Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mendime MëngjesiShembull

Mendime Mëngjesi

DITA 20 NGA 366

20 Janar

Kemi pjesë në trashëgiminë e shenjtorëve në dritë.

Kolosianëve1:12

Shenjtorët e përlëvduar janë “shenjtorët në dritë”. Fytyra e Atit nuk është më e mbuluar, nuk ka më “ecje në errësirë pa asnjë dritë”, nuk ka më vajtim për braktisjet Hyjnore, nuk ka ndërprerje të përjetimit të dashurisë së Atit, nuk ka më lot që ua turbullojnë sytë, nuk ka më re mosbesimi të cilat ua errësojnë mendjen, nuk ka më dëshpërim moral që t’ua mbështjellë shpirtin; tashmë i kanë lënë pas tyre zymtësinë, mjegullën, errësirën e paditurisë, gabimin dhe ndotjen dhe kanë arritur në viset e dritës, në “trashëgiminë e shenjtorëve” për të cilën “drita e të cilës është Qengji”.

Por, le të vëzhgojmë se, për këta shenjtorë të përlëvduar, thuhet se janë “pjesëmarrës të trashëgimisë”. Në këtë fjalë, ka diçka shumë simpatizuese. Ne jemi tani “pjesëmarrës” të kësaj gjëje në Krishtin, Kreun tonë. Si rrjedhojë e bashkimit tonë me Krishtin, Kreun e lartësuar të Kishës, tani jemi “pjesëmarrës” të kësaj trashëgimie. Kemi përjetimet e para të kësaj gjëje në shpirtin tonë; kemi parashijimin e saj, si edhe kemi gjënë më të mirë: kemi brendabanimin e Frymës, i Cili është kapari i zotërimit të saj dhe, nëse kemi “kaparin” e trashëgimisë në zotërimin e Frymës, duhet ta kemi dhe me siguri do ta kemi edhe vetë trashëgiminë.

“Pjesëmarrës të trashëgimisë së shenjtorëve në dritë.” “Pjesëmarrës” me të gjithë shenjtorët e Perëndisë; “pjesëmarrës” me gjithë familjen e të zgjedhurve; “pjesëmarrës” me të gjithë fëmijët e birësimit; “pjesëmarrës” me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin, me Davidin dhe Solomonin dhe me të gjithë ata që kanë shkuar para nesh, me të gjithë ata që kanë hyrë në qiell para nesh; “pjesëmarrës” me të gjithë “të shpenguarit e ZOTIT”, të cilët “do të vijnë në Sion me këngë, me gëzim të përjetshëm që kurorëzon kokat e tyre, për të marrë gëzimin dhe ngazëllimin pasi pikëllimi dhe psherëtimat e tyre të jenë zhdukur përjetë!”. Oh, kush nuk do të jetë “pjesëmarrës i trashëgimisë së shenjtorëve në dritë”? Lexues, nëse je zotërues i përulur i jetës së brendshme, ke për të qenë pjesëmarrës i lumtur i kësaj trashëgime të lavdishme, i jetës që do të vijë.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Mendime Mëngjesi

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al