Ura për tek EsteriSample

Ester 5:5b-10
Kështu mbreti dhe Hamani shkuan në banketin që Esteri kishte përgatitur.
Ndërsa po shërbehej vera gjatë banketit, mbreti i tha Esterit: «Cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet. Çfarë kërkon? Qoftë edhe gjysma e mbretërisë sime, do të bëhet».
Esteri u përgjigj dhe tha: «Ja, kërkesa ime dhe ajo që po kërkoj:
Në qoftë se kam gjetur hir në sytë e mbretit dhe në qoftë se mbretit i pëlqen të plotësojë kërkesën time dhe të më japë atë që kërkoj, le të vijë mbreti me Hamanin në banketin që unë do t’u përgatis atyre, dhe nesër kam për të bërë ashtu si ka thënë mbreti».
Atë ditë Hamani doli gjithë qejf dhe me zemër të kënaqur, por kur Hamani pa në portën e mbretit Mardokeun që as ngrihej, as lëvizte para tij, u zemërua shumë me të.
Megjithatë Hamani e mbajti veten, shkoi në shtëpi dhe dërgoi të thërrasin miqtë e tij dhe Zereshin, bashkëshorten e tij.
Lutja plot pritje
Ndonjëherë detaje shumë të vogla në Bibël zbulojnë shumë gjëra. Është e lehtë t’i kalosh disa fjalë, të cilat zbulojnë diçka shumë të rëndësishme. “... por kur Hamani pa në portën e mbretit Mardokeun ...” Çfarë na tregon ky fakt? Mardokeu qe kthyer te porta e mbretit – kishte hequr thesin te tij, kishte veshur rrobat e tij të zakonshme dhe i ishte rikthyer punës. Pse e bëri këtë gjë? Asgjë nuk kishte ndryshuar akoma. Data e vrasjeve masive ishte ende në kalendarin e mbretit.
Edhe pse kjo ishte e vërtetë, kishte edhe diçka tjetër po ashtu të vërtetë. Shumë lutje dhe përgjërime ishin bërë përpara fronit të Perëndisë. Judenjtë e kishin përulur veten përpara Perëndisë dhe i kishin kërkuar shpengim. Mardokeu u besoi premtimeve të Perëndisë: “Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më përlëvdosh” (Psa. 50:15). Duke veshur rrobat e tij të zakonshme dhe duke marrë vendin e tij normal tek porta e mbretit, ai po tregonte se priste që Perëndia t’u përgjigjej lutjeve të tyre.
A prisni që Perëndia t’u përgjigjet lutjeve tuaja? Vite më parë u organizua një takim lutjeje në një fshat. Po bëheshin lutje që të binte shi, sepse nuk kishte rënë për muaj të tërë. Ndërsa njerëzit e fshatit ecnin drejt kishës, një vajzë e vogël po mbante një çadër. Kur e pyetën se cila qe arsyeja që po mbante çadrën e saj, ajo u përgjigj: “Sepse jemi duke i kërkuar Perëndisë shi!”. Përfundimi i bukur i kësaj historie është që, atë mbrëmje asaj iu nevojit çadra e vet.
Perëndia fyhet kur lutemi pa pasur pritjen që Ai do t’i përgjigjet lutjes sonë me hir. Ai mund t’u përgjigjet lutjeve tona në mënyra dhe kohëra të ndryshme prej atyre që ne mendojmë. Por Ai ka premtuar që do t’i përgjigjet lutjes. Ai nuk përgjigjet sepse ne lutemi kaq bukur ose sepse jemi të përulur, por sepse Ai e ka premtuar këtë gjë në hirin dhe mëshirën e Tij.
Luteri një herë tha: “Lutja nuk është përpjekje për të tejkaluar mungesën e gatishmërisë së Perëndisë. Është të kapesh pas gatishmërisë së Perëndisë”. Zoti Vetë tha: “... hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush” (Psa. 81:10). Ja pse priste Mardokeu. A prisni që Perëndia t’u përgjigjet lutjeve tuaja? Nëse jo, rrëfejeni si mëkat dhe kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë që të luteni me besim.
Scripture
About this Plan

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More