Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Me Gjithë ZemërShembull

Me Gjithë Zemër

DITA 7 NGA 7

Si të sjell ndikim në brezin tim?

Ky është brezi ynë! Perëndia s’na solli më parë në jetë, as më vonë. Na solli në këtë brez ku jemi sot. Dhe s’është rastësi që lindëm në kohën që lindëm.

Si ta zbatoj qëllimin e Perëndisë në brezin tim? Si bëhet kjo gjë?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, do ta ndaj në 2 pjesë: lajmi i keq dhe lajmi i mirë.

Lajmi i keq: Bota ka marrë kot! Politika, ekonomia, lajmet, sëmundjet, luftërat, çmimet, pasiguria, emigrimi, shëndetësia, shkollimi… Bota duket si një kazan i madh mbi zjarr, që është duke vluar gjithmonë, i trazuar në çdo zonë, fushë. Mendoj se një nga shkaqet e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë së madhe është ky ndryshim shumë i madh dhe i shpejtë që po ndodh kudo në botë.
Kur vjen puna te brezi ynë, a do të themi si të gjithë, apo do të mendojmë ndryshe?

Ky brez nuk bëhet më, dorëzohemi… vs. Ky është brezi im, unë do të “luftoj” me gjithë zemër.

Le të jemi zjarr në brezin tonë. Ja si thuhet te Efesianëve 6:10-11 'Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,'

Jo të fshihemi, por të qëndrojmë dhe të forcuar, madje shohim te Efesianëve 6:12 'sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.'

Shiko, e vërteta është se çdo brez ka pasur trazirat e veta, ka pasur betejat e veta në të cilat ka luftuar. Kjo është koha jonë, brezi ynë, për të qëndruar dhe për ta nderuar emrin e Zotit dhe për ta plotësuar qëllimin e Perëndisë.

Kalojmë te lajmi i mirë: Drita Shkëlqen Më Fort Në Errësirë!
Njerëzit po provojnë lloj-lloj mënyrash dhe asgjë s’po iu del tamam. Dhe kur s'del llogaria, njerëzit i zë dëshpërimi. Dhe njerëzit e dëshpëruar fillojnë dhe kërkojnë Zotin. E kërkojnë si strehë, sa herë që tremben. Njeriu struket te Zoti, sa herë që ka frikë, për të kërkuar balancë për dëshpërimin që ndjen.

Ne jemi nga ata që besojnë se: Jemi këtu për një qëllim në këtë brez!

Por si e bëjmë këtë gjë? Ja 3 hapa praktikë:

1. Ta Kemi Mendjen te Misioni i Madh
Pavarësisht se jemi në punët tona, në shkollë, në shtëpi, e kemi mendjen vazhdimisht te misioni i madh.
Jezusi tha te Luka 10:2 'Dhe u thoshte atyre: ''E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.'

Jezusi përdor fjalën “e korra”, që ka kuptimin se, kur ne e shikojmë botën, ka shumë gjëra që na shpërqendrojnë, por kur Jezusi shikon botën, e shikon ndryshe. Ai sheh sesa shumë njerëz kanë nevojë për Të. Zoti vetë ka thënë: Lutuni të ketë punëtorë për të korrat.

2. Ta Kemi Themelin e Fortë
Në një botë që po ndryshon përditë, na duhen shtylla të forta, na duhet një themel që nuk ndryshon. Nëse nuk kemi një themel të fortë, do shkojmë pas turmës—njëherë andej, njëherë këtej.

Të gjithë po korruptohen—po ti, pse nuk po merr ndonjë lek për vete?
Të gjithë po bashkëjetojnë—po ti, pse nuk po bën si ata?
Të gjithë po ikin jashtë—po ti, pse nuk largohesh?
Të gjithë s’po punojnë, s’po mësojnë…

Sigurohu të kesh stabilizuar vlerat e tua, gjërat për të cilat nuk bën kompromise. Le ta kemi integritetin pjesë të jetës së përditshme. Jemi të Krishtit, jetojmë jetën ashtu si i pëlqen Atij. Duhet të ketë disa gjëra thelbësore në themelin tonë:

Dashuria pa kushte e Atit Perëndi!
Ai na do, sepse ashtu është Ai, jo sepse ne bëhemi më të mirë. Duket sikur çdo gjë në jetë është me kushte, por dashuria e Perëndisë nuk është. Ai nuk të do më shumë sepse shkon në kishë apo ke lexuar Biblën sot. Ai të do aq shumë, saqë kjo dashuri nuk mund të përmirësohet—s’ka çfarë t’i shtosh dhe s’ka çfarë t’i heqësh. Kur ti zgjedh Krishtin, je bir, je bijë e Tij—kjo nuk ndryshon, nuk përmirësohet, nuk tjetërsohet. Ai të do pa kushte. Bota i vlerëson njerëzit sipas standardeve të saj, por Perëndia jo. Dhe këtë e përfituam kur zgjodhëm Krishtin.

Ta duam tjetrin ashtu siç na do ne Ati Perëndi!
Nga kjo kuptohet sa thellë e kemi pranuar dashurinë e Perëndisë—në mënyrën se si sillemi me njëri-tjetrin, sa e duam njëri-tjetrin. Shkrimi thotë: Po nuk deshëm vëllain, motrën që e shohim, si mund të themi që duam Zotin që nuk e shohim?

Krishti është e vetmja rrugë shpëtimi!
Krishti është e vetmja rrugë shpëtimi, ndryshe Ati Perëndi nuk do ta dërgonte Birin që të vdiste në kryq, një vdekje të tmerrshme, një torturë makabër. “Unë Jam,” tha Krishti—veta e parë, numri njëjës, nuk ka të dytë.

Fryma e Shenjtë Banon te Secili Që Ka Krishtin!
Kjo na jep fuqi, ide, dhe një perspektivë tjetër. Pa Frymën e Shenjtë, ne do të ishim po aq egoistë, po aq të fokusuar tek vetja, sa çdo njeri tjetër. Fuqia e Frymës së Shenjtë e bën diferencën në jetën tonë.

Bibla është Fjala e Perëndisë!
Le të ushqehemi me të çdo ditë, që të kemi mendjen të mbushur me të për çdo lloj situate, ashtu si vaktet e përditshme të ushqimit. Shkrimi do të forcojë themelin tonë kur të vijnë stuhitë, sepse do të njohim premtimet e Perëndisë.

3. Ta Kemi Unitetin e Fortë
Ta kemi gjë të rëndësishme dhe të punojmë për këtë me gjithë zemër, për një unitet sa më të fortë.

Në çdo kohë, uniteti është i mirë, por në kohë të trazuar është akoma më i mirë dhe më i nevojshëm. Dhe kjo është dëshira e Krishtit. Në bisedën e fundit me dishepujt, Ai u lut: Gjoni 17:21 'që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar.'

Perëndia na ka zgjedhur për këtë brez!

Ai që na ka zgjedhur, do të na përdorë, do të na pajisë, do të bëjë gjëra nëpërmjet nesh.

Ky është brezi ynë. Dhe ne do t’i kërkojmë Perëndisë me gjithë zemër: "Na e jep këtë brez, na e jep këtë qytet, këtë komb, për Ty, Zot."

Lutje: "Zot, më ke vendosur në këtë brez me një qëllim. Më jep guxim, besim dhe forcë për të qëndruar i palëkundur në të vërtetën Tënde. Më përdor si dritë dhe shpresë për ata që të kërkojnë. Mbushe zemrën time me dashurinë Tënde. Në emër të Jezusit, amen!"

Dita 6

Rreth këtij plani

Me Gjithë Zemër

ME GJITHË ZEMËR A e ke pyetur ndonjëherë veten çfarë kërkon Perëndia prej teje? Ky plan është një ftesë për të adhuruar, përkushtuar dhe për t’u rritur në Zotin – me gjithë zemër! Jeremia 29:13 – "Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj." Kur i japim Perëndisë gjithë zemrën tonë, Ai na jep më të mirën e Tij.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en