Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Nga Boshllëku në Plotësi - Zbulo Jezusin!Shembull

Nga Boshllëku në Plotësi -  Zbulo Jezusin!

DITA 6 NGA 8

Unë jam Bariu që të drejton!

Tek Gjoni 10:4 lexojmë 'Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.'

Për shkak se delja nuk shikon larg, ka nevojë për një bari që shkon para saj, që e njeh rrugën, që drejton rrugën. Shpjegimi më i bukur për Bariun që drejton është te Psalmi 23:2-3 'Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin. Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.'

Një nga problemet që has delja, kur fut kokën për të ngrënë bar mes gurëve, mes shkurreve, aty ku është bari i njomë, është se vezët që kanë lënë insektet nëpër këto shkurre i bien në kokë. Pasi çelin, insektet ngecin në kokën e deles dhe i rrinë rreth e qark brirëve. Bariu i hedh vaj rreth e qark brirëve që të ngordhin këto insekte, sepse e acarojnë shumë delen. Kur delja acarohet, përplaset dhe i bie pemëve, gurëve dhe mund të dëmtohet.

Kur Bibla thotë ‘Perëndia të vajos kokën’, është diçka për të të mbrojtur. Sepse djalli kërkon pika të dobëta tek ne dhe hyn aty, dhe kur i lë hapësirë, hedh valle. Prandaj Bibla thotë,‘Mos i lër vend djallit, as vend sa të vendosë një këmbë, sepse ai është i lig. Sepse kur i lë vend, ai të vjedh gëzimin, të vjedh dhe të shkatërron.’

Kur nuk jemi të vajosur, të mbushur me Perëndinë, flasim gjëra koti, mendojmë gjëra koti, bëjmë gjëra koti. Prandaj Bariu e vajos kokën e deles për ta mbrojtur atë.

A e di se delja nuk pi ujë kur burimi është i shpejtë ose i rrëmbyer? Pse? Sepse uji i rrëmbyer ia merr mendjen dhe bie brenda, dhe me gjithë atë gunë leshi që ka, po ra në ujë nuk del dot më. Kështu që delja pi ujë vetëm në burime të qeta.

Bariu i çon delet në ujëra të tilla që e shuajnë etjen e brendshme dhe të japin çlodhje. Paqja e Tij nuk është diçka e trazuar apo rrëmujë, por të jep paqe, qetësi. Kur je në praninë e Tij, ngopesh dhe je i qetë. Ja pse është shumë e rëndësishme ajo koha e qetë që ke ti me Perëndinë.

Ai na e përtërin shpirtin. Ai siguron çdo gjë që na duhet, jo vetëm për trupin, jo vetem anët materiale, por siguron edhe për shpirtin tonë. Prandaj, kjo kohë tani është ideale për të agjëruar, për të hequr barrat, ngarkesat, gjëra që të kanë rënduar, velur apo lodhur. Që të përtërish shpirtin, të freskohesh, të lehtësohesh, të afrohesh më shumë në marrëdhënien tënde me Perëndinë.

Ti ke një bari që të mbron. Delja, nëse ka për të ngrënë dhe për të pirë, zë rehat shumë kollaj dhe nuk lëviz përpara. Ka frikë të shkojë nëpër vende të reja, shkon në të njëjtën rrugë, pëlqen monotoninë. Harron që bariu është aty për ta mbrojtur nëse ka rrezik. Delja rehatohet shumë kollaj, por bariu e di që ka më shumë përtej, kështu që e nxit, e shtyn. Por delja trembet, nuk do të shkojë në vende të reja, ka zënë rehat.

Perëndia e di që jeta ka më shumë se kaq dhe pret që të lëvizësh dhe të prekësh nivele të tjera të jetës. Ne nuk na pëlqen. Është e parehatshme, por Bariu e di më mirë. Bariu na shtyn për fazat e jetës, mos i rezisto drejtimit të Zotit por besoi Atij, që Ai ka më shumë për jetën tënde.

A po të sfidon Perëndia për diçka të re? Por ke frikë, ke merak, ke dyshim? Bariu i mirë e di, Ai është aty me ty, Ai ka një arsye pse po të nxit për hapin tjetër. Besoji Atij.

Psalmet 23:5 'Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.'

Te ky varg ka një detaj: kupa ime po derdhet. Kjo do të thotë se Perëndia nuk do të thotë kurrë "ik". Nëse ke zgjedhur t’i besosh Jezus Krishtit, ti je bir/bijë në familjen e Perëndisë dhe je pjesë e familjes së Perëndisë sot, nesër, javën tjetër, muajin tjetër, vitin tjetër, përjetë. Në momentin që je pjesë e familjes, je gjithmonë pjesë e asaj familjeje.

Jezusi është Bariu i mirë: Që të njeh, që të flet, që të drejton, që të mbron, që të shtyn nëpër territore të reja. Jezusi tregoi një shembëlltyrë: Një bari ka 100 dele dhe një dele ikën nga tufa, çfarë do të bëjë bariu? Do t’i lërë 99 të tjerat dhe do të shkojë ta kërkojë të humburën.

Nëse ti je ndjerë i larguar, i humbur, larg Perëndisë: Perëndia të do shumë. Nëse ti je delja e 100, Ai do vijë pas teje. Ai do të ndjekë dhe do të gjejë sepse të do. Dhe Ai do që ti ta dish se sa i mirë është Ai. I ligu vjen për të vjedhur, vrarë, shkatërruar. Por Bariu i mirë vjen për të dhënë jetë dhe jetë me bollëk. Ai të deshi aq shumë sa dha jetën e Tij për ty. Që ti të jesh i lirë për ta ndjekur Atë, Bariun e mirë, që ti të kuptosh sa e madhe është dashuria e Tij për ty.

Lutje:“Jezus, më vajos kokën, mendjen, gjuhën, që të mos mendoj gjëra të liga, të pista, të mos them, të mos bëj gjëra të këqija. Sepse ti je Bariu im dhe je Bari shumë i mirë. Ti më jep jetë, jetë me bollëk. Faleminderit për dashurinë Tënde. Amen.”

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Nga Boshllëku në Plotësi -  Zbulo Jezusin!

A ka diçka që mund të të kënaqë dhe të të ngopë plotësisht? Ke ndjerë ndonjëherë atë boshllëkun e pashpjegueshëm—atë ndjenjën se diçka mungon, edhe kur ke gjithçka? Ky plan 8-ditor nuk është thjesht një lexim, por një ftesë për një eksplorim të thellë. Jezusi tha "Unë Jam"—por çfarë nënkuptojnë këto fjalë për jetën tënde? A mund të jetë Ai përgjigja që ke kërkuar gjithë këtë kohë? Dhe mos u habit nëse pas këtyre ditëve, zemra jote do të ketë gjetur diçka që s’e ka gjetur kurrë më parë. A je gati të nisësh këtë udhëtim?

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al