Me Gjithë ZemërShembull

Le të zbulojmë bashkë shtatë mënyrat biblike të adhurimit, ashtu siç përshkruhen në hebraisht në Psalmet e Davidit!
1. Halel: lavdëroj, festoj me të madhe, lëshohem si i marrë para Perëndisë.
Nga kjo fjalë ka dalë Haleluja: Jah, ka kuptimin Perëndia (është përmbledhja e fjalës YHWH), dhe Halel, lavdëro = Lavdëroj Perëndinë.
Perëndia do që ne ta thërrasim Haleluja Atë, ta lavdërojmë me gjithë zemër. Ja ku është kjo fjalë te Psalmet…
Psalmet 35:18 'Unë do të të kremtoj (falënderoj) në kuvendin e madh, do të lavdëroj (Halel) në mes të një populli të shumtë.'
2. Jadah: ta lavdërosh me zë dhe duar në publik.
Ka njerëz që thonë, “Unë e lavdëroj më vete, nuk e lavdëroj publikisht.”
Shkrimi thotë, "Le të shkëlqejë drita jonë në publik, para njerëzve, që të shikojnë, që Perëndia të lavdërohet nëpërmjet nesh."
Psalmet 138:1 'Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj (jadah) lavdet e tua.'
3. Barak: të bekosh Perëndinë në gjunjë.
Barak në Bibël ka këtë kuptim, kur i thua Atij diçka, por në pozicion përulësie.
Psalmet 103:1 'Beko (barak), shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.'
4. Zamar: lavdërim me instrumenta me tela para Perëndisë.
Ndoshta prandaj në të gjitha kishat ka kitarë.
Psalmet 92:1 'Është bukur të kremtosh (zamar) Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;'
Tek Psalmet e fundit është përdorur kjo fjalë dhe shumë instrumeta të tjerë.
Psalmet 150:3-5 'Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste. Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë. Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.'
Pra, të bëjmë zhurmë të gëzuar para Perëndisë.
Nëse nuk të pëlqen zhurma, ka gjasa që s’do të të pëlqejë as qielli, sepse do të ketë adhurim të fuqishëm atje. Shkrimi thotë te Zbulesa, se adhurimi para Perëndisë në qiell ngjan si ushëtima e shumë, e mijëra ujëvarave.
Pse? Sepse vetëm Ai e meriton, vetëm Ai është i denjë për t’u adhuruar në të gjitha format e mundshme.
5. Shabak: të lavdërosh duke thërritur me zë të lartë.
Këtë lloj gëzimi pret Perëndia nga ne, të thërrasim me zë të lartë.
Psalmet 63:3-4 'Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë. Kështu do të të bekoj derisa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.'
6. Todah: të lavdërosh me duar, në admirim.
Psalmet 50:23 'Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë".'
Kur ngre duart, tregon sikur po zgjatesh ta kapësh Atë. Tregon që je i dorëzuar para Perëndisë, dorëzim fitoreje.
Si fëmija i vogël që zgjatet drejt mamit të vet dhe e shikon drejt e në sy, kështu të jetë edhe qëndrimi ynë kur i themi Atij: "Kam nevojë për Ty, Perëndi."
7. Tehilah: Këndim me gjithë zemër.
Psalmet 34:1 'Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij (tehilah) do të jetë gjithnjë në gojën time.'
Kur këndoj, adhuroj Perëndinë, dua të jetë Tehilah, me gjithë zemër, jo si punë për t’u bërë.
Ja një Psalm tjetër, që përshkruan 3 nga këto fjalë:
Psalmet 108:1 'Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj (zamar) dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time.'
Psalmet 108:3 'Unë do të të kremtoj (jadah) midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj (tehilah) lëvdimet e tua midis kombeve.'
Le të jenë këto vargje, si shtysë, nxitje për ta dashur Perëndinë me gjithë zemër dhe për ta adhuruar me gjithë zemër.
Le të shikojmë një varg nga Dhjata e Re, në lidhje me adhurimin.
Hebrenjve 13:15 'Me anë të tij (Jezusit), pra, le t'i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.'
‘Flijim’ ka këtë kuptim: s’është diçka që e bën kur e ndjen, por është diçka që e sjell herë pas here para Tij. Dhe çfarë është? Fryti i buzëve tona, lavdërimi, rrëfimi, shpallja e premtimeve të Tij.
Prandaj të nxis ta adhurosh Perëndinë me gjithë zemër, sepse do e çosh marrëdhënien tënde me Të në një nivel tjetër.
Shiko, në jetë, do të jemi duke adhuruar diçka.
Diçka po e merr vëmendjen tonë gjithë kohës.
Diçka është në qendër të zemrës sonë, gjithë kohës.
Pse të mos jetë Perëndia? Pse të mos e adhurojmë Atë me gjithë zemër?!
Nëse Perëndia të pyet: A më do Ti Mua? Si do të përgjigjeshe?
“Po, o Zot, u vij çdo të diel, Biblën e lexoj, ndihmoj te kisha, jap ofrimin dhe të 10-n te koshi, bëj këtë, bëj atë, ftoj miqtë e mi të vijnë…”
Perëndia do të thoshte: E di, e di, i kam parë! Por a më do ti Mua?
Këtë do Ai të parën, para çdo gjëje që bën dhe jep. A e do Atë? Sepse Ai do zemrën dhe do që ta duash Atë. Si? Me gjithë zemër.
Prandaj dua të të nxis, siç e tha Krishti te urdhërimi i madh: Mos e kalo nëpër filtrat e "çfarë është e duhura", "çfarë mendojnë të tjerët"...
Por thjesht duaje Atë, si?
Me gjithë zemër,
Me gjithë shpirt,
Me gjithë mendje,
Me gjithë forcën tënde.
Lutje: "Atë i dashur,
Të falënderoj për dashurinë dhe hirin Tënd. Më ndihmo të të adhuroj me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë mendje dhe me gjithë forcë. Ti je i denjë për çdo lavdërim! Mbush zemrën time me zjarr për Ty dhe më ndihmo të jetoj për lavdinë Tënde. Në emrin e Jezusit, Amen!"
Rreth këtij plani

ME GJITHË ZEMËR A e ke pyetur ndonjëherë veten çfarë kërkon Perëndia prej teje? Ky plan është një ftesë për të adhuruar, përkushtuar dhe për t’u rritur në Zotin – me gjithë zemër! Jeremia 29:13 – "Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj." Kur i japim Perëndisë gjithë zemrën tonë, Ai na jep më të mirën e Tij.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en