Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mendime MëngjesiShembull

Mendime Mëngjesi

DITA 33 NGA 366

2 Shkurt

I Cili e përshkoi vendin duke bërë mirë.

Veprat 10:38

Do të përpiqem me shumë zell që t’ia ngulis në mendje lexuesit atë që Henri Martin e quajti “kënaqësia e të bërit mirë”. Pas përbashkësisë së drejtpërdrejtë me Perëndinë, burimi më i lartë e më i pastër i kënaqësisë që është hapur për ne mbi tokë gjendet në shprehjen e simpatisë njerëzore, në ushtrimin e bamirësisë së krishterë. Asnjë kënaqësi egoiste nuk ka sjellë ndonjëherë në zemër paqen, gëzimin dhe lumturinë që ka sjellë edhe një akt i vetëm mirësie ndaj tjetrit. Perëndia lumturon në ushtrimin e dashurisë së Tij të pakufishme. Engjëjt lumturojnë në përmbushjen e misionit të tyre bamirës dhe njeriu lumturon kur ndjenjat dhe dhembshuritë e tij shkojnë në kërkim të objekteve mbi të cilët të vendosen. Oh, çfarë kënaqësie është të largosh një pikëllim nga zemra, një rrudhë nga balli, një lot nga syri! Në të jetuarit për të mirën e të tjerëve, veçanërisht kur kërkon lumturinë e tyre frymore dhe të përjetshme, gjejmë një mjet të fuqishëm për nxitjen e perëndishmërisë jetësore në shpirtrat tanë. Feja e shumë prej popullit të Zotit është e sëmurë dhe e dobët, e ftohtë dhe e zymtë, thjesht për shkak se është tepër egoiste. A dëshirojnë të jenë më të zellshëm në shpirtrat e tyre? A dëshirojnë të përjetojnë më shumë në jetën hyjnore? A dëshirojnë të luftojnë me më tepër sukses frikën dhe dyshimet e shumta që i sulmojnë? A dëshirojnë të kenë një fe më të lumtur e më të gëzueshme, duke ecur më tepër në dritën e fytyrës së Zotit? Le të çohen, pra, dhe t’i futen punës në vreshtin e Zotit. Le të kërkojnë konvertimin e mëkatarëve të humbur, ngushëllimin e shenjtorëve të varfër, lehtësimin e mjerimit njerëzor në disa prej formave të tij të shumta dhe, kështu, njësoj si Mësuesi i tyre, do të bëjnë të mirën dhe do të jenë të përmbushur në përjetimin e lumtur të premtimit të çmuar për shpirtin e tyre: “Ti i del para atij që kënaqet në zbatimin e drejtësisë dhe kujtohet për Ty në rrugët e Tua.”.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Mendime Mëngjesi

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al