Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 333 NGA 366

Rrënja e mosmirënjohjes

Megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim, u errësua. (Romakëve 1:21)

Kur mirënjohja ndaj Perëndisë gufon në zemrën njerëzore, Perëndia madhërohet si burimi i bekimit tonë. Ai pranohet si dhënës dhe bamirës, dhe për pasojë si i lavdishëm.

Por kur mirënjohja nuk gufon në zemrat tona për mirësinë e Perëndisë ndaj nesh, ka të ngjarë që kjo do të thotë se ne nuk duam t’i japim Atij asnjë lëvdatë; nuk duam ta madhërojmë Atë si bamirësin tonë.

Ka një arsye shumë të fortë pse njerëzit në natyrën e tyre nuk duan ta madhërojnë Perëndinë me falënderime ose ta përlëvdojnë Atë si bamirësin e tyre. Arsyeja është se kjo gjë e ul lavdinë tonë, dhe të gjithë njerëzit në natyrën e tyre duan më shumë lavdinë e tyre sesa lavdinë e Perëndisë.

Në thelb të gjithë mosmirënjohjes është dashuria për madhështinë tonë, sepse mirënjohja e vërtetë e pranon që ne jemi përfituesit e një trashëgimie, të cilën nuk e kemi fituar. Ne jemi sakatë që mbështetemi në patericën e Jezu Krishtit, e cila ka formën e kryqit. Ne jemi paralitikë që jetojmë çast pas çasti duke marrë frymë nga mëshira e Perëndisë. Ne jemi fëmijë që flemë në karrocën qiellore.

Njeriu natyror, i ndarë nga hiri shpëtues, e urren idenë e të menduarit për veten sipas këtyre imazheve: përfitues i padenjë dhe sakat, i paralizuar dhe fëmijë. Këto imazhe i rrëmbejnë lavdinë atij dhe ia japin të gjithën lavdi Perëndisë.

Prandaj, ndërkohë që njeriu do lavdinë e tij, ai e çmon vetëmjaftueshmërinë e tij dhe e urren idenë e të menduarit për veten si i pafuqishëm dhe i sëmurë nga mëkati. Ndaj ai nuk do të ndiejë kurrë mirënjohje të vërtetë ndaj Perëndisë së vërtetë dhe për pasojë, nuk do ta madhërojë kurrë Perëndinë ashtu si duhet, por do të madhërojë vetëm veten.

Jezusi tha: “Nuk janë të shëndoshët që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim” (Marku 2:17).

Jezusi nuk erdhi t’u shërbente atyre që këmbëngulin se janë mirë. Ai kërkon diçka të madhe: që ne të pranojmë se nuk jemi të mëdhenj. Ky është lajm i keq për arrogantët, por janë fjalë të ëmbla për ata që kanë hequr dorë nga shtirja e vetëmjaftueshmërisë dhe po kërkojnë Perëndinë.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​