YouVersion Logo
Search Icon

Ura për tek EsteriSample

Ura për tek Esteri

DAY 29 OF 57

Ester 4:13-14

dhe Mardokeu iu përgjigj Esterit: «Mos mendo se do të shpëtosh vetëm ti nga gjithë judenjtë, sepse ndodhesh në pallatin e mbretit.

Sepse po të jetë se ti hesht në këtë çast, ndihma dhe çlirimi do të vijnë për judenjtë nga një anë tjetër; por ti dhe shtëpia e atit tënd do të shuheni. Përveç kësaj, kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?».

Providenca e Perëndisë

Mardokeu i kujtoi Esterit që asgjë nuk ndodh rastësisht. Shpesh Ai mund të ketë qenë i hutuar për atë që kishte ndodhur në pesë apo gjashtë vitet e fundit. Çfarë ndryshimesh të mrekullueshme kishin ndodhur në jetën e Hadasahut të tij të dashur! Nga të qenët një jetime, ajo u bë mbretëresha e kombit të madh të Persisë!

Asgjë nuk ndodh rastësisht; por pse gjërat që ndodhin shpesh mbeten të fshehta. Mbase ishte pikërisht në këtë kohë, që Mardokeu filloi të mendonte se të gjitha këto ngjarje të mahnitshme ishin pjesë e planit të madh të Perëndisë! Ndaj edhe mesazhi i tij për Esterin ishte i qartë: “Ngrihu dhe fol! Mos qëndro në heshtje! Kush e di, mbase kjo është arsyeja se përse je bërë mbretëreshë – në mënyrë që të përdoresh nga Perëndia për të përmbushur veprën e Tij të shpengimit”.

Rrugët e Perëndisë shpesh janë misterioze, edhe për njerëzit për të cilët lexojmë në Bibël. Jozefi i ri nuk e kuptonte pse duhej të shitej në skllavëri, të hidhej në burg dhe më në fund të bëhej guvernatori më i madh – derisa i pa vëllezërit të tij në nevojë!

Kjo histori e Esterit është për të përforcuar bindjen tuaj që asgjë nuk ndodh jashtë kontrollit të Perëndisë. Asnjë detaj në jetën tuaj nuk është rastësor apo thjesht “fat”. Konkursi persian i bukurisë, pavarësisht sa i gabuar ishte, ndodhte nën kontrollin e Perëndisë.

Ndërsa e lexoni këtë, shumë gjëra po ndodhin në rrethin tuaj ose në botën përreth jush. Ka artikuj gazetash për luftëra, sëmundje, krime, tërmete ose ligje të këqija që janë bërë. Asnjëherë mos harroni që Perëndia i Gjithëpushtetshëm i qiellit dhe tokës qëndron pas të gjitha historive. Perëndia nuk e miraton kurrë të ligën, por sërish, Ai i drejton gjërat e liga në mënyrën që prej tyre të vijnë gjëra të mira. Perëndia sjell mirësi të mahnitshme nga ajo që ne quajmë ligësi.

Mardokeu i kujtoi Esterit thirrjen e saj. Ajo mund të bënte diçka që as ai, dhe as ndonjë jude tjetër nuk do të mund ta bënte kurrë. Pozicioni i saj e bënte të mundur që t’i afrohej mbretit dhe t’i kërkonte të ndryshonte ligjin e tmerrshëm të Hamanit.

Historia është plot me shembuj të njerëzve, që Perëndia i përdori të sillnin një ndryshim. Le të sjellim në kujtesë Martin Luterin, për shembull. Guximi i tij për të qëndruar i patundur për të vërtetën e Perëndisë ishte një bekim i madh për të gjithë botën përmes Reformacionit. Mendoni për kurajën e Danielit për të qëndruar i patundur për të drejtën. Tre të tjerët iu bashkuan. Si rezultat, të gjithë njerëzit në botë u urdhëruan ta adhuronin Perëndinë e vërtetë. Së shpejti do të lexojmë për veprimin e vetëm të Esterit dhe për atë që bëri Perëndia përmes këtij veprimi për shpengimin e judenjve.

Asnjëherë mos e vini në dyshim praninë e dorës së Perëndisë në çdo detaj të jetës suaj. Besojini Atij që ka një qëllim të urtë për çdo gjë që bën apo lejon. Ai nuk pret që ju të kuptoni qëllimin e Tij, por ju kërkon t’i besoni. Kjo mund të duket e pamundur, sepse çdo aspekt i jetës suaj duket sikur bashkëvepron kundër jush. Perëndia shpesh mund të veprojë përmes të pamundurës. Duke e shikuar sërish më vonë, ju mund të kuptoni çfarë ka bërë Ai dhe ta adhuroni Atë.

Edhe nëse duhet të qëndroni i vetëm kundër një ligësie të madhe, kujtoni Esterin.

Day 28Day 30

About this Plan

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More