Nga Boshllëku në Plotësi - Zbulo Jezusin!Shembull

Kush do të më drejtojë mua?
Vetëm ai që e njeh rrugën dhe destinacionin tim.
Kjo është e rëndësishme. Sepse disa herë je në udhëkryq dhe nuk e di cila rrugë është e duhura. Por, Jezusi e di cila është rruga e duhur për në qiell, sepse e di që çdo njeri dëshiron të jetojë përjetësisht në qiellin e përsosur me Perëndinë Atë. Ai tha…
Gjoni 14:2' Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t'ju thosha. Unë po shkoj t'ju përgatis një vend.'
Jezusi ka qenë para nesh në qiell. Ka kuptimin kur dikush shkon përpara në betejë, para se të vijë ushtria, shkon shikon territorin dhe gjendjen së pari. Këtë ka bërë Jezusi për ne; pasi u ringjall dhe u ngjit në qiell, Ai shkoi para nesh për të përgatitur një vend për ne, për ty.
Gjoni 14:3 thotë 'Dhe kur të shkoj e t'ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.'
Por Jezusi erdhi për të na dhënë drejtim, për të na dhënë jetë. Te Gjoni 10:10 lexojmë 'Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.'
E di kush ka jetë me bollëk, jetë të plotë? Ai që e di se KU po shkon dhe e di SI do të shkojë atje. Kur e di që e shkuara e tij është e falur, e tashmja ka qëllim dhe e ardhmja është e siguruar.
Kush do të të drejtojë ty? Thomai i tha Jezusit: ''Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?'' Jezusi i tha: ''Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.'
Për të shkuar në qiell ka vetëm një rrugë. Dhe më e bukura, rruga nuk ka qorrsokake, nuk ka kthesa, nuk ka shumë kryqëzime. Jezusi tha: "Eja pas meje, unë do ta tregoj rrugën për te Ati." Dhe rruga nuk është rrugë fizike, Rruga është një person, është Jezusi.
Jezusi nuk të tregon rrugën, "Ja ku e ke, ndiq atë drejtim atje matanë." Jo, Ai thotë:"Rruga është duke pasur marrëdhënie, miqësi personale me Mua." Kështu shkohet në qiell, duke pasur marrëdhënie personale me Jezusin.
Prandaj disa herë, nuk ka sens toleranca fetare. Sepse Jezusi e ka bërë të thjeshtë dhe e ka thënë në numrin njëjës. Nuk ka thënë,"të gjithë janë të mirë, hajt se të gjithë në qiell do të shkojnë." Toleranca fetare është e nevojshme për të respektuar bindjet e dikujt, por jo për rënë dakord me to. Një fije e hollë i ndan.“E respektoj atë që mendon dhe beson ti. Por unë për vete e di rrugën, unë e njoh rrugën, dhe është vetëm NJË rrugë.”
Dhe kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërkohë që kultura jonë po anon si kultura perëndimore, që të gjithë kanë të drejtë, të gjithë e dinë se çfarë po bëjnë. Nuk mund t'i thuash askujt që është kështu dhe pikë. Sepse secili ka mendimin e vet. Mos i ndërhyj tjetrit në rrugën e tij ose po bie në përrua."Jo, kush je ti që gjykon,” “Ore s'po gjykoj, kjo është e vërteta," "Jo, nëse ke këtë mendje, i bie që je imponues, nuk je tolerant, nuk je i kohës."
Duket sikur jetojmë në kulturën gri,“S'ka gjë, e dinë vetë çfarë po bëjnë, mos ndërhy ti, jepu dashuri, mos i kritiko, e marrin personale dhe mërziten.” A nuk duket sikur brezi sotëm nuk pranon më kritika? Të gjithë i dinë të gjitha, kështu që “mos më thuaj mua çfarë është e vërteta.”
Por Jezusi nuk e lë gri, kur vjen puna se si mund të shkosh në qiell. Sepse e tha në numrin njëjës, "Unë Jam Rruga." Pali tha: 'Provoni të gjitha, mbani të mirën. Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.'
Duket e thjeshtë, në fakt është e thjeshtë. Është përmbledhje logjike. Sepse do duket patjetër, a tani a më vonë, se çfarë është e ligë dhe çfarë është e duhura. Jezusi tha: "Hidhi një sy të gjithave, zgjidh atë që është e mirë." Sepse kisha në Selanik po kalonte sprova në lidhje me shumë mësime të rreme. Pali tha:"Ajo që është e rreme duket."
Jezu Krishti ose është Mesia, Biri i Perëndisë së gjallë që u ringjall nga vdekja, ose është mashtrues. Nuk ka diçka të mesme: "Po jo se ishte profet i mirë, po jo se ishte shërues i mirë, po jo se ishte njeri i mirë tek Zoti, po jo se ishte bukëpjekës i mirë, ushqeu mijëra njerëz." Jo, jo, s'ka të mesme. Ai ose është Rruga e vetme, ose është mashtrues i madh.
Ai e vërtetoi këtë, pasi vdiq në kryq dhe pas 3 ditësh u ringjall. Ringjallja e Tij e vërtetoi çdo gjë që Ai kishte thënë se ishte.
Ndjekësit e tij, përveç Gjonit që pati vdekje natyrale kur i erdhi mosha, u vranë, u prenë. Sepse besuan që Jezusi u ringjall, që Ai ishte Rruga. Dhe kështu u quajtën ndjekësit e parë të Jezusit, ndjekësit e Udhës; më vonë u quajtën të krishterë. Por përgjigjen,"A është Jezusi Rruga e vetme?" ose "A është Jezusi mashtrues?" duhet ta japë secili për veten e tij. Çfarë beson ti? A është Jezusi Biri i Perëndisë së Gjallë apo është mashtrues i madh? Nuk ka diçka të mesme kur vjen puna te Jezusi. 'Thomai i tha: ''Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?'' Jezusi i tha: ''Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.'
Shiko sa bukur,"Unë jam rruga, SEPSE Unë jam e vërteta dhe jeta." Nëse Jezusi nuk ishte Perëndia i mishëruar, nëse Ai nuk ishte "Unë Jam-i," si do t'i provonte këto fjalë të mëdha që po thotë?!
Këto nuk janë fjalë në një fushatë elektorale: thuaj fjalë të mëdha, premtime të mëdha, si ta manipulojmë turmën, t’u hedhim hi syve njerëzve derisa të marrim atë që duam, pastaj shohim e bëjmë.
Ai që po i thotë këto fjalë, u del për zot këtyre fjalëve. Ai po thotë:"Unë Jam. Unë jam Mesia i premtuar ndër shekuj, i Zgjedhuri, unë jam Biri i Perëndisë." Këto nuk janë thënie nga një gjuhë e përditshme, janë deklarata të mëdha. Ai që i thotë, ose iu del për zot ose është mashtrues. Ama nëse këto janë të vërteta, i bie që po i besove, fitove; po nuk e besove, humbe.
Një njeri më tha: "Po mirë, po ata që nuk kanë dëgjuar kurrë për ungjillin, për shpëtimin, çfarë do të ndodhë me ta?" E di çfarë? Nëse besojmë te një Perëndi që solli në ekzistencë çdo gjë dhe mban çdo gjë, është e sigurt që një Perëndi i tillë, një Perëndi i dashur dhe i hirshëm do të bëjë të pamundurën për ata persona. Bibla thotë Ai është i drejtë, dhe një Perëndi i drejtë nuk mban anësi.
Por sot, në vend të debatojmë për përjetësinë e atyre që s’kanë dëgjuar për Jezusin, mendo së pari për veten dhe për të afërmit e tu. E di çfarë? Jezusi nuk e çau kokën fare për të qenë politikisht korrekt. Nuk tha fjalët e duhura se mos mërzitej ndonjëri. E di pse? Sepse fjalët që Ai tha te Gjoni 14,"Unë jam Rruga, e Vërteta dhe Jeta," i tha të enjten. Do mundoheshe ti, që të enjten, të flisje me fjalët e duhura, që të mos prekej, ofendohej asnjëri, kur e dije se të dielën do të ringjallesh nga vdekja për t'i vërtetuar këto fjalë që the?
Jezusi tha:"Unë jam," dhe pas tre ditësh e tregoi:"Ja ku jam." Ai tha:"Unë jam Biri që ju çoj te Ati." Madje Ai tha: 'Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë''.'
Hebrenjve 9:27'Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi,'
Ne festojmë kur kujtojmë që do të jemi në qiell me Perëndinë dhe këndojmë këngë për këtë. Por nëse nuk je pajtuar me Perëndinë do të gjykohesh. Fjala "gjyq" është e rëndë edhe këtu në tokë."Jam në gjyq me filamin, me filanen, bobo." Imagjino sa e rëndë është, nëse je në gjyq me Perëndinë. Por kur ke zgjedhur Jezusin, ti ke gjakun e Tij mbi zemrën tënde, si vulë, si kapar, që të kalon nga gjykimi në jetë. Sepse ti ke zgjedhur t’i besosh Atij që është rruga…
Arsyeja pse ti dhe unë nuk e kemi frikë gjykimin e Perëndisë, nuk është se jemi ne të mirë apo sepse kemi bërë punë të mira. Por është sepse njohim birin, ne jemi me birin.
Kur Ati shikon që ti ke birin, Ai do të thotë, "hyr brenda." Kush do të më drejtojë mua? Unë e kam zgjedhur Jezusin. Po ta them ndryshe pyetjen: Kush do të të drejtojë TY? Është vetëm NJË!
Veprat e Apostujve 4:12'Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi''.'
Zoti që të ka krijuar, të ka formuar, të ka dhënë jetë, frymë, është Ai që të njeh dhe e di çfarë është më e mira për ty. Ai është Rruga, e Vërteta dhe Jeta; përveç se nëpërmjet Tij, s'ka rrugë tjetër te Ati.
Ndoshta s’të le egoja, s’të le krenaria, s’mund ta gëlltisësh faktin që ke nevojë për dikë që të shpëtojë. Por ndoshta sot ke kuptuar, se vetëm Ai është rruga. Nëse po, atëherë ngri flamurin e bardhë dhe thuaj:"Perëndi, unë dorëzohem." Sot mund të jetë dita që t’ia japësh jetën Atij.
Ndoshta ti do të bëhesh pjesë e një kishe, sepse ke ardhur mjaftueshëm për vizitë. Ndoshta do të pagëzohesh, sepse zgjodhe t’i besosh Atij. Ndoshta sot ke kuptuar më qartë peshën e fjalëve "Unë Jam Rruga," dhe do të sigurohesh që çdo i afërm i yti e di këtë gjë, njeh Jezusin.
Lutje: Perëndi, faleminderit që më tregon rrugën, faleminderit që ke përgatitur një vend në qiell për mua, faleminderit që vdiqe në kryq dhe u ringjalle të tretën ditë, faleminderit që do të kthesh sërish. Jezus të dua, të besoj dhe dua të jetoj jetën me ty dhe për ty. Amen!
Rreth këtij plani

A ka diçka që mund të të kënaqë dhe të të ngopë plotësisht? Ke ndjerë ndonjëherë atë boshllëkun e pashpjegueshëm—atë ndjenjën se diçka mungon, edhe kur ke gjithçka? Ky plan 8-ditor nuk është thjesht një lexim, por një ftesë për një eksplorim të thellë. Jezusi tha "Unë Jam"—por çfarë nënkuptojnë këto fjalë për jetën tënde? A mund të jetë Ai përgjigja që ke kërkuar gjithë këtë kohë? Dhe mos u habit nëse pas këtyre ditëve, zemra jote do të ketë gjetur diçka që s’e ka gjetur kurrë më parë. A je gati të nisësh këtë udhëtim?
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al