Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nga Boshllëku në Plotësi - Zbulo Jezusin!Shembull

Nga Boshllëku në Plotësi -  Zbulo Jezusin!

DITA 3 NGA 8

Unë jam drita e botës!

Sot do të shikojmë një nga deklaratat më frymëzuese të Jezusit, deklaratën që ka fuqinë të ndryshojë jetën. ' Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: ''Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës''.' (Gjoni 8:12)

Ky është një nga vargjet më të fuqishëm që ka Bibla. Nëse ti vendos të ndjekësh Jezusin, nuk do të ecësh kurrë në errësirë, por do të kesh dritën e jetës.

Errësira nuk ekziston, thjesht mungon drita. Nëse ka dritë, nuk ka më errësirë.

Errësira është e frikshme, apo jo? A ke pasur frikë nga errësira kur ishe i vogël? A ke frikë nga errësira tani? Kur ishe i vogël, a e doje shumë atë dritën e vogël të dhomës së gjumit? Sepse kur iknin dritat dhe ishte qetësi e madhe, nga zhurma më e vogël të dukej sikur po shembej vendi dhe dukej sikur rafti i rrobave ishte mbushur plot me fantazma.

Por një dritë e vogël dhome e ndryshonte gjithë atmosferën. Një dritë e vogël, dhe errësira nuk është më aq e frikshme.

Përgjatë gjithë Shkrimit do të gjesh që drita bën kontrast me errësirën. Në fillim të krijimit të botës, Perëndia foli dhe tha: "U bëftë drita." Përgjatë gjithë Biblës, Perëndia është quajtur Dritë, ndërsa kundërshtari i Perëndisë, Satani ose djalli, është quajtur Princi i Errësirës.

Pra, ky është kontrasti i dritës dhe errësirës, mes Perëndisë dhe Satanit.

Kur Jezusi foli me Saulin te Veprat 26:17-18, Ai bëri kontrastin e dritës me errësirën:'duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani, që t'u çelësh sytë atyre dhe t'i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve".'

Po cili ishte konteksti kur Jezusi tha, "Unë jam Drita e botës"?

Ishte pas momentit kur Jezusi e fali gruan që kishte bërë tradhti bashkëshortore. Historia e kësaj gruaje që u kap në flagrancë ndodhet tek libri i Gjonit, kapitulli 8. E shohim në tri dimensione: Ligji, Dashuria, Drita.

1. Ligji

Ligji tregon se ku ke gabuar; ai nxjerr në dukje fajet tona. Ligji është si një pasqyrë që na tregon realitetin e gjendjes sonë, duke na bërë të ndërgjegjshëm për mëkatet që kemi bërë. Farisenjtë donin ta dënonin gruan për mëkatin e saj të madh. Kështu që e tërhoqën zvarrë gruan dhe e sollën aty ku ishte Jezusi.

Për këtë grua, me shumë mundësi ky ka qenë momenti më i errët i jetës së saj – momenti më i turpshëm, më poshtërues. Ajo ishte e ekspozuar, e dënuar dhe e poshtëruar para të gjithëve. Në këto rrethana, Farisenjtë dhe ata që e sollën, i drejtohen Jezusit:"A ta vrasim me gurë, ashtu si thotë Ligji?" Donin ta fusnin në kurth Jezusin. Ajo që po thoshin ata ishte e vërtetë: Sipas Ligjit të Moisiut, ishte shkruar se nëse dikush kapet duke shkelur kurorën, duhet të vritet me gurë jashtë qytetit. Ata po thonin të vërtetën ligjore. Por në fakt, qëllimi i tyre nuk ishte ta vendosnin drejtësi, por ta fusnin Jezusin në një kurth.

Nëse Jezusi do të thoshte: "Po, jepi, vriteni me gurë," Ai do ta humbiste reputacionin e Tij si i dashur dhe i hirshëm.

Nëse do të thoshte: "Jo, jo, jo, mos e vrisni, lëreni këtë herë," atëherë Ai do të pohonte që nuk e kishte problem që ajo kishte mëkatuar, se nuk ishte ndonjë gjë e madhe që ishte thyer Ligji i Moisiut.

Por Jezusi tani do t’i japë një kënd të ri të muhabetit. Megjithatë, mos e harro ku e nisëm. Ligji nxjerr në dukje fajin.

Ne sot jetojmë në një botë ku njerëzit nuk kanë fare dëshirë ta pranojnë që janë fajtorë. U pëlqen kur u thuhet: "Ti je i mirë, ti je i zoti!" Por kur i thuhet: "Ke bërë një gabim, je fajtor," ata nuk e pranojnë. Ne mund të paraqitemi si të mirë përpara të tjerëve, por para syve të Perëndisë nuk mund të fshehim asgjë. Ai e di që ne jemi mëkatarë. Dhe Ligji i Tij e tregon qartë sa shumë kemi mëkatuar.

Ne jemi mëkatarë, ne mëkatojmë. Po, pse është kaq e rëndësishme ta dimë këtë? Sepse, nëse nuk e kuptojmë që kemi mëkatuar, nuk do ta kuptojmë kurrë që kemi nevojë për Shpëtimtarin. Ligji nxjerr në pah fajin e gruas që shkel kurorën. Ligji thotë: "Kjo grua është fajtore." Ligji nxjerr në pah fajin tonë. Ligji thotë se ne jemi fajtorë.

Por lajmi i mirë është që kjo nuk mbaron me Ligjin. Nëse Ligji nxjerr në pah fajin, atëherë…

Dashuria nxjerr në pah hirin e Perëndisë.

Kjo del në pah tek Jezusi, i cili u soll sikur nuk dëgjoi, u përkul dhe shkruante me gisht në dhe. Duket sikur po i injoron pyetjen e tyre, por ata vazhduan ta pyesnin, dhe Ai iu përgjigj:''Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!''.'

Përkthimi original i shprehjes “pa mëkat” ka kuptimin: "Dikush që as nuk ka dashur të mëkatojë."

Jezusi nuk po fokusohet vetëm te sjellja e tyre, por edhe te zemra e tyre. Jezusi po bën diçka shumë të rëndësishme. Sepse Ai kishte përpara vetes një grup hipokritësh që vetëm gjykonin të tjerët, por në sytë e Perëndisë, edhe ata ishin mëkatarë.

Po sikur ta hapje zemrën para Perëndisë së pari? Nëse e hap zemrën para Perëndisë, do të kuptosh që edhe ti je mëkatar. S’ka njeri të përsosur. Por puna është se gabimet e të tjerëve i dallojmë shumë kollaj, ndërsa tonat na duken të vogla ose i neglizhojmë. A e ke vënë re edhe ti këtë fenomen tek vetja jote:“Ueee, shiko atë, more… Iiiiii, çfarë bëri ai!” Ndërkohë, për tonat, jo...“Unë jam i mirë. Kjo që po bëj unë është një gjë e vogël në krahasim me atë që po shohin sytë e mi.”

Jezusi tani merr pamje serioze: pasi u larguan të gjithë, ngeli vetëm gruaja dhe Jezusi. Ai i tha:''As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më''.'

Ja ku është hiri i Perëndisë!

Nëse ti je në errësirë, ka bërë diçka dhe ndihesh i turpëruar, ndien boshllëk për shkak të asaj që ke bërë, ose për shkak të asaj që të shkaktoi ajo gjë...

Dua të kujtoj se, nëse ti je në Jezu Krishtin, nuk ka asnjë dënim që të prek ty. Ata që janë në Krishtin janë të lirë. Sepse hiri i Tij ndryshon gjithçka. Ajo që ke bërë nuk të përcakton se kush je. Ti je ai/ajo që Perëndia thotë se je.

Lutje:“Perëndi i dashur, vij para Teje me zemër të hapur. Ti e di se çfarë ka zemra ime, Zot, Ti e di errësirën time. Të falenderoj që për shkak të Jezusit, nuk ka asnjë dënim që më prek mua. Faleminderit që tashmë jam i lirë. Faleminderit për hirin Tënd. Faleminderit që mua nuk më përcakton e shkuara ime, por unë jam kush Ti thua se jam. Amen.”

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Nga Boshllëku në Plotësi -  Zbulo Jezusin!

A ka diçka që mund të të kënaqë dhe të të ngopë plotësisht? Ke ndjerë ndonjëherë atë boshllëkun e pashpjegueshëm—atë ndjenjën se diçka mungon, edhe kur ke gjithçka? Ky plan 8-ditor nuk është thjesht një lexim, por një ftesë për një eksplorim të thellë. Jezusi tha "Unë Jam"—por çfarë nënkuptojnë këto fjalë për jetën tënde? A mund të jetë Ai përgjigja që ke kërkuar gjithë këtë kohë? Dhe mos u habit nëse pas këtyre ditëve, zemra jote do të ketë gjetur diçka që s’e ka gjetur kurrë më parë. A je gati të nisësh këtë udhëtim?

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al