Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Me Gjithë ZemërShembull

Me Gjithë Zemër

DITA 2 NGA 7

Bekimet që na vijnë nga Perëndia, shpesh vijnë pas bindjes, pasi e kemi kërkuar Atë me gjithë zemër, pasi e kemi bërë pjesën tonë me gjithë zemër.

Sa mirë që shpëtimi i Perëndisë është me anë të hirit, nëpërmjet besimit, jo nga veprat, jo arritje e jona por duke besuar në atë që bëri Krishti për ne.

Efesianëve 2:10 'Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.'

Poiema = Vepër
Fjala Greqisht që është përkthyer vepra, është Poema. Perëndia ka vënë një poemë në ty. Ti je shumë i çmuar në sytë e Tij dhe Ai të ka krijuar në mënyrë shumë shumë unike.

Dhe kur ti zgjodhe Jezusin, Ai te ri-krijoi, ti u rilinde dhe nëpërmjet teje Perëndia do që të bëjë gjëra të mira, vepra të mira.

“Dy ditët më të rëndësishme të jetës: dita kur linde dhe dita kur kuptove pse ke lindur!” - Mark Twain

Ditëlindja është një ditë super e veçantë për ty, por po aq e veçantë është kur e zbulon, e gjen, se pse të solli Perëndia në tokë. Shumë njerëz e kanë zbuluar këtë gjë. Kur e ke shumë qejf punën, nuk duket më as si punë. Por, shumica nuk ndihen kështu për punën që bëjnë.

Të gjithë, herët a vonë do të përplasen me pyetjet: “Cili është qëllimi im? Pse gjithë jetën këtë gjë do bëj? Çfarë duhet të bëj? Si ta gjej?”

Bëhet si mision i pamundur!

Hajde ta shikojmë nga Bibla, se përse e krijoi Perëndia njeriun. Dhe si na ka përgatitur Ai për punë, për vepra të mira, dhe si t’i bëjmë me gjithë zemër.

Tek Zanafilla, gjejmë përgjigjet e këtyre pyetjeve:

Jam Bërë Sipas Imazhit Të Perëndisë!

Kështu e tha Perëndia, na bëri sipas shembëlltyrës së Tij, ne ngjajmë me Perëndinë.

Identiteti im = Mbajtës i Imazhit Të Perëndisë

Ne jemi kurora e krijimit të Perëndisë, bukuria e krijimit të Tij. Çdo krijim tjetër është bërë nga Perëndia, por jo në imazhin e Tij.

Kudo ku jemi duhet të jetë e dukshme: Në këtë vend është sundimi, mbretërimi i Perëndisë.
Për këtë gjë u krijua Adami dhe Eva, për të përfaqësuar imazhin e Perëndisë në tokë.
Po ku humbi ky plan? Te Zanafilla kapitulli 3, hyrja e mëkatit. Mëkati prishi të gjitha gjërat, prishi ekuilibrat dhe e bëri çdo gjë të vështirë.

Pyetja është: A e zhduku mëkati imazhin e Perëndisë? Jo, nuk e zhduku, por e shpërfytyroi. Humbi pastërtia, shenjtëria, hyri korruptimi, ra bukuria e shumë gjërave. Egoizimi u bë qendra e jetës së njerëzve, jo nderimi i Perëndisë, u prish kudo imazhi real i Perëndisë.

Deri kur Jezusi erdhi në tokë. Ai ishte Imazhi Perfekt i Perëndisë në këtë botë. A do të dish se si është imazhi perfekt i Perëndisë? Shiko jetën e Jezusit!

Dhe pasi vdiq në kryq dhe u ringjall ditën e tretë, kushdo që zgjedh t’i besojë Atij dhe t’ia lejojë drejtimin e jetës, e di çfarë ndodh? Dalë nga dalë jeta e atij personi transformohet, përmirësohet, ndryshohet për të qenë një reflektim sa më i ngjashëm me imazhin e Perëndisë.
Dhe Perëndia do, që këtë imazh të Tij ta reflektojmë kudo që jemi, në punë, në shkollë, në shtëpi, në të gjithë përditshmërinë tonë. Ky është plani i Perëndisë për ne, këta jemi ne, mbajtës të imazhit të Perëndisë, ky është identiteti ynë!

Unë Kam Rolin Tim Te Historia e Tij

Qëllimi i atyre që mbajnë imazhin e Perëndisë është të sjellin sundimin e Tij kudo që janë, mbretërinë e Tij kudo ku janë.

Shpesh herë, mëkati na bën të ndihemi kot, pa vlerë, si askush. Mendojmë: 'Për shkak të asaj që kam bërë atëherë, s’mund të bëj atë që do Jezusi sot!'

Për sa kohë që ke puls dhe je gjallë, plani i Perëndisë për ty s’ka mbaruar. Për sa kohë je gjallë, Ai ka plan për jetën tënde.

Qëllimi yt është të sjellësh sundimin e Perëndisë, në çdo gjë që prek dhe çdo vend ku je.
Tre gjëra kanë rëndësi:

Identiteti: Ti je mbajtës i imazhit të Perëndisë.

Qëllimi: Të sjellësh sundimin e Perëndisë në çdo gjë që prek!

Detyra: Ta plotësosh këtë qëllim aty ku je!

Po i fiksove këto të treja, jeta jote do të jetë ndryshe!

Ajo që ka nevojë ky vend, janë njerëz që kanë si qëllim të sjellin sundimin e Perëndisë në tokë, duke qenë shërbyes, si modeli i Krishtit, kudo ku janë, në shkollë, në punë, në shtëpi, kudo, por me butësi si Krishti.
Kjo nuk do të thotë të mos kesh opinione të forta dhe të qarta, po t’i tregosh me butësi.

Lejoje Perëndinë të të transformojë, të të ndryshojë ditë pas dite. Dhe e di çfarë ndodh kur e ke këtë si qëllim jete? Siç i ndodh Adamit dhe Evës: Perëndia i bekoi ata, Perëndia do të të bekojë dhe ty!

E di si vjen bekimi i Perëndisë në jetën tonë?
Bekimi vjen pas Bindjes!

Lutje: "Zot, të falënderoj që më ke krijuar me një qëllim. Më ndihmo të reflektoj imazhin Tënd kudo ku jam dhe të ec në rrugët e Tua me besim e bindje. Më transformo dhe më përdor për lavdinë Tënde. Në emër të Jezusit, Amen."

Dita 1Dita 3

Rreth këtij plani

Me Gjithë Zemër

ME GJITHË ZEMËR A e ke pyetur ndonjëherë veten çfarë kërkon Perëndia prej teje? Ky plan është një ftesë për të adhuruar, përkushtuar dhe për t’u rritur në Zotin – me gjithë zemër! Jeremia 29:13 – "Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj." Kur i japim Perëndisë gjithë zemrën tonë, Ai na jep më të mirën e Tij.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en