YouVersion Logo
Search Icon

Ura për tek EsteriSample

Ura për tek Esteri

DAY 31 OF 57

Ester 4:16-17

«Shko, mblidh tërë judenjtë që ndodhen në Suza dhe agjëroni për mua; rrini pa ngrënë dhe pa pirë tri ditë, natë e ditë. Edhe unë me vajzat e mia do të agjërojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes».

Mardokeu iku dhe bëri të gjitha gjërat që Esteri kishte urdhëruar.

Frika e Esterit nga vdekja

Le të ndalemi edhe një herë te këto vargje. Esteri kishte frikë ta takonte mbretin. Ekzistonte një ligj që e ndalonte atë të hynte në praninë e mbretit pa një ftesë – dhe ajo nuk kishte pasur një ftesë të tillë prej tij gjatë tridhjetë ditëve të fundit. Kjo pasqyron një të vërtetë që ia vlen të merret parasysh. Edhe Perëndia ka ligjin e Tij. Në ligjin e Tij Ai thekson që ata që nuk i binden, meritojnë të vdesin.

A ndiheni ndonjëherë të dënuar prej mëkateve tuaja? Jo vetëm të trishtuar për shkak të dënimit, por të trishtuar për të keqen që keni bërë? Është e lehtë të ndiheni të turpëruar kur kapeni duke bërë diçka të gabuar, por është ndryshe kur ndiheni të turpëruar, sepse në fakt keni bërë diçka të gabuar. Mbase ndiheni të frikësuar kur mendoni dhe merrni parasysh mëkatet tuaja. Mëkati gjithmonë sjell shqetësim dhe hidhërim. Madje mund t’jua bëjë të vështirë gjumin e natës ose t’jua prishë atë me ëndrra shqetësuese. Të menduarit për faktin që Perëndia i shikon të gjitha gjërat, nuk është një gjë shumë e rehatshme në ato çaste. Do të dëshironit të mos e takonit Atë, sepse e dini që Ai nuk është i kënaqur me ju.

Oh, po sikur të vdisnit tani? E ndieni në zemrën tuaj që ligji i Perëndisë është kundër jush. A do të bënte gabim Perëndia nëse do t’ju ndëshkonte? A e kuptoni që meritoni të vdisni dhe që nuk jeni të denjë për asgjë?

Në shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës, kur djali i ri, shkapërdar dhe i pabindur u kthye tek ati i tij, ai e dinte që nuk meritonte që të pranohej sërish si bir. Nëse ati i tij do të kishte thënë: “Nuk dua të të shoh më kurrë!”, ai do të kishte thënë: “Po, atë, e meritoj këtë gjë”.

Të pranuarit me gatishmëri që meritoni ndëshkimin e drejtë të Perëndisë, është një fitore e madhe e Frymës së Tij në zemrën tuaj. Kjo nuk është diçka që do të arrinit ta bënit, përveçse nëse Perëndia nënshtron vullnetin tuaj kokëfortë. Ne luftojmë dhe hedhim shkelma si një fëmijë i vogël, i cili ka nevojë për një ndëshkim.

Por mesazhi i mrekullueshëm i Biblës është që, Perëndia është Perëndi i hirit. Hiri është mirësia e Perëndisë ndaj mëkatarëve, mirësi plotësisht e pamerituar. Nuk ka asgjë më të bukur se sa gatishmëria e Perëndisë për t’ua treguar këtë hir mëkatarëve. Është si një dritë e madhe në mesin e errësirës. Kjo është një dritë që Perëndia e bën të shkëlqejë për të na tërhequr pranë Vetes dhe për të hequr tej frikën që na pengon të kthehemi tek Ai.

Një herë lexova një histori për një djalë, i cili ishte i frikësuar të kthehej në shtëpi te prindërit e tij. Si një djalë rebel, ai ishte larguar nga ata dhe kishte bredhur botën, pa e vrarë aspak mendjen për t’u treguar se ku ndodhej. Vite më vonë, ai u pendua dhe dëshironte që të shkonte në shtëpi për t’i rregulluar gjërat. Ai nuk e dinte nëse do të ishte i mirëpritur, ndaj u shkroi prindërve dhe u kërkoi që të varnin një çarçaf të bardhë në telat e rrobave, nëse ai do të ishte i mirëpritur. Po çfarë pa kur erdhi dita e caktuar? Kishte çarçafë të bardhë në të gjithë telat e rrobave kudo në oborr, në shkurre, në oborrin e fqinjit, madje edhe në çati. Duhet të ketë filluar të qante kur pa se sa i mirëpritur ishte.

Jezu Krishti është “çarçafi i bardhë” i Atit Perëndi që varet nga qielli. Asnjëherë mos kini frikë të ktheheni tek Ai.

Day 30Day 32

About this Plan

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More