Me Gjithë ZemërShembull

Perëndia na jep më të mirën që ka, kur ne japim më të mirën që kemi.
Do të shikojmë në Bibël se si e adhuronin njerëzit Perëndinë, që edhe ne ta adhurojmë si ata sa herë që mblidhemi për të festuar.
Së pari—çfarë është adhurimi?
Adhurim = Dashuri e Shprehur
Adhurimi nuk quhet i tillë nëse s’ka dashuri dhe, në të njëjtën kohë, s’quhet adhurim po s’u shpreh.
Dikush mund të thotë: "Unë kam stilin tim të adhurimit, kam shpikur një model origjinal."
Në fakt, s’na takon ne ta zgjedhim se si ta adhurojmë Perëndinë, sepse Ai vetë e ka caktuar mënyrën si dëshiron të adhurohet.
E di si e tha Jezusi? "Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde".
Kuptimi i fjalës “adhurim” në greqisht, (meqë Dhjata e Re është shkruar në atë gjuhë) në fjalor, është i tillë:
Adhurim = προσκυνέω (proskuneó)
— të përulesh, të tregosh nderim.
Por, e shprehur më qartë, kupimi është: ta puthësh atë që adhuron. Jo një puthje romantike, por si kur qeni puth dorën e të zotit të tij—me përkushtim dhe përulësi.
Kjo është fjala që Jezusi përdori për të përshkruar adhurimin që duhet të kemi ndaj Zotit. Shumë të gëzuar kur jemi në praninë e Tij—kërcejmë nga gëzimi, fluturojmë nga gëzimi! Ky është lloji i adhurimit që i pëlqen Perëndisë.
Disa, kur adhurojnë Perëndinë, kanë qëndrimin si të maces kur i vjen i zoti në shtëpi. E di si reagojnë macet? Me atë qëndrimin e tyre menefregist: “Hë, erdhe? E mirë, erdhe… punë e madhe. Do më japësh ndonjë gjë për të ngrënë?”
Perëndia kërkon adhurim—Proskuneó. Atë lloj adhurimi të bukur, të çiltër para Tij, me gjithë zemër.
Në Bibël shohim që atyre që e adhuronin Perëndinë me gjithë zemër, Ai u jepte hir dhe favor ekstra. Jo se Perëndia mban me hatër, por Ai na e lë neve në dorë nëse duam të jemi ata që Ai do t’u japë favor ekstra.
Ka njerëz që e duan shumë Perëndinë—zemra e tyre është plotësisht e dhënë pas Tij, dhe Ai u jep favor atyre. Nuk më beson? Ja ta shikojmë një rast në Bibël: Mbreti David. Quhet "njeriu sipas zemrës së Zotit."
Por si? Pse? Se Davidi nuk pati një jetë të përsosur… Por e adhuronte Perëndinë—si? Me gjithë zemër!
Një rast është kur Arka e Besëlidhjes, që kishte 10 Urdhërimet, u vodh nga armiqtë—kombi fqinj i Izraelit. Kur Arka u kthye në Jeruzalem, Davidi ishte aq i gëzuar! Ai e adhuronte Perëndinë si kurrë më parë—si i çmendur në praninë e Tij!
Dhe vendi ku Davidi e takoi grupin që po sillte Arkën deri në qendër të Jeruzalemit ishte rreth 11-12 km larg. Bibla thotë se pas çdo 6 hapash, mbreti David ndalonte, bënte një flijim dhe festonte në praninë e Perëndisë—nga gëzimi dhe kënaqësia që Arka e Besëlidhjes po kthehej në Jeruzalem. E di pse kishte rëndësi kjo gjë? Sepse Arka e Besëlidhjes ishte shenja e pranisë së Perëndisë në atë vend. Tek Arka ishin dy pllakat me 10 Urdhërimet që Perëndia i dha Moisiut. Mbi to ishin dy engjëj të gdhendur, të vendosur përballë njëri-tjetrit. Dhe vendi ku takoheshin krahët e engjëjve ishte vendi ku banonte prania e Perëndisë. Kur Arka u rikthye dhe u vendos në Tabernakull, sapo u vendos, erdhi prania e Perëndisë mbi atë vend, që quhej: vendi shumë i shenjtë!
Po, prit, prit… kthehemi tek Davidi! Ai ishte shumë i gëzuar, shumë i lumtur që Arka po kthehej—prania dhe bekimi i Perëndisë po riktheheshin në Jeruzalem. Festonte fuqishëm! Ecnin 6 hapa… ndalonin… festonin dhe ofronin flijim.
Shumë, shumë adhurim, gëzim, lavdërim me gjithë zemër. Dhe kur Perëndia pa Davidin që e adhuronte me gjithë zemër, si i çmendur në praninë e Tij, i pëlqeu! Davidi është njeriu sipas zemrës së Tij. Davidi e do Perëndinë me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë mendje, me gjithë forcën e tij.
Zoti është i mirë, Atij i takon gjithë lavdërimi, gjithë adhurimi, gjithë jeta jonë. Ka gjasa që do të ketë njerëz që të të quajnë “të çmendur” kur ti e adhuron Perëndinë me gjithë zemër. Davidin nuk e pengoi kjo gjë.
Dorëzimi para Perëndisë është i vetmi dorëzim që ia vlen, sepse është dorëzim për fitore.
Një rast tjetër në Bibël e gjejmë edhe te Luka, kapitulli 19. Këtë lloj gëzimi e gjen edhe te e diela e Palmave. Një javë para Pashkës, Jezusi po vjen hipur mbi gomar dhe po hyn në Jeruzalem. Turmat po festonin, sepse të verbërit ishin shëruar, të çalët po ecnin, mëkatarët kishin marrë çlirim dhe liri nga Krishti dhe festonin duke thënë, ''Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta.''
Disa farisenj që ishin midis turmës i thanë Jezusit: ''Mësues, qorto dishepujt e tu!''.'
Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin''.
Tani, a do festojmë vetë apo t’ua lëmë gurëve këtë punë?
Lutje: "Zot, Ti je i denjë për gjithë lavdinë! Më jep një zemër që unë të të adhuroj me gjithë shpirt, pa frikë e pa turp. Ti më jep më të mirën, dua dhe unë të të jap më të mirën time. Mos lejo që gurët të lavdërojnë në vendin tim! Në emrin e Jezusit, Amen."
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

ME GJITHË ZEMËR A e ke pyetur ndonjëherë veten çfarë kërkon Perëndia prej teje? Ky plan është një ftesë për të adhuruar, përkushtuar dhe për t’u rritur në Zotin – me gjithë zemër! Jeremia 29:13 – "Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj." Kur i japim Perëndisë gjithë zemrën tonë, Ai na jep më të mirën e Tij.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en