Me Gjithë ZemërShembull

Zbulesa 3:20 'Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe hap derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.'
Ky është një nga vargjet më të fuqishme në Bibël dhe një përshkrim shumë i bukur. Në njërën anë të derës është Jezusi, në anën tjetër jemi ne. Ai troket te dera—jo vetëm troket, por edhe flet. “Nëse dikush e dëgjon zërin tim,” thotë vargu.
Krishti është Zot mbi çdo gjë, por është edhe Bari. Shkrimi thotë se Ai lë 99 delet në vend të sigurt dhe shkon pas deles së humbur.
Por Ai nuk e shkelmon derën, nuk e hap me zor. Ai pret që personi që dëgjon trokitjet dhe zërin ta hapë vetë derën.
A ka ndonjë zonë të jetës tënde ku Jezusi është jashtë?
Qëllimi i sotëm është të ftojmë Jezusin të jetë Zoti ynë me gjithë zemër, në çdo zonë të jetës.
Kur përmend Zotin, njerëzit thonë: “Rrofsh, por jam mirë edhe pa Zotin!” Ka dije, ka shkolla, ka internet, ka kurse… "Dimë gjithçka—s’na duhet Zoti!"
E vërteta është se: Po na mbyt njohuria, por po ngordhim për urtësi.
Urtësia është të njohësh Perëndinë, ungjillin e Krishtit dhe nevojën për Zotin në jetën tënde. Dija, njohuria janë të nevojshme—shumë të nevojshme. Por nuk e zëvendësojnë URTËSINË që vjen nga Perëndia. Prandaj të nxis: Lexo Biblën, kalo kohë me Zotin çdo ditë! S’ka si momenti i përditshëm me Perëndinë.
Tek Zbulesa, kapitulli 3, vargjet 14-22, Jezusi i referohet kishës në Laodice, e i thotë: "Ju duhem Unë, çdo ditë!"
Jezusi është Alfa dhe Omega, Fillimi dhe Mbarimi, Zoti, Mbreti, Shpëtimtari i gjithë njerëzve.
Dhe Ai kërkon vëmendjen tonë, sepse DO të na ndihmojë!
E njëjta gjë vlen edhe për ne sot:
Zoti na thotë: "Dua të të ndihmoj!"
Sepse pa e kuptuar, mund të vijë një kohë kur të mendosh: "S’kam nevojë për asgjë, i kam të gjitha në vijë!"
Por jo! Pa Zotin Jezus, asgjë nuk është vërtet në vijë. Vaktësia fillon kur shkëputemi nga Krishti. Nëse sot ndihesh i shkëputur nga Perëndia, ri-lidhu me Të. Mund të kesh gjërat që kanë të gjithë, por brenda ndihesh i varfër.
Jezusi i thotë kishës në Laodice:
1. Nuk jeni të pasur, por të varfër.
2. Nuk shikoni qartë, madje jeni të verbër.
3. Jeni të zhveshur, edhe pse keni palltot më të bukura në botë.
Verbëria ka lidhje me atë që e dimë se çfarë është më e mira për ne, dhe nuk na duhet këshilla e Biblës, sepse mendojmë se e dimë vetë më mirë çfarë na duhet. Verbëria ka kuptimin që t’i japim drejtim jetës duke hequr Perëndinë, dhe krijon shumë tension të panevojshëm në jetën tonë.
Të zhveshur ka kuptimin që, pa Jezusin, jetojmë me ndjenjën e fajit gjatë gjithë kohës, dhe kjo ngel tek ne si një peshë e rëndë, ndërkohë që Krishti ka paguar me jetën e Tij për ta hequr këtë peshë nga ne.
Jezusi thotë: "Po sikur të ecim bashkë, me gjithë zemër, sepse Unë kam gjërat më të mira për ty. Ar të kulluar, të rafinuar në zjarr."
Në vend të presionit të jetës së përditshme, Ti merr paqen e Krishtit. Produkti kur e ndjek Krishtin me gjithë zemër, është paqja e Tij, qetësia që të jep Ai.
Shiko, fryma, mendësia që është përqark do mundohet të hyjë tek secili prej nesh. Por Krishti thotë: “Më duaj Mua me gjithë zemër.”
Jezusi na do, prandaj na i thotë këto gjëra.
Nuk do të rritemi në ngjashmëri me Krishtin, nëse nuk e pranojmë qortimin dhe disiplinimin që na jep Ai.
Ajo që po bën Krishti, është që thjesht po qëndron te dera dhe po troket. Le të mos lejojmë gjërat e tjera të na hutojnë, të na zënë vend në zemrën tonë, sepse së pari duam që ta ndjekim Atë me gjithë zemër.
Jezusi erdhi në tokë për ty, e mundi mëkatin për ty, vdiq në kryq për ty, Ai u ringjall për ty dhe do që ti ta kesh jetën që ka Ai për ty, ta kesh të plotë dhe ta duash Atë me gjithë zemër.
A ka ndonjë zonë të jetës tënde ku Krishti është lënë jashtë? Sepse mendon: "Këtë gjë e di vetë, kësaj zone të jetës i jap drejtim vetë"?
Ndoshta Jezusi është jashtë krejtësisht, mbase është fare jashtë jetës tënde. Ai po troket dhe po të flet. A po e dëgjon trokitjen? A po ia dëgjon zërin? Ai të thotë: "Të dua, të dua shumë, të dua si je, hape derën dhe ta jetojmë jetën bashkë, me gjithë zemër."
Lutje: "Zot, të falënderoj që je gjithmonë pranë meje dhe troket në derën e zemrës sime. Më ndihmo të mos të të lë jashtë asnjë zone të jetës sime, por të të ftoj plotësisht si Zot dhe Shpëtimtar. Më jep urtësi për të ndjekur rrugët e Tua dhe paqen Tënde që tejkalon çdo gjë. Në emër të Jezusit, Amen."
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

ME GJITHË ZEMËR A e ke pyetur ndonjëherë veten çfarë kërkon Perëndia prej teje? Ky plan është një ftesë për të adhuruar, përkushtuar dhe për t’u rritur në Zotin – me gjithë zemër! Jeremia 29:13 – "Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj." Kur i japim Perëndisë gjithë zemrën tonë, Ai na jep më të mirën e Tij.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en