YouVersion Logo
Search Icon

Ura për tek EsteriSample

Ura për tek Esteri

DAY 30 OF 57

Ester 4:15-17

Atëherë Esteri urdhëroi t’i përgjigjeshin Mardokeut kështu:

«Shko, mblidh tërë judenjtë që ndodhen në Suza dhe agjëroni për mua; rrini pa ngrënë dhe pa pirë tri ditë, natë e ditë. Edhe unë me vajzat e mia do të agjërojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes».

Mardokeu iku dhe bëri të gjitha gjërat që Esteri kishte urdhëruar.

Qëndrimi i Esterit

Zgjedhja që mbretëresha Ester duhej të bënte ishte shumë e vështirë. Mbase mendimet po vërtiteshin në mendjen e saj: “Do të vazhdoj me jetën time, me lehtësirat që më ofron apo do të përballem me shpatën? A do të mund të vazhdoj me jetën time prej mbretëreshe nëpër darka dhe argëtime apo do t’i jap fund jetës sime si një ushtar që lufton për një çështje të drejtë?”.

Zgjedhja u bë diku gjatë atyre orëve të ankthit. Ajo e kuptoi që ekzistonte një armik, jo vetëm për njerëzit e saj apo për të, por për Vetë Zotin. Ndërsa kjo u bë e qartë, ajo bëri zgjedhjen e saj. Pavarësisht se si do të ishte rezultati përfundimtar për të personalisht, ajo do të sakrifikonte jetën e saj për të bërë gjënë e duhur. Më në fund, ajo ia dha vendimin e saj Mardokeut me fjalët: “... në qoftë se duhet të vdes, do të vdes”.

Mund të ketë situata në jetën tuaj, në të cilat do të përballeni me çaste si ato të Esterit dhe do t’ju duhet të qëndroni fort për gjënë e duhur. Ju e dini që ka fëmijë dhe të rritur që u bëjnë dhe u thonë gjëra të liga të tjerëve. Secilën herë që Perëndia ju vendos në situata të tilla, mbani mend pyetjen e Mardokeut: “Mos vallë Perëndia ka lejuar që ta shikoni apo ta dëgjoni këtë gjë, në mënyrë që të merrni një hap dhe të bëni diçka?”. Ju mund të ngriheni dhe të flisni: “Jam kundër kësaj gjëje! Nuk duhet ta bëni këtë! Ajo që bëre është e gabuar dhe nuk duhet ta bësh më!”.

Mos mendoni: “Epo, çfarë ndryshimi do të sjell unë? Jam thjesht një djalë apo vajzë e re. Askush nuk do të më dëgjojë”. Edhe Esteri mund të ketë luftuar me këtë mendim. Por kur iu dorëzua thirrjes që Perëndia i kishte vendosur përpara, Ai e bekoi. A e shikoni të njëjtën gjë në jetën e Davidit, kur ai u përball me gjigantin Goliath. Tre djemtë e rinj judenj në kohën e Nebukadnetsarit dëgjuan thirrjen: “Përuluni ose digjuni”. Por ata sërish qëndruan të patundur për Perëndinë! Edhe sot, ata janë duke qëndruar në lavdi në qiell, ndërsa figura prej ari dhe mbreti i saj kanë ikur me kohë.

Mbase ju duket sikur ju paralizon frika, kur duhet të mbani një qëndrim për gjënë e duhur. “Çfarë do të mendojnë të tjerët? A do të më pëlqejnë pavarësisht prej kësaj? Po sikur të gjithë të bëhen së bashku kundër meje?” Po, është e frikshme të bësh atë që është e drejtë, nëse të duhet të jesh i vetëm. Por a nuk ka premtuar dhe vërtetuar Perëndia që ata që kanë besim tek Ai nuk do të turpërohen kurrë? Luteri nuk qëndroi i vetëm. Davidi nuk e luftoi Goliathin i vetëm. Esteri nuk hyri në praninë e mbretit vetëm. As ju nuk do të qëndroni të vetëm, nëse i sillni nevojat tuaja tek Perëndia në lutje.

Është e vërtetë, Perëndia nuk ka nevojë për ju. Ai ka njerëz të tjerë të cilët mund t’i përdorë. Nëse Esteri nuk do të kishte mbajtur qëndrimin e duhur, Ai do të kishte sjellë ndihmë prej një burimi tjetër. Por kjo nuk na justifikon që të mos e bëjmë gjënë e duhur, dhe Mardokeu e paralajmëroi Esterin që do të kishte gjykim personal për të, nëse do të përpiqej t’i arratisej thirrjes së Perëndisë.

Prandaj, le të marrim zemër nga shembulli i Esterit. Shkoni përpara Perëndisë në lutje dhe agjërim për nevojën tuaj. Tregojini Zotit që dëshironi të qëndroni të patundur për atë që është e drejtë, por që keni nevojë për përkrahjen e Tij.

Day 29Day 31

About this Plan

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More