Nga Boshllëku në Plotësi - Zbulo Jezusin!Shembull

Unë jam Rruga!
Kush do të më drejtojë mua?
Te Gjoni kapitulli 14, është momenti nga Darka e Fundit e Jezusit me dishepujt. Ai sapo u ka thënë që do t'i lërë dhe do të largohet. Pastaj ndan diçka shumë të fortë, por edhe shumë fjalë inkurajuese në të njëjtën kohë.
Gjoni 14:1-6' ''Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t'ju thosha. Unë po shkoj t'ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t'ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën''. Thomai i tha: ''Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?'' Jezusi i tha: ''Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.'
A e ke pyetur ndonjëherë veten: "Kush do të më drejtojë mua? A mund ta gjej udhën, rrugën vetëm? Nëse jo, kush mund të më drejtojë në udhën e duhur? "
A nuk thonë sot shumë njerëz në lidhje me jetën e përjetshme:“Ka shumë rrugë drejt qiellit, mos u mundo shumë, veç ki zemrën e mirë, bëj mirë, se do rregullohet kjo punë. Mos njëra rrugë, tjetra do të të çojë në qiell, bëj mirë, sillu mirë, mos i bjer në qafë njeriu, do ta shohë Zoti, se ka Zot.” Por a është e vërtetë? Sepse duket e thjeshtë kështu.
Në fakt, zgjedhja e duhur do të të çojë në qiell, jo rastësia.
Nëse është e vërtetë që të gjitha rrugët në qiell të çojnë, atëherë i bie që nuk ka rëndësi se kë po ndjek. Por nëse në qiell nuk shkon kushdo, atëherë na duhet dikush që e ka idenë, që e ka idenë e hartës, që ka GPS-in e duhur për këtë punë. Na duhet dikush që ka qenë një herë vetë në qiell, erdhi në tokë dhe u kthye prapë në qiell. Dhe ky është Jezusi!
Në fakt, para se të thoshte këtë varg, "Unë jam Rruga", Jezusi tha diçka tjetër për rrugën për në qiell, te Mateu 7:13-14 'Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!'
Prit pak, se Jezusi nuk po thotë të njëjtën gjë siç thonë shumica e njerëzve. Atëherë nuk shkon shumica e njerëzve në qiell. Edhe pse njerëzit kanë krijuar ide të tyre se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe dhe se të gjithë do shkojnë në qiell, nuk është ashtu e vërteta.
Bota i ka përgjigjet në majë të gjuhës për çdo gjë.“Çdo gjë ka ardhur në ekzistencë nga shpërthimi i madh, ne jemi evoluar nga majmuni.” Ose, “Krijoje vetë një ide tënde dhe ndiqe. Ndiq drejtimin tënd. Caktoje vetë se çfarë është e duhura.” Bota do që të të çojë ty nëpër këto rrugë. Bota thërret:"Kjo është mënyra e duhur për t'i bërë gjërat, për të qeverisur, për të bërë këtë e atë." Uni thërret:"Ti je njësh, mos lër njeri të ta kalojë ty. Ti s'ke nevojë për askënd, ti mund t'ia dalësh vetëm, mos lër askënd të të ndryshojë." Solomoni i përmbledh kështu këto ndjenja te Fjalët e Urta 14:12' Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.'
Po kush mund të na drejtojë? Kush do të ishte i duhuri?
Jezusi është i duhuri për të na drejtuar, por nga ana praktike, çfarë përshkrimi, çfarë CV-je duhet të ketë Ai që mund të na drejtojë? Së pari, Ai duhet të jetë…
- Dikush që më frymëzon, inkurajon, ngushëllon.
Kjo do ishte e mirë apo jo, të ndjekësh dikë që të frymëzon, inspiron. Sepse bëhet më e lehtë kur ndjek dikë që ka aftësinë të të këshillojë kur je lënduar, të të frymëzojë kur je i rënë dhe të të japë shpresë kur je i dëshpëruar. Jezusi u dha shumë shpresë ndjekësve të Tij:'''Zemra juaj mos u trondittë; …'
Bëhet e vështirë kur ndjek dikë si model për jetën tënde, që nuk të frymëzon. A të frymëzojnë, inkurajojnë ty fjalët e Jezusit?
2. Dikush tek i cili kam besim.
Ja si tha Jezusi:'''Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!'
Jezusi po u kërkon dishepujve që të kishin besim te Ai. Sepse ti nuk ndjek dot dikë që nuk ke besim. A të ka rastisur të pyesësh dikë që nuk e njeh për një drejtim rruge,“Si shkohet në filan vend?” Dhe ky personi thotë:"Eeee, më duket... eee më duket drejt pas majtas, pastaj djathtas." Ti i thua faleminderit për mirësjellje, por në mendje çfarë po mendon?"Jooo, s'jam i sigurt, më mirë po e kërkoj vetë drejtimin, sesa të ndjek diçka të pasigurt." Nga ana tjetër, kur udhëzimin ta jep dikush që ke besim dhe drejtimi është i qartë, ti nuk e mendon dy herë. Pse? Sepse ke besim te ai.
Pse ke besim te Perëndia? Sepse Ai të njeh shumë mirë. Zoti njeh mendimet e tua, njeh dëshirat, Ai ta di emrin, Ai të ka krijuar. Perëndia të do shumë, Ai njeh çdo detaj të jetës tënde. Prandaj Jezusi i tha Pjetrit:"Ti do të më mohosh mua 3 herë." Po nga e dinte? Sepse Ai e di se çfarë do të vijë, Jezusi e njihte me detaje Pjetrin, ty, mua.
Lutje:“Zot, lutem që Ti të më drejtosh mua. Unë besoj se vetëm Ti je rruga. Ti më frymëzon, inkurajon, ngushëllon. Tek Ti kam besim. Amen.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

A ka diçka që mund të të kënaqë dhe të të ngopë plotësisht? Ke ndjerë ndonjëherë atë boshllëkun e pashpjegueshëm—atë ndjenjën se diçka mungon, edhe kur ke gjithçka? Ky plan 8-ditor nuk është thjesht një lexim, por një ftesë për një eksplorim të thellë. Jezusi tha "Unë Jam"—por çfarë nënkuptojnë këto fjalë për jetën tënde? A mund të jetë Ai përgjigja që ke kërkuar gjithë këtë kohë? Dhe mos u habit nëse pas këtyre ditëve, zemra jote do të ketë gjetur diçka që s’e ka gjetur kurrë më parë. A je gati të nisësh këtë udhëtim?
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al