YouVersion Logo
Search Icon

Ura për tek EsteriSample

Ura për tek Esteri

DAY 35 OF 57

Ester 5:11-14

Pastaj Hamani u foli atyre për shkëlqimin e pasurive të tij, për numrin e madh të bijve të tij, për të gjitha gjërat me të cilat mbreti e kishte nderuar dhe si e kishte ngritur mbi princat dhe shërbëtorët e mbretit.

Hamani shtoi gjithashtu: «Edhe mbretëresha Ester nuk ka sjellë bashkë me mbretin në banket askënd tjetër veç meje; edhe nesër më ka ftuar ajo bashkë me mbretin.

Por tërë kjo nuk më mjafton, derisa të shoh Mardokeun, judeun, të ulur para portës së mbretit».

Atëherë bashkëshortja e tij Zeresh dhe tërë miqtë e tij i thanë: «Të përgatitet një trekëmbësh i lartë pesëdhjetë kute; nesër në mëngjes i thuaj mbretit që aty të varet Mardokeu; pastaj shko i kënaqur në banket me mbretin». Kjo gjë i pëlqeu Hamanit, që bëri të përgatitet trekëmbëshi.

Krenaria vjen përpara shkatërrimit

Ja ku është! Sapo Hamani shkoi në shtëpi, ai thirri gruan dhe miqtë e tij së bashku. Ai mezi po priste t’u tregonte lajmet e fundit. Sërish, ai ishte ftuar që të darkonte me mbretin me një ftesë të veçantë të mbretëreshës! Ata dëgjuan me durim kukurisjet e tij: “Të gjithë e dinë sa i rëndësishëm jam – përveç judeut, Mardokeut. Ai refuzon të më përulet, kur unë kaloj. Ai ma prish ditën gjithmonë”. Familja e Hamanit dinte se si t’ia nxiste krenarinë. Ai e pranoi me gatishmëri sugjerimin e tyre për varjen e Mardokeut. I tërë qyteti do të shihte se çfarë do t’i ndodhte kujtdo që nuk e nderonte Hamanin! Dhe sërish, Perëndia nuk kishte nevojë për asgjë më shumë se sa një cikërrimë, për të shpërthyer “balonën” e mbushur plot me krenari të Hamanit.

“Balonat” e krenarisë gjenden te secili prej nesh. Krenaria e bëri Adamin, atin tonë, të binte në mëkat. E çoi Absalomin të ndiqte atin e tij, Davidin, duke e dëbuar jashtë vendit të tij (2 Sam. 15). Bëri që Pjetri të mohonte Zotin Jezus (Lu. 22:54-62). Krenaria na verbon ndaj fajeve tona. Gjithashtu, na bën që të dëgjojmë idetë e marra të sugjeruara nga Satani ose miqtë tanë jo të mirë.

Si mund të luftoni kundër krenarisë? Mbani mend që ju jeni “krijesa të Perëndisë”. Sa marrëzi do të ishte që luani të krenohej që është luan dhe jo hardhucë! Jini falënderues për talentet dhe cilësitë që ju ka dhënë Perëndia. Ato nuk ju janë dhënë vetëm për t’i shfaqur, por për t’u përdorur: për të nderuar Krijuesin tuaj dhe për t’u shërbyer të tjerëve. Është e lehtë të ndëshkojmë krenarinë e Hamanit, ndërsa harrojmë që mëkati i Hamanit jeton në zemrat tona! A vini re ndonjëherë se sa të ngjashme janë mendimet tuaja me ato të fjalimit të Hamanit?

Sa ndryshe është Biri i njeriut, Zoti Jezus! Askush nuk pati “talente dhe hir” si Ai. Por sërish, Ai ishte “i butë dhe i përulur në zemër”. Ai i shërbeu Perëndisë dhe kujtdo përreth me dhuntitë e Tij të mësimit dhe shërbesën e Tij të dashurisë.

A luftoni me krenarinë? Silleni te këmbët e Zotit Jezus në lutje dhe mbahuni tek Ai, që të jeni të përulur dhe të vazhdoni ta ushtroni përulësinë.

Day 34Day 36

About this Plan

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More