, dhe se si Zotëria i tyre u mohua nga njëri, u tradhtua nga tjetri dhe u braktis nga të gjithë, ata do t’i lëshonte zemra.
Por, le ta lejojmë apostullin ta tërheqë mendjen e tyre nga meditimi mbi dashurinë e tyre për Krishtin te një meditim i dashurisë së Krishtit për ta, duke i siguruar mbi bazën më të fortë se çfarëdo vuajtjeje që ata mund të durojnë, pavarësisht çfarë tundimesh mund t’i sulmojnë, asgjë nuk do t’ia dalë t’i shkëpusë nga prehja e tyre më e përsosur. Prandaj, dashuria për të cilën flet apostulli është dashuria e Perëndisë e cila është në Krishtin Jezus.
Dashuria e Krishtit! Kjo është tema jonë e çmuar. A mund të lodhemi ndonjëherë nga kjo e vërtetë? A mund ta njohim plotësisht madhështinë e saj? Kurrë! Thellësitë e saj nuk mund të njihen, dimensionet e saj nuk mund të maten. Kjo dashuri ia “tejkalon çdo njohurie”. Gjithë sa Jezusi bëri për kishën e Tij ishte thjesht shpalosje dhe shprehje e dashurisë së Tij. Duke udhëtuar për në Betlehem, shoh dashurinë e mishëruar. Ndërsa ndjek hapat e Tij teksa shkon kudo duke bërë mirë, shoh dashurinë që mundohet. Kur vizitoj shtëpinë në Betani, shoh dashurinë që tregon dhembshuri. Kur qëndroj pranë varrit të Llazarit, shoh dashurinë që derdh lot. Kur hyn në rrethinat e zymta të Gjetsemanisë, shoh dashurinë që pikëllohet. Kur shkon në Kalvar, shoh dashurinë që vuan, që përgjaket dhe vdes. E gjithë skena e jetës së Tij është thjesht shpalosje e misterit të çmuar, të mahnitshëm e të thellë të dashurisë shpenguese.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









