Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nga Boshllëku në Plotësi - Zbulo Jezusin!Shembull

Nga Boshllëku në Plotësi -  Zbulo Jezusin!

DITA 5 NGA 8

Unë jam bariu i mirë!

Kush do të më dojë mua dhe kush do të më drejtojë mua? Jezusi tha tek Gjoni 10:11:'Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.'

Jezusi e tha këtë sapo kishte shëruar një të verbër dhe fetarët e asaj kohe po e kritikonin. Ky varg duket shumë i bukur: ‘Jezusi është gati të japë jetën për mua! Pse, kaq i çmuar jam unë për Të?’

Kur Jezusi i tha këto vargje, nuk ua tha njerëzve, audiencës që kishte dëshirë ta dëgjonte Jezusin, por po ua thoshte mësuesve të ligjit, rabinjve, farisenjve të asaj kohe. Sepse këta quheshin barinj të Izraelit në këtë kohë. Dhe me këtë kontekst Jezusi u thotë:“Bariu Jam Unë, jo ju! Ju nuk jeni barinj të mirë. ”Atyre u ka ikur truri, sepse ka përdorur tog-fjalëshin ‘Unë Jam’, që do të thotë se Jezusi e barazon veten me Perëndinë.

Por pse iu duhet një bari deleve, pse nuk duhet një bari për dreret ose për ujqërit ose për sorkadhet, apo për një lloj tjetër? Pse delet kanë nevojë për bari?

Shpesh Bibla iu referohet njerëzve, neve, si delet e Tij. Jezusi e thotë shpesh, ‘ delet e Mia, tufa Ime, qengjat e Mi.’

Ja pse delet kanë nevojë për bari:

  • Delet janë kafshë që shikojnë maksimumi deri në 13 metra dhe janë të ndjeshme, tremben kollaj dhe shpërndahen lehtësisht.
  • Ato janë kokëforta, humbasin rrugën shpejt dhe nuk janë shumë të zgjuara, duke mos mundur të mbrojnë veten.
  • Herë pas here delet bien pre e armikut që sulmon dhe dëmton.

Armiku ynë shpirtëror, është djalli, Satani. Ai e urren Perëndinë dhe njerëzit që i besojnë Perëndisë. Qëllimi i tij është për të vjedhur, vrarë dhe për të shkatërruar çdo gjë që ka rëndësi për Perëndinë, çdo gjë që është sipas zemrës së Perëndisë.

Tani duam apo s’duam ta pranojmë ne, në botë ka fuqi të liga që shkatërrojnë gjërat që kanë rëndësi për Perëndinë. Shumë njerëz janë të sëmurë në botë, shumë familje janë të ndara dhe të shkatërruara, shumë martesa janë për faqe të zezë, shumë adoleshentë marrin vendime të gabuara dhe çfarë nuk bëjnë. Rrënja e kësaj është djalli që vjen për të vjedhur dhe për të shkatërruar.

Prandaj na duhet Bariu në jetën tonë, na duhet Jezusi, dhe Ai thotë: “Unë jam Bariu i Mirë.” Ja si thotë Perëndia tek Ezekieli 34:15'"Unë vetë do t'i kullot delet e mia dhe do t'i bëj të pushojnë", thotë Zoti, Zoti.'

E di pse është me të zeza pjesa, ‘do t’i bëj të pushojnë’? Sepse delja nuk pushon dot, nëse nuk e di që është bariu afër, sepse e ndjen ujkun ose rrezikun shumë kollaj dhe përplaset dhe tërbohet, nëse nuk e shikon bariun afër. E njëjta gjë për ne, kur nuk e ndjekim Zotin afër, tensionohemi, acarohemi… Por kur e di që Ati Perëndi, është bariu yt, që kujdeset për ty, tensioni, stresi, ankthi minimizohet.

Ti Ke Një BARI që të Njeh Dhe të Flet. Tek Ungjilli i Gjonit thuhet se, së pari Ai i thërret delet e Tij me emër. Perëndia të njeh me emër. Edhe nëse ndryshon modelin e flokëve, Ai përsëri të njeh me emër. Pavarësisht se mund të dukesh shumë ‘cool’, Ai përsëri të njeh me emër. Pavarësisht se çfarë mund t’i bësh pas disa vitesh fytyrës apo trupit, botox, silikon, tatuazh, pircing, ngjyros flokët me blu apo çfarëdo gjëje, Ai përsëri të njeh me emër. Kjo është shumë e veçantë, sepse mes gjithë njerëzve, Perëndia të njeh ty, di emrin tënd. Është bariu yt. Ai të thërret me emër.

Kur Perëndia të thërret në emër, tregon se ti ke vlerë para Tij, ti je i/e rëndësishme për Të.

Një gjë tjetër shumë të veçantë që kanë delet, është se kanë dëgjim shumë të mprehtë, janë shumë të ndjeshme për ta dëgjuar zërin e bariut. Ti ke një dhunti të dhënë nga Perëndia për të dëgjuar zërin e Tij. Fryma e Shenjtë i flet frymës tonë, i flet personit tonë të brendshëm dhe ti e dëgjon.

Ndoshta po thua,“Unë nuk e njoh zërin e Perëndisë.”Ose po pret ta dëgjosh zërin e Perëndisë, sikur po të thërret dikush:“Hej, ti, eja këtu, shko atje”, si zë njeriu. Nuk po them që Perëndia flet me zë si njeriu dhe dëgjohet siç dëgjojmë njëri-tjetrin. Por Ai na flet me anë të Biblës, Fjalës së Tij dhe kur ti e lexon Biblën çdo ditë, Ai çdo ditë të thotë diçka.

Herë të tjera Perëndia të flet me anë të rrethanave. Të flet me anë të njerëzve të tjerë, të flet me një mesazh profetik. Të flet kur ti dëgjon një predikim. Perëndia mund të të flasë në forma të ndryshme dhe delet që i përkasin Atij, e njohin kur Ai u flet. E dëgjojnë:“Kjo fjalë është nga Perëndia për mua, për jetën time sot.”

Nëse nuk po e dëgjon mire zërin e Perëndisë, këto kohët e fundit, do pastruar veshi nga gjërat që po bëjnë shumë zhurmë rreth e qark teje. Çfarë e ka bllokuar ose çfarë po të shpërqendron që të mos dëgjosh zërin e Perëndisë? Po sikur të agjërosh ndaj diçkaje të tillë?

Kur e lexon Biblën dhe lutesh, fiki zhurmat që të dëgjosh zërin e Tij.

Lutje:“Unë e di që Ti, Perëndi, je bariu im, që kujdesesh për mua. Faleminderit që më njeh, më thërret me emër. Lutem që Ti, Frymë e Shenjtë, t’i flasësh frymës sime dhe unë të të dëgjoj. Më trego se çfarë po më shpërqendron që ta dëgjoj zërin Tënd, dhe më ndihmo të fik çdo gjë për të dëgjuar zërin Tënd. Amen.”

Rreth këtij plani

Nga Boshllëku në Plotësi -  Zbulo Jezusin!

A ka diçka që mund të të kënaqë dhe të të ngopë plotësisht? Ke ndjerë ndonjëherë atë boshllëkun e pashpjegueshëm—atë ndjenjën se diçka mungon, edhe kur ke gjithçka? Ky plan 8-ditor nuk është thjesht një lexim, por një ftesë për një eksplorim të thellë. Jezusi tha "Unë Jam"—por çfarë nënkuptojnë këto fjalë për jetën tënde? A mund të jetë Ai përgjigja që ke kërkuar gjithë këtë kohë? Dhe mos u habit nëse pas këtyre ditëve, zemra jote do të ketë gjetur diçka që s’e ka gjetur kurrë më parë. A je gati të nisësh këtë udhëtim?

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al