Mendime MëngjesiShembull

18 Janar
I fuqishëm për të shpëtuar.
Isaia 63:1
Le t’i hedhim një vështrim mënyrës së pushtetshme me të cilën Ai kryen veprat e Tij të fuqishme të hirit. Vini re sjelljen e Tij. A kishte ndonjëherë diçka që tregoi vetëdijen e një inferiori, nënshtrimin e një të varuri, dobësinë e një të vdekshmi apo papërsosmërinë e një mëkatari? A nuk shkëlqeu vallë Perëndia përmes njeriut me mahnitje madhështore kur i tha lebrozit: “Dua, qofsh i pastruar”; kur i tha burrit me dorën e tharë: “Shtrije dorën tënde”; kur i tha të verbrit: “Merr dritën e syve”; kur i tha të vdekurit: “Unë po të them: Çohu” dhe kur u tha dallgëve të egërsuara: “Paqe, pusho”? Lexues i dashur, a je besimtar që e përjeton Jezusin? Atëherë, ky Krisht i gjithëpushtetshëm ka në zemër më të mirën për ty. Ai është i gjithëpushtetshëm për të të shpëtuar, i gjithëpushtetshëm për të të mbrojtur, i gjithëpushtetshëm për të të çliruar, i gjithëpushtetshëm për t’i nënshtruar të gjitha paudhësitë e tua, për të të bërë të përulur, të shenjtë e të bindur. E gjithë fuqia qëndron në Të. “Atit në qiell i pëlqeu që në Të” - në Të si Ndërmjetësi i Kishës së Tij - “të banojë e gjithë plotësia.” Nuk ka asnjë prishje të cilën Ai të mos jetë i gjithëpushtetshëm për ta vënë poshtë; nuk ka asnjë tundim që Ai të mos jetë i gjithëpushtetshëm për ta mundur; nuk ka asnjë armik mbi të cilin Ai të mos jetë i gjithëpushtetshëm për të ngadhënjyer; nuk ka asnjë frikë që Ai të mos jetë i gjithëpushtetshëm për ta qetësuar. “Çdo pushtet” është gjuha e Tij ngushëlluese, “çdo pushtet më është dhënë Mua në qiell dhe mbi tokë.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









