Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mendime MëngjesiShembull

Mendime Mëngjesi

DITA 365 NGA 366

30 Dhjetor

Ti do të më udhëheqësh me këshillën Tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.

Psalmi 73:24

Zot, më jep mundësi ta shoh më qartë dashurinë Tënde në veprimet e Tua. Vajose sërish syrin tim të besimit që, duke depërtuar edhe renë e errët, të mund vëzhgojë pas saj zemrën Tënde, e cila rreh me dashuri të pafundme e të pavdekshme për mua. A nuk do ta pi me nënshtrim të thellë ndaj vullnetit të Tij të shenjtë kupën që Ati im ka përgatitur dhe ma ka dhënë? O Zot, nuk guxoj që të kalojë tej pa u shijuar nga buzët e mia; pas shijes së hidhur mund të gjej të fshehur një tregues të dashurisë Tënde. U bëftë vullneti Yt. Dëshiroj të jem edhe më pranë Teje. Përderisa Ti, Zoti im i bekuar, ishte Vetë njeri i vuajtjes (e tani të gjitha vuajtjet e Tua kanë kaluar), dëshiroj të kemi bashkësi me vuajtjet e Tua dhe, kështu, të bëhem i ngjashëm me Ty në vdekjen Tënde.

Më jep hir që durimi të kryejë punën e vet të përsosur në mua e mos të më mungojë asgjë. Qetësoje këtë mendje të trazuar. Qetësoje këtë shpirt të tronditur. Fashoje këtë zemër të thyer e të plagosur. Thuaju këtyre ujërave të trazuara në të cilat po kaloj: “Paqe, pusho.”. Jezus, e lëshoj veten time në gjoksin Tënd të dashur. Kujt mundem dhe kujt do t’ia tregoj brengën time, kujt do t’ia zbuloj pikëllimin tim veç Teje? O Zot, këto gjëra janë tepër të ndjeshme për ndonjë vesh tjetër dhe tepër të thella për ndonjë dorë tjetër përveç syrit dhe dorës Tënde. Të bekoj që jam i strehuar në Ty, o Perëndia im. “Cilin kam në qiell veç Teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç Teje.” Ti e dëgjove lutjen time dhe më je përgjigjur, “edhe pse si përmes zjarrit”. Të kërkova shëndet për shpirtin dhe Ti më dhe sëmundje për trupin. Të kërkova që të zotërosh gjithë zemrën time dhe Ti e shkatërrove idhullin tim. Të kërkova që të mund të pi më thellë nga burimi i dashurisë Tënde dhe Ti e shkatërrove cisternën time.

Kërkova të ulem nën hijen Tënde me kënaqësi edhe më të madhe dhe Ti e thave hardhinë time. Të kërkova shenjtëri më të thellë të zemrës dhe Ti m’i hape dhomat e imagjinatës. Por, është mirë, gjithçka është mirë. Edhe nëse më vret, unë prapë do të besoj në Ty. Ngushëllues Hyjnor dhe i shenjtë, më udhëhiq te Jezusi, ngushëlluesi im. Dëshmoji shpirtit tim se unë jam fëmijë i Perëndisë, edhe pse gaboj dhe disiplinohem. Zot, unë vij tek Ti! Shpirti im me dëshirë i hap krahët dhe fluturon për në shtëpinë e tij. Lërmë të shkoj para se të agojë dita. Eja tek unë ose më lër të vij tek Ti. Të jem gjithmonë me Ty, o Zot, ky është qielli vetë. Pse po vonohen kaq shumë rrotat e karrocës Tënde? Nxito, Shpëtimtar i bekuar, dhe këputi zinxhirët e mi dhe lërmë të shkoj në lavdi e të shoh fytyrën Tënde ballë për ballë dhe të pi nga lumi i dashurisë Tënde, të pi prej tij përjetësisht.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Mendime Mëngjesi

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al