Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nga Boshllëku në Plotësi - Zbulo Jezusin!Shembull

Nga Boshllëku në Plotësi -  Zbulo Jezusin!

DITA 1 NGA 8

Çfarë do të më kënaqë dhe do të më ngopë vërtet?

E ke parasysh kur je ulur në një restorant, të vjen menuja dhe ndihesh shumë i uritur, por nuk di çfarë të zgjedhësh? "Çfarë do të jetë e shijshme, e kënaqshme dhe do të më ngopë, që të mos më duhet të dal më pas e të kërkoj diçka tjetër për të ngrënë?"

Kjo është një pyetje e vështirë: Çfarë do të më kënaqë dhe do të më ngopë vërtet?

Nuk është edhe jeta njësoj? Sikur kemi përpara një menu me opsione që premtojnë kënaqësi dhe lumturi, por shpesh nuk dimë çfarë të zgjedhim. Pas çfarë gjërash vrapojmë? Çfarë shpresojmë të na japë kënaqësi dhe përmbushje?

Shpeshherë shohim të tjerët dhe mendojmë: "Po ta kisha këtë, do isha i lumtur." Ose porosisim diçka për të cilën e dimë që nuk është e mirë, por e marrim gjithsesi nga uria, vetëm për të kuptuar më pas se nuk na ka sjellë kënaqësi të vërtetë.

Në këtë plan, ditë pas dite do të shqyrtojmë deklaratat e Jezusit: "Unë Jam." Nëpërmjet tyre do të njohim më mirë kush është Ai dhe si mund të kemi një marrëdhënie të thellë me Të. Sepse përmes këtyre fjalëve, Jezusi u përgjigjet disa nga pyetjeve më të mëdha të jetës.

Sot do të shqyrtojmë një pyetje thelbësore: Kush mund të më sjellë kënaqësi të vërtetë?

Jezusi thotë në Gjoni 6:35: "Dhe Jezusi u tha atyre: 'Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.'"

Në kapitullin 6 të Ungjillit të Gjonit, Jezusi sapo ka kaluar në anën tjetër të Detit të Galilesë, ku një turmë e madhe e priste. Ai kishte bërë shumë mrekulli dhe popullariteti i Tij ishte rritur. Në këtë ngjarje, Jezusi ushqeu mbi 15,000 njerëz me pesë bukë dhe dy peshq, duke bërë një mrekulli të pabesueshme.

Të nesërmen, turma kërkonte përsëri Jezusin. Ata kishin ngrënë një darkë të bollshme, por tani ishin përsëri të uritur dhe donin më shumë. Ata e kërkonin Jezusin, por jo sepse e donin Atë për atë që ishte. Ata donin atë që Jezusi mund t’u jepte.

Këtu qëndron një e vërtetë e rëndësishme: Ka një ndryshim mes të qenit i ngopur dhe të qenit i kënaqur. Ata ishin ngopur me bukën dje, por nuk ishin të kënaqur sot. Sa shpesh ndodh edhe me ne e njëjta gjë?

Shumë njerëz janë shpirtërisht të uritur, por përpiqen të mbushin boshllëkun e tyre me gjëra që nuk e ushqejnë shpirtin. Ata mund të ndihen të ngopur për një moment, por përsëri mbeten bosh dhe të pa kënaqur.

Po ti? A e ndjen këtë uri shpirtërore? A po përpiqesh ta mbushësh me gjëra që nuk të sjellin kënaqësi të vërtetë?

Deri për Pashkë, dua të të sfidoj: hiq dorë nga diçka që të ka zënë vendin e Perëndisë në jetën tënde. Diçka që të ka ngopur, por jo kënaqur. Po sikur të vendosësh të kalosh më pak kohë në internet dhe të kalosh më shumë kohë në leximin e Biblës dhe në lutje? Po sikur të heqësh dorë nga diçka që të ka larguar nga Zoti dhe të kërkosh më shumë praninë e Tij?

Agjërimi nuk është vetëm për ushqimin, por edhe për çdo gjë që na pengon të kemi një marrëdhënie më të thellë me Perëndinë.

Kur ndalojmë së mbushuri veten me gjërat e kësaj bote, shpirti ynë fillon të ndjejë uri për ushqimin e vërtetë—për Perëndinë.

Lutje: "Perëndi, faleminderit që vetëm Ti mund të më japësh kënaqësi të vërtetë. Unë besoj se Ti je Buka e Jetës. Më ndihmo të kuptoj çfarë po më largon nga Ti dhe më jep forcë të heq dorë prej saj. Dua të kem një uri të re për Ty dhe për Fjalën Tënde. Amen."

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Nga Boshllëku në Plotësi -  Zbulo Jezusin!

A ka diçka që mund të të kënaqë dhe të të ngopë plotësisht? Ke ndjerë ndonjëherë atë boshllëkun e pashpjegueshëm—atë ndjenjën se diçka mungon, edhe kur ke gjithçka? Ky plan 8-ditor nuk është thjesht një lexim, por një ftesë për një eksplorim të thellë. Jezusi tha "Unë Jam"—por çfarë nënkuptojnë këto fjalë për jetën tënde? A mund të jetë Ai përgjigja që ke kërkuar gjithë këtë kohë? Dhe mos u habit nëse pas këtyre ditëve, zemra jote do të ketë gjetur diçka që s’e ka gjetur kurrë më parë. A je gati të nisësh këtë udhëtim?

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al