Solid Joys ShqipShembull

Perëndia i Madhërishëm i Marisë
“Shpirti im e madhëron Zotin, dhe fryma im ngazëllen në Perëndinë, Shpëtimtarin tim, sepse ai e shikoi me pëlqim përulësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume, sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij! Dhe përdëllimi i tij nga brezi në brez për ata që e druajnë. Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau mendjemëdhenjtë me mendimet e zemrave të tyre; i përmbysi pushtetarët nga fronet e tyre dhe i ngriti të përulurit; i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit. Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar mëshirën e tij, ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhjes së tij, përgjithmonë.” (Luka 1:46-55)
Maria sheh qartë diçka tepër të jashtëzakonshme rreth Perëndisë: Ai po bëhet gati të ndryshojë drejtimin e gjithë historisë njerëzore; tri dekadat më të rëndësishme në të gjitha kohërat janë gati për të filluar.
Ku është Perëndia? Ai po punon me dy gra të panjohura dhe të përulura, njëra plakë dhe shterpë (Elizabeta), dhe tjetra e re dhe virgjëreshë (Maria). Maria preket aq shumë prej këtij vizioni të Perëndisë, prej Atij që i do të përulurit, saqë shpërthen në këngë, një këngë e cila njihet me emrin “Manjifikati”.
Maria dhe Elizabeta janë heroina të mrekullueshme në tregimin e Lukës. Atij i pëlqen besimi i këtyre grave. Çfarë i bën më tepër përshtypje dhe që dëshiron t’ia ngulitë në mendje Teofilit, këtij lexuesi fisnik, duket se është përulësia e gëzueshme e Elizabetës dhe Marisë, ndërsa ato i nënshtrohen Perëndisë së tyre madhështor.
Elizabeta thotë (Luka 1:43): “Dhe nga po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?” Dhe Maria thotë (Luka 1:48): “Ai e shikoi me pëlqim përulësinë e shërbëtores së tij.”
Të vetmit njerëz, shpirti i të cilëve mund ta madhërojë me të vërtetë Perëndinë, janë njerëz si Elizabeta dhe Maria, njerëz të cilët e pranojnë gjendjen e tyre të përulur dhe mahniten që Perëndia i madhërishëm i përfill.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione