Mendime MëngjesiShembull

29 Dhjetor
Po, ti je drita ime, o ZOT; ZOTI ndriçon terrin tim.
2 i Samuelit 22:29
Zot i bekuar! Ti je drita ime. I pranuar në drejtësinë Tënde, jam “i veshur me diellin”. Errësirë në vetvete, në Ty jam dritë. Sa shpesh e ke kthyer natën time të zymtë në ditë me diell. Po, Zot, me një dashuri jo më pak të butë, ndonjëherë e ke kthyer “mëngjesin tim të gëzimit” në “natë të qarash”. Megjithatë, Ti i ke bërë vajtimet e mia të këndojnë. Shumë re të errëta të shtegtimit tim Ti i ke veshur me rrezet e Tua të arta. “Në dritën Tënde kam parë dritën” mes shumë veprimeve të zymta e të mistershme të Perëndisë tim të besëlidhjes. “Me dritën Tënde kam ecur përmes errësirës” në shumë faza të vetmuara e të gjata të udhëtimit tim.
Oh, Ti ke shkuar para meje në çdo hap të udhës në të cilën më ke thirrur të udhëtoj. Edhe Ti Vetë kalove përgjatë natës Tënde të vetmisë, vuajtjes dhe mjerimit. Por, Ti u privove nga lehtësimet të cilat me aq butësi e bujari i ke siguruar për mua. Asnjë rreze nuk e ndriçoi dhe asnjë shënim nuk e gëzoi mesnatën e shpirtit Tënd. Drita e Atësisë së manifestuar ishte e fshehur nga shikimi Yt dhe, mes agonisë së hidhur, Ti klithe: “Perëndia Im, Perëndia Im, përse më ke braktisur?”. Të gjithë këtë e durove që unë të mund të kem një këngë në mes të natës së vajtimit. Kështu, errësira Jote u bë drita ime; vuajtja Jote u bë gëzimi im; poshtërimi Yt u bë lavdia ime; vdekja Jote u bë jeta ime; mallkimi Yt u bë kurora ime.
O Zot, natë e bekuar vajtimi është ajo në të cilën mund të këndoj për hirin Tënd forcues, për praninë Tënde gjallëruese, për besnikërinë Tënde të palëkundur, për dashurinë Tënde të butë. Sa mirë më ke udhëzuar në shkollën Tënde! Me sa durim e zotësi më ke mësuar! Nuk do t’ia kisha dalë pa mësimin dhe disiplinën Tënde. Nuk mund të më shpëtonte as edhe një natë vuajtjeje, as edhe një goditje disiplinimi, as edhe prej një përbërësi në kupën time. Gjithçka ishte e nevojshme. Tani mund të shoh ndërsa besimi, me veprim refleksi, vëzhgon gjithë të shkuarën, se me çfarë urtësie, aftësie, integriteti e butësie të pafundme i ke caktuar të gjitha gjërat dhe ke sunduar mbi të gjitha ndodhitë dhe peripecitë e historisë time.
Tani e mbuloj fytyrën time me turp e neveri për veten, e vë gojën në pluhur para Teje, sepse Ti ke sjellë dritë në mes të errësirës time, ke sjellë të mirë nga ligësia ime, ke sunduar mbi të gjitha gabimet dhe largimet e mia për bekimin tim më të madh dhe për lavdinë Tënde më të madhe dhe tani je “i pajtuar me mua për gjithë sa kam bërë”. Unë jam penguar dhe Ti më ke mbajtur. Jam rrëzuar dhe Ti më ke ngritur lart. Jam endur dhe Ti më ke kthyer sërish. E kam plagosur veten time dhe Ti më ke shëruar. Oh, çfarë Perëndie ke qenë për mua! Çfarë Ati! Çfarë Miku! A do të dyshoj më tek Ti, të mos besoj më në Ty, të të lëndoj më Ty, të largohem më prej Teje? Ah, Zot, do ta kisha bërë edhe njëmijë herë edhe në këtë çast, po të mos kishte qenë hiri Yt kufizues. “Më ngri lart dhe do të jem i sigurt.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









