Mendime MëngjesiShembull

16 Janar
Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin Tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të Mia, në rast se shkelin statutet e Mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e Mia, Unë do ta dënoj shkeljen e tyre me thupër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura, por nuk do ta heq mirësinë Time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria Ime të jetë e mangët.
Psalmet89:30-33
Dashuria hyjnore disiplinon për shkak se dallon nevojën për korrigjim. Dashuria e Zotit nuk është një ndjenjë e verbër. Ajo sheh gjithçka dhe heton zemrën. Kur është treguar ndonjëherë i verbër Ai ndaj marrëzive të popullit të Tij? Kur i ka injoruar ndonjëherë dashuria e Tij largimet e tyre të mëkatshme? A u tregua Ai i verbër ndaj mosbesimit të Abrahamit? Ai e disiplinoi për atë gjë. A ishte Ai i verbër ndaj mashtrimit të Jakobit? Ai e disiplinoi për atë gjë. A u tregua i verbër ndaj vetëlavdërimit të Hezekias? Ai e disiplinoi për atë gjë. A u tregua i verbër ndaj shkeljes së kurorës dhe vrasjes së kryer nga Davidi? Ai e disiplinoi për atë gjë. A ishte i verbër ndaj idhujtarisë së Solomonit? Ai e disiplinoi për atë gjë. A u tregua i verbër ndaj mosbindjes së Jonas? Ai e disiplinoi për atë gjë. A ishte i verbër ndaj vetëdrejtësisë së Jobit? Ai e korrigjoi për atë gjë. A ishte i verbër ndaj mohimit të Pjetrit? Ai e qortoi për atë gjë. Është mëshirë ndaj nesh të dimë që dashuria i dallon paudhësitë tona, që thuprën që ushtron korrigjimin e mban dashuria dhe jo drejtësia, hiri dhe jo hakmarrja. Fëmijë i disiplinuar i Zotit, mos vallë mendon se Ati yt do të të kishte prekur në ndjenjat e tua më të prekshme dhe në vajtimin tënd më të thellë po të mos e kishte konsideruar vërtet të nevojshme? Po të mos kishte dalluar asnjë paudhësi, asnjë mangësi, asnjë largim, asnjë njollë, ti do të kishe përjetuar “të puthurat e gojës së Tij” në vend të goditjeve të thuprës së Tij. Megjithatë, besoje, sepse Ai e ka shpallur; fshikullimat e thuprës së Tij janë po aq fryt dhe shprehje e dashurisë së Tij sa edhe “të puthurat e gojës së Tij”. “Sepse Zoti disiplinon çdo fëmijë të cilin e do.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Një mori meditimesh nga Octavius Winslow. Ai ishte ndër predikuesit më të shquar ungjillorë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Veprat e tij thellësisht të përqendruara te Krishti shfaqin dashurinë, mençurinë dhe përsosmërinë e Tij baritore. Në këtë vepër klasike devocionale, Winslow ofron nga një meditim për çdo mëngjes të vitit. Me çdo faqe të çmuar që do të lexoni, shpirti juaj do ngazëllehet dhe do të ndizen në të flakët e shenjtërisë që çojnë në dashuri të sinqertë dhe lavdërim për Zotin.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.ngaburimiijetes.al









