Mendime MëngjesiShembull

27 Janar
Në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja.
1 e Korintasve15:17
Këtu kemi provën e madhe të përsosmërisë dhe pranimit të flijimit të Tij. Vepra shlyese e Jezusit ishte në vetvete e përsosur dhe e plotë. Ishte gjithçka që Perëndia kërkonte, gjithçka që i duhej kishës dhe gjithë sa kërkonte ligji dhe drejtësia. Megjithatë, mungonte një provë që kjo vepër ishte pranuar prej Perëndisë dhe se ishte e kënaqshme për drejtësinë hyjnore. Në kryq, Ai kishte shqiptuar klithmën e mrekullueshme që përhapi ngazëllim në mbarë qiejt dhe lebetitje mes për mes ferrit: “U krye.”. Por, ja, Ai vdiq! Kapiteni i shpëtimit tonë u mposht! Fitimtari i premtuar u rrëzua! Ai u shtri në varr! Guri e mbylli brenda! Toka e burgosi! Çfarë prove kemi tani se Ai ishte më tepër se një i vdekshëm? Çfarë prove kemi se Ai ishte Perëndi? Çfarë vule hyjnore është vendosur mbi kartën madhështore të shpengimit? Çfarë garancie kemi se është plotësuar? Çfarë sigurie kemi kundër gjëmimit të lartë të ligjit dhe flakëve shkrumbuese të drejtësisë së zemërimit të një Perëndie të fyer dhe prej dënimit që po vjen? Me pak fjalë, si mund ta dimë se të gjitha përsosmëritë hyjnore janë harmonizuar në shpëtimin tonë dhe se “kushdo që beson në Jezusin nuk do të humbasë, por do të ketë jetë të përjetshme”? Shikoni, Ati e ringjalli Jezusin prej së vdekuri! Kjo është prova, kjo është vula, kjo është garancia, kjo është siguria. Nuk ka pse të kërkojmë për më tepër. Kjo gjë kënaq Perëndinë e na kënaq edhe ne. Në atë çast, u mblodhën të gjitha gjallesat e krijuara që të dëshmonin vulën e madhe dhe përfundimtare që u vendos mbi veprën e përsosur të shpengimit; ndërsa çdo sy ishte fiksuar mbi varrin që dorëzohej, Ati, në atë veprim marramendës të pushtetit dhe dashurisë së Tij kumboi zërin e Tij solemn: “Ky është Biri Im i dashur, në të Cilin jam i kënaqur dhe në veprën e të Cilit jam plotësisht i kënaqur.”. Oh, çfarë madhështie që e mbështillte tashmë trupin e ringjallur të Perëndisë së mishëruar! Kurrë nuk ishte shfaqur në mënyrë të tillë si Shpëtimtar, kurrë nuk ishte shfaqur Shpengimtar në mënyrë aq të shkëlqyeshme, kurrë nuk ishte shfaqur në mënyrë aq të përsosur si Ndërmjetës dhe Avokat sa në atë çast, i vulosur prej Perëndisë Ath, i ringjallur prej Perëndisë Frymë e duke shkëlqyer me rrezet e lavdisë së Tij hyjnore.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









