Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Me Gjithë ZemërShembull

Me Gjithë Zemër

DITA 4 NGA 7

Zoti është i mirë, mirësia e Tij vazhdon përjetë!

Do të shikojmë si ta thellojmë edhe më shumë miqësinë tonë me Jezusin, si ta duam dhe ta ndjekim me gjithe zemër. Dhe s’është diçka që ndodh vetëm një herë, por një zgjedhje e përditshme për ta ndjekur Atë me gjithë zemër.

Edhe për ne sot, është zgjedhja jonë: a do të jemi çdo ditë dishepujt e Jezusit, ndjekësit e Tij, nxënësit e Tij?
Nëse po, çdo ditë që ecim me Të, le të jemi kërkues, duke gërmuar në Shkrim për të zbuluar diçka të re për Jezusin.

Kjo është pjesa jonë: të jemi kërkues.

I ligu do që të fshihemi dhe t’i largohemi Perëndisë. Na kujton: "Po ti the këtë… ke bërë atë… mendove ashtu… s’je i denjë të shkosh para Perëndisë."

Do të ketë gjëra që do të na shpërqendrojnë, që do të na hutojnë nga përgjegjësia jonë e përditshme: Të kërkojmë Perëndinë, ta mbajmë të freskët miqësinë tonë me Të, ta njohim edhe pak më shumë.

Tek Luka kapitulli 19 gjejmë historinë e Zakeut, kryetari i tagrambledhësve, burrë i pasur, kishte pushtet, para, ndikim…

Edhe pse kishte shumë gjëra, Zakeu e ndjeu që i mungonte diçka. Ai kishte dëgjuar më parë për Jezusin, por këtë herë, kurioziteti ishte aq i madh, sa donte ta shikonte me sytë e tij.

1. Kërkuesit Janë në Kërkim Gjithë Kohës

Ka shumë njerëz që, sapo hasin një vështirësi, e ndalojnë kërkimin. Mbase u nisën për të njohur Jezusin dhe i mërziti dikush, ose dikush tha një fjalë që i dhembi, ose i lëndoi dikush—dhe e ndaluan kërkimin për të gjetur Jezusin.
A e di se shumë nga streset që mund të kalojmë, shumë nga shqetësimet, sfidat, ngarkesat tona, ikin kur thjesht takojmë Jezusin? Mbase kaq mund të të duhet ty sot—vetëm kërko dhe tako Jezusin.

Zakeu u ngjit në pemë për ta parë Jezusin. Sapo Jezusi arriti në vendin ku ishte ngjitur Zakeu, Ai ndaloi dhe ngriti sytë. Jezusi rrethohej me turma njerëzish kudo që shkonte, por Jezusi pa diçka ndryshe te ky njeri—pa se Zakeu po e kërkonte.

Jo vetëm kaq, por Jezusi e thirri në emër. Emri i Zakeut kishte kuptimin "i pastër, i pafajshëm", por jeta e tij ishte tërësisht e kundërta. Por Jezusi e pa, jo si e shikonin njerëzit, por pa atë njeriun e brendshëm.

E njëjta gjë për ne. Kur gjen Jezusin, ti s’e shikon më veten siç të shikojnë të tjerët, por e shikon veten me sytë e Jezusit—i çmuar, i dashur, i blerë me gjakun e Tij.

Le ta kërkojmë me gjithë zemër. Kërkoje Jezusin: si Shëruesin tënd, si Siguruesin tënd, si Zotin tënd, si Shpëtimtarin tënd, si Mikun tënd më të mirë.

2. Kërkuesit Rrinë

Jezusi i tha: ''Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde''.

Disa herë ngecim te marrëdhënia jonë me Perëndinë sepse mjaftohemi me vëzhgimin nga larg. Por jo, kemi nevojë të hedhim rrënjë, të rrimë me Të.

Nëse duam të jemi me gjithë zemër, pjesë e kësaj është që ne të rrimë, të rrimë bashkë në ditë të mira dhe në ditë të vështira, ta përjetojmë atë që ka Perëndia bashkë, por të kalojmë edhe ditët e vështira bashkë.

Dhe kur rri e hedh rrënjë, ke për të zbuluar gjëra që nuk i dije se ekzistonin. Do të zbulosh një nivel më të thellë dhe më të bukur në miqësinë tënde me Perëndinë dhe me familjen e kishës.

Nuk mund të gjesh thesaret e Shkrimit apo të një komuniteti nëse je kalimtar, prandaj rri, mbillu, hidh rrënjë dhe ke për të dhënë fryt, ke për të zbuluar thesare.

3. Kërkuesit Çohen dhe Dëshmojnë

Zakeu u çua dhe i tha Zotit: ''Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t'ia kthej katërfish''.'

Zakeu i ri, i ri-lindur, u çua dhe foli. E njëjta gjë për ne. Sa më shumë rrimë me Jezusin, sa më shumë kalojmë kohë me Të, aq më guximtar bëhemi. Po ndenje me Të, ti bëhesh si Ai. Identiteti yt ndryshon: Ti i Ngjan Atij.

Biri erdhi te kërkonte, ne jemi bijtë e Tij, ne kërkojmë. Prandaj, kërkoje me gjithë zemër.
Kur lexon Biblën, kërko me gjithë zemër një gjë, një varg, një aspekt të ri të karakterit të Perëndisë.
Kur lutesh, kërko me gjithë zemër favorin e Tij, bekimin e Tij, mbrojtjen e Tij.
Kur kërkon drejtim nga Ai, kërkoje me gjithë zemër.

Lutje: "Zot, të falenderoj që më thërret me emër dhe më do pa kushte. Më ndihmo të të kërkoj me gjithë zemër, të rri pranë Teje dhe të të ndjek çdo ditë. Hiq çdo pengesë që më largon prej Teje dhe mbush zemrën time me zjarr për Ty. Në emrin e Jezusit, Amen."

Dita 3Dita 5

Rreth këtij plani

Me Gjithë Zemër

ME GJITHË ZEMËR A e ke pyetur ndonjëherë veten çfarë kërkon Perëndia prej teje? Ky plan është një ftesë për të adhuruar, përkushtuar dhe për t’u rritur në Zotin – me gjithë zemër! Jeremia 29:13 – "Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj." Kur i japim Perëndisë gjithë zemrën tonë, Ai na jep më të mirën e Tij.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en