Nga Boshllëku në Plotësi - Zbulo Jezusin!Shembull

Jezusi është Buka e Jetës!
A e ke ndjerë ndonjëherë atë boshllëkun e pashpjegueshëm brenda teje? Ke gjithçka që të duhet, por prapë diçka mungon. Përpiqesh ta mbushësh me sukses, me marrëdhënie, me arritje—por në fund mbetet po ai boshllëk.
Dje po flisnim se si Jezusi ushqeu turmën me 5 bukë dhe 2 peshq. Në fakt, Jezusi po kërkon që turma, të largohet nga mendimi për ushqimin material dhe të fillojë të ushqejë shpirtin e saj. Ata kërkojnë për të ngrënë, dhe Ai u thotë: 'Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse mbi të Ati, domethënë Perëndia, vuri vulën e tij.''' (Gjoni 6:27)
Jezusi e kupton se turma dëshiron vetëm të ngopet, por Ai po prek një uri më të madhe, një uri shpirtërore. Jezusi mund të hidhte bukë nga qielli, siç ndodhi në kohën e Moisiut, por nëse ata vijnë tek Ai vetëm për bukë, do të thotë që ata nuk e kanë njohur fare, dhe po humbasin diçka më të madhe që Jezusi ka për ta.
Kështu që dua ta mbash mend këtë: Kënaqësia vjen kur së pari kupton për çfarë je i uritur, çfarë do që të hash.
A do të zgjedhësh Bukën e Jetës, apo do të zgjedhësh diçka tjetër që të jep një lloj kënaqësie? Ti do të hash atë që do të porosisësh, atë që po të shijon tashmë, atë gjë që të hahet.
Jezusi po lodhet nga një turmë e madhe që vetëm do të marrë diçka nga Ai. Jo se nuk donte t'u jepte apo t'i ndihmonte, sepse gjithmonë e ka bërë dhe gjithmonë e bën. Por Ai e di se nuk është kjo e gjitha. Ai do që të ketë ndjekës. Ai do të ketë njerëz rreth vetes që kanë marrëdhënie, miqësi me Të.
Gjoni 6:34 'Atëherë ata i thanë: ''Zot, na jep gjithmonë atë bukë''.'
Ata akoma s’po e kapin, mendojnë se ky po flet për bukë me peshk. Gjoni 6:35' Dhe Jezusi u tha atyre: ''Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.'
Pyetja personale bëhet: A po e ndjek Jezusin vetëm për të marrë diçka prej Tij, apo po e ndjek sepse ke miqësi me Të?
Kur nuk bie bukë nga qielli, kur gjërat nuk shkojnë siç doje në jetën tënde, aty tregohet sa e fortë është marrëdhënia jote me Jezusin. Si reagon ti kur Perëndia nuk i plotëson gjërat që kërkon, ashtu siç i doje ti? A e ndjek akoma sepse je i lidhur me Të, sepse ke miqësi me Të, sepse ke marrëdhënie me Të?
Apo është lidhje interesi: "S’ka gjë, nuk të kam gjë"?
Gjoni 6:66 ' Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.'
Këtë bëjmë dhe me marrëdhënien tonë me Jezusin ndonjëherë. E duam kur Ai bën gjëra për ne. Por Ai tha: "Në jetë do të keni mundime," dhe kur vijnë mundimet, aty kuptohet sa e thellë është miqësia jote me Jezusin: është një shoqëri e bazuar vetëm në interes, apo një miqësi e thellë, që nuk ka gjë që të ndan nga Ai?
Po sikur një i afërm i yti të sëmuret, djali, babai, mamaja, të sëmuret dhe shtrohet në spital, apo ty të të heqin nga puna? Po sikur të mos i kalosh provimet që ke? A do të lutesh te Jezusi? A do të jetë Ai miku yt akoma?
Disa herë, Perëndia përdor stuhitë e jetës, sprovat e jetës, për të parë se nga çfarë materiali është besimi ynë—a është si kashtë, si dru, apo si metal. A digjet dhe zhduket, apo bëhet më i fortë?
Tek Gjoni 6:67-69 ' Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: ''A doni edhe ju të largoheni?''.'
Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ''Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme. Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë''.'
Lutje:“Perëndi i gjallë, faleminderit që Ti je Buka e Jetës sime. Lutem që pavarësisht çdo gjëje, çdo sprove, çdo stuhie të jetës sime, Ti do të jesh miku im më i mirë. Dua që besimi im të mos lëkundet, por të forcohet. Unë besoj se Ti ke fjalë jete të përjetshme, Jezus. Amen.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

A ka diçka që mund të të kënaqë dhe të të ngopë plotësisht? Ke ndjerë ndonjëherë atë boshllëkun e pashpjegueshëm—atë ndjenjën se diçka mungon, edhe kur ke gjithçka? Ky plan 8-ditor nuk është thjesht një lexim, por një ftesë për një eksplorim të thellë. Jezusi tha "Unë Jam"—por çfarë nënkuptojnë këto fjalë për jetën tënde? A mund të jetë Ai përgjigja që ke kërkuar gjithë këtë kohë? Dhe mos u habit nëse pas këtyre ditëve, zemra jote do të ketë gjetur diçka që s’e ka gjetur kurrë më parë. A je gati të nisësh këtë udhëtim?
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al