YouVersion Logo
Search Icon

Ura për tek EsteriSample

Ura për tek Esteri

DAY 32 OF 57

Ester 5:1

Ditën e tretë, Esteri veshi rrobën mbretërore dhe u paraqit në oborrin e brendshëm të pallatit të mbretit, përballë apartamentit të mbretit. Mbreti ishte ulur mbi fronin mbretëror në pallatin mbretëror, përballë hyrjes së pallatit.

Lutja dhe agjërimi

Kemi vetëm një varg për të lexuar! Në fakt po, por mes vargut të fundit të kapitullit të katërt dhe këtij vargu, ndodhën gjëra të rëndësishme. Kaluan tri ditë që prej momentit kur Esteri vendosi të qëndronte e patundur për të drejtën dhe mori vendimin e guximshëm të shkonte te mbreti, për t’i kërkuar atij të shpëtonte popullin e saj.

Esteri duhet të ketë pasur frikë, kur mendoi për veprimin jetëkërcënues që po ndërmerrte. Por ajo i çoi frikërat e saj te Zoti dhe gjeti strehë tek Ai. Ajo gjithashtu i kishte kërkuar çdo judeu në Suza, që t’i bashkohej asaj në tri ditë agjërim.

Edhe pse nuk është e shkruar, agjërimi shoqërohet gjithmonë me lutje. Judenjtë nuk ndaluan së ngrëni pa pasur një qëllim ose vetëm me qëllimin që të binin në peshë. Ata agjëruan për një arsye frymërore. Kur ngjarje të rrezikshme apo jetëkërcënuese u afroheshin ose kur duhej të merrej një vendim kritik, apo kur njerëzit ndiheshin të rënduar nga mëkatet e tyre, ata i shtonin agjërimin klithmave të tyre drejt Perëndisë. Nuk ishte një kohë kënaqësie dhe feste, por një kohë për lutje dhe agjërim. Të gjitha orët që ata normalisht do t’i kalonin për të përgatitur vaktet, për të ngrënë dhe për të pastruar enët e tyre, tani ia kishin përkushtuar lutjes.

Mos e mendoni agjërimin si përfitim! Ata nuk ishin duke thënë: “Shiko, Perëndi, tani jemi duke agjëruar, kështu që meritojmë një përgjigje të mirë!”. Agjërimi iu shtua lutjes për të treguar sinqeritet. Nëse nuk hani ose nuk pini për një periudhë të gjatë, do të vuani. Do të ndiheni të dobët dhe të uritur. Trupi juaj do të ndiejë dhembje për ushqim dhe pije. Por duke i mohuar trupit të tyre ushqimin dhe pijen, judenjtë i treguan Perëndisë sa të mëdha ishin nevojat dhe pikëllimi i tyre, dhe se sa të rënduar ishin.

Esteri, shërbëtoret e saj, si dhe të gjithë judenjtë kaluan aq kohë sa ishte e mundur në pritje përpara Perëndisë. Unë them “duke pritur”, sepse ajo është fjala që Bibla e përdor shpesh për të përshkruar lutjen. Ashtu si Esteri, e cila së shpejti do të priste përpara fronit të burrit të vet, tani ajo, shërbëtoret e saj dhe të gjithë judenjtë në qytet po prisnin përpara fronit të Perëndisë.

Ata ia treguan frikërat dhe telashet Perëndisë, dhe i kërkuan t’i ndihmonte në të gjitha nevojat e tyre. Ata iu përgjëruan për mëshirë dhe hir. Kërkuan që Esteri të kishte guxim. Ata iu përgjëruan Perëndisë të kursente jetën e saj dhe të ndryshonte zemrën e mbretit. A i ndihmoi? Do ta shohim më pas të gjithë përgjigjen. Por tashmë, në këtë pasazh shohim që Esteri pati guximin ta vendoste jetën e saj në rrezik të madh përpara mbretit Asuero. Asaj i ishte dhënë forcë për ta bërë këtë gjë, dhe kjo ishte tashmë përgjigjja e Perëndisë ndaj lutjeve të tyre. Perëndia ka premtuar se ata që presin në Të (si Esteri), nuk do t’i besojnë kurrë më kot (për asgjë). Ai tha: “por ata që shpresojnë te ZOTI fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur” (Isa. 40:31).

A po i çoni nevojat tuaja te Perëndia në lutje? Mbase ndiheni të frikësuar që të mbani qëndrimin e duhur ndaj veprimeve mëkatare të njerëzve përreth jush. Mbase ju duket e pamundur t’i bindeni Fjalës së Perëndisë. Vazhdoni të luteni. Perëndia nuk do t’ju zhgënjejë asnjëherë, kur prisni në Të duke u lutur dhe duke agjëruar.

Day 31Day 33

About this Plan

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More