Mendime MëngjesiShembull

28 Dhjetor
Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezus Krisht.
1 e Korintasve 15:57
A e dëgjon veshi i ndonjë shenjtori të dashur të Perëndisë që po largohet nga kjo jetë recitalin e këtyre fjalëve përmbyllëse? I dashur të Zotit, i dashur të Zotit, çfarë mundësie e bekuar për ta lënë gjithë peshën e shpirtit tënd, me të gjitha mëkatet dhe pikëllimet, mbi veprën e përfunduar të Jezusit, Shpëtimtarit tënd të Plotfuqishëm, Perëndisë dhe Shpengimtarit tënd! Borxhi i madh është anuluar. Drejtësia nuk kërkon shpagim të dytë, të parin nga Garantuesi yt dhe të dytin nga ty. Jo, drejtësia vetë është në anën tënde; çdo përsosmëri e Perëndisë është si një mur zjarri përreth teje. Ti je i plotë në drejtësinë e Perëndisë së mishëruar, Gjaku i Jezus Krishtit, Vetë Birit të Atit, të pastron nga çdo mëkat.
Tani e dallon se mangësitë e tua, shkeljet e tua, rrëshqitjet e tua dhe rrëzimet e tua kanë qenë të shumta e të mëdha; tani mëkatin e sheh si kurrë më parë; ndjesia e padenjësisë të bën të përkulesh më pranë tokës. Kush është duke pritur me padurim të shohë fillesat e para të pikëllimit të perëndishëm në zemrën e plëngprishësit? Kush e mirëpret kthimin e tij me gëzim, me muzikë, me nderime? Zemra e Kujt nuk ka pushuar së dashuri, sytë e Kujt nuk kanë pushuar të shohin drejt horizontit përgjatë gjithë shthurjes dhe endjeve të atij fëmije? Ah, ky është Ati! “Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.”
Shikoje Perëndinë tënd, Atin dhe Perëndinë tënd të besëlidhjes në Krishtin Jezus! Ky Atë i pajtuar është Ati yt. Lëshohu në krahët e Tij dhe Ai do të të përqafojë. Ai do ta vulosë sërish në zemrën tënde ndjesinë e faljes dhe dashurisë së Tij falëse. Qielli është përpara teje. Shumë shpejt do të çlirohesh, tërësisht dhe përjetësisht, nga të gjitha mbetjet e mëkatit. Shumë shpejt psherëtima e fundit do të dalë prej kraharorit tënd, loti i fundit do të rrjedhë prej syrit tënd dhe gulçimi i fundit do të ta tundë trupin. Shpejt, ah, shumë shpejt do të “shohësh Mbretin në bukurinë e Tij”, Jezusin që të deshi, që vdiq për ty, që të shpengoi e që ende të do! Shumë shpejt do të biesh tek këmbët e Tij, do të ngrihesh në krahët e Tij dhe do të sillesh të prehesh në gjirin e Tij.
Shumë shpejt do të jesh një shpirt i lumtur dhe i pastër mes patriarkëve dhe profetëve, mes apostujve dhe martirëve dhe mes gjithë atyre që flenë në Jezusin, të cilët kanë shkuar pak para teje. Shiko si janë radhitur në bregun matanë dhe janë gati të të mirëpresin! Shih si të thërrasin të shkosh! Mbi të gjitha, më e ëmbla dhe më e lavdishmja nga të gjitha, shiko Jezusin që qëndron në të djathtën e Perëndisë, gati të të pranojë Ai Vetë! Jezusi ka shkuar përpara për t’u bërë gati për përlëvdimin e kishës së Tij. “Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.”
Oh, sa fjalë të ëmbla! Një vend i përgatitur, një banesë e veçantë për çdo besimtar! “Në shtëpinë e Atit Tim ka shumë banesa.” Një banesë në zemrën e Tij, një banesë në mbretërinë e Tij, një banesë në shtëpinë e Tij edhe për foshnjën më të dobët në Krishtin. Pararendësi ynë ka hyrë për ne, Vetë Jezusi! Sa i sigurt është qielli! Sa e sigurt është lumturia e përjetshme e çdo shpirti të falur e të drejtësuar!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









