Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nga Boshllëku në Plotësi - Zbulo Jezusin!Shembull

Nga Boshllëku në Plotësi -  Zbulo Jezusin!

DITA 4 NGA 8

Unë Jam Drita e Botës!

Për shkak të Jezusit, nuk ka dënim që të prek ty. Tani, e dimë që ekziston një akuzues, ai quhet Satan, djalli, i ligu. Ai është ai që përpiqet të të bëjë të ndihesh keq çdo ditë, çdo ditë.

Është ai zëri në mendjen tënde që të thotë:"Me këto gjëra që bën ti, Perëndia nuk të do më. Eeee, aq shumë ke bërë, Perëndia nuk të fal dot. Me këtë kaos që ke krijuar, nuk ka asgjë që mund ta sjellë në rregull. Nuk mund të përdorë Perëndia asnjëherë dikë si ty, sepse vazhdon të bësh të njëjtin mëkat herë pas here. Ti nuk do gjesh as falje, as dashuri."

Ky është zëri i akuzuesit, nuk është zëri i Shpëtimtarit.

Zëri i Shpëtimtarit thotë:"Unë Jam Drita e Botës. Ai që më ndjek, nuk do të ecë kurrë në errësirë." Jezusi thotë:" As unë nuk të dënoj" , sepse nuk ka dënim për ata që janë në Krishtin Jezus. Sa herë që akuzuesi të kujton të shkuarën tënde, gafat e djeshme, kujtoje atij të ardhmen e tij, që është liqeni i zjarrit:‘ I lig, ç’ke me mëkatet e mia? Ka paguar dikush për to. Ti, si do ia bësh?’

Errësira kurrë nuk e mund dritën.

Tani, a ishte fajtore kjo grua? A e meritonte dënimin? Po, pa dyshim, PO! Por për shkak të dashurisë së Perëndisë, ajo nuk mori dënimin, por mori hirin e Perëndisë. Ajo nuk mori atë që meritonte, por mori atë që kishte nevojë. Edhe ne jemi fajtorë, ti je mëkatar, fajtor para syve të Perëndisë së Shenjtë. Mos e harro këtë. Sepse nëse nuk mendon që je mëkatar, do të mendosh që nuk të duhet Shpëtimtari.

Ligji nxjerr në pah fajin tonë, kurse dashuria e Perëndisë nxjerr në pah hirin e Tij. Si u soll Jezusi me këtë grua? Me të njëjtën mënyrë që do të sillej me secilin prej nesh.

Gjoni 8:11 'Dhe ajo u përgjigj: ''Askush, Zot''. Atëherë Jezusi i tha: ''As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më''.'

Ai i dha liri, një mundësi të re. I tha se ajo nuk duhej të jetonte më në errësirë."Shko tani, je e lirë të jetosh në dritë." I njëjti zë të flet edhe ty: ‘Shko tani, jo më vonë, por tani, sot je i lirë. Nuk ke pse jeton me ne errësirë. Shko tani, je i lirë. Nuk ke pse jeton më ne botën e errët të epshit. Shko tani, je i lirë. Dil tani nga zona e turpit, lëri para Perëndisë gjërat e fshehura që ishin në skutat e zemrës dhe shko tani, i lirë sot, i falur tani, larg dënimit.’

Drita e botës, Jezu Krishti, shkëlqen, dhe kur drita shkëlqen, errësira ikën. Drita nxjerr në pah Shpresën. Drita jep shpresë. Gjoni 8:12' Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: ''Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës''.'

Jezusi thotë:"Ti nuk do të ecësh në errësirë, sepse Unë jam Drita." Çdo gjë ndryshon kur shkëlqen Drita. Nuk ka errësirë në botë që mund t'i rezistojë, qoftë edhe dritës së një qiriu të vogël; edhe një fije shkrepse e ndryshon errësirën më të zezë. Errësira nuk ka fuqi mbi dritën.

Kur vjen te Drita, kur Drita, Jezu Krishti ndriçon jetën tënde, ti merr faljen nga çfarëdo lloj dënimi. Zërat e djallit,“Ti nuk mundesh, nuk ia del dot, nuk ke mjaftueshëm, nuk je mjaftueshëm,” fiken para hirit, para dashurisë së Perëndisë.

Sepse Jezusi thotë:"Unë jam Drita e botës. Kushdo që më ndjek, nuk do të ecë në errësirë." Ligji na tregon që jemi fajtorë, jemi tmerrësisht fajtorë para Perëndisë. Mos e harro këtë, sepse nuk do ta kuptosh se sa nevojë ke për Shpëtimtarin. Dashuria tregon hirin e Perëndisë. Perëndia nuk na jep atë që meritojmë, na jep atë që kemi nevojë.

Drita e Tij na jep Shpresë. Çfarëdo rrëmuje të kesh bërë, sado e errët që të duket situata ku je, Drita e Tij e largon errësirën, hiri i Tij fal fajet, prania e Tij sjell shërim në zemrën e turpëruar dhe të lënduar. Jeta jote nuk ngelet e njëjtë nëse Drita e botës bëhet drita e botës tënde, jetës tënde. Kur ti e ndjek Atë, nuk do të ecësh në errësirë. Shpëtimtari yt është shumë i mirë. Ai është Drita e botës!

Çfarë zonash të jetës tënde janë të errëta dhe kanë nevojë për t'u ndriçuar nga Drita e Jezusit?

  • A ke një mëkat të papërshkruar që të kujtoi Fryma e Perëndisë sot? A ke mendime të pista, të errëta, që do t'i rrëfesh dhe t'i ndriçojë Perëndia?
  • A ke vese, huqe, varësi që do t'i nxjerrësh në dritë sot? Silli para Perëndisë në lutje.

Lutje:“Perëndi, vij para Teje duke pranuar hirin Tënd. Ti e di zonën e errët të jetës sime, Ti e di mëkatin tim, Ti i di ato mendimet epista, të errta. Vij para teje për t’i rrëfyer të gjitha, në mënyrë që Ti t’i ndriçosh, sepse Ti je Drita.Faleminderit që Ti nuk më jep atë që meritoj, por më jep atë që kam nevojë. Amen.”

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Nga Boshllëku në Plotësi -  Zbulo Jezusin!

A ka diçka që mund të të kënaqë dhe të të ngopë plotësisht? Ke ndjerë ndonjëherë atë boshllëkun e pashpjegueshëm—atë ndjenjën se diçka mungon, edhe kur ke gjithçka? Ky plan 8-ditor nuk është thjesht një lexim, por një ftesë për një eksplorim të thellë. Jezusi tha "Unë Jam"—por çfarë nënkuptojnë këto fjalë për jetën tënde? A mund të jetë Ai përgjigja që ke kërkuar gjithë këtë kohë? Dhe mos u habit nëse pas këtyre ditëve, zemra jote do të ketë gjetur diçka që s’e ka gjetur kurrë më parë. A je gati të nisësh këtë udhëtim?

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al