Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Informacion rreth planit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

Prova për t’u bërë gati për vdekjen

Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si bar që gjelbërohen në mëngjes. Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet... Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë. (Psalmi 90: 5-6, 12)

Për mua, fundi i vitit është si fundi i jetës time. Pra, 31 dhjetor, ora 23:59, është si momenti i vdekjes sime.

365 ditët e një viti janë si një jetë në miniaturë. Këto orë të fundit janë si ditët e fundit në spital pasi doktori më ka thënë se fundi është afër. Në këto orë të fundit më kalon para syve jeta e gjithë vitit dhe përballem me pyetjen e pashmangshme: A e jetova mirë? Jezu Krishti, Gjykatësi i drejtë, a do të më thotë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:21)?

Ndihem shumë fatlum që kjo është mënyra se si përfundon viti im. Lutem që fundi i vitit të ketë të njëjtën domethënie për ty.

Arsyeja pse ndihem mirënjohës është për shkak se kjo është një aventurë e madhe që të bëj një provë për t’u përgatitur për vdekjen time. Është dobi e madhe që një herë në vit të bëj prova për skenën e fundit të jetës time. Është dobi e madhe, sepse mëngjesi i 1 janarit do ta gjejë shumicën prej nesh ende gjallë, në pragun e një jete tjetër të re, me mundësinë që t’ia nisim sërish nga e para.

Gjëja më madhështore në lidhje me provat është që ato të tregojnë se ku janë dobësitë e tua, ku çalove në përgatitjen tënde; dhe të japin kohë që të ndryshosh para se të vijë shfaqja reale para audiencës së vërtetë.

Mendoj se për disa prej jush mendimi për vdekjen është aq i frikshëm e i zymtë, aq i mbushur me brengë dhe dhimbje, saqë bëni çmos për ta mbajtur jashtë mendjes suaj, sidomos gjatë festave. Mendoj se nuk po veproni me mend dhe se po i shkaktoni vetes një dëm të madh. Kam zbuluar se pak gjëra e revolucionarizojnë jetën time më shumë sesa të menduarit rregullisht për vdekjen time.

Si të kesh një zemër të urtë për të ditur si të jetosh më mirë? Psalmisti na përgjigjet:

Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si bar që gjelbëron në mëngjes. Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet... Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë. (Psalmi 90:5-6, 12)

Numërimi i ditëve të tua do të thotë të kujtosh se jeta jote është e shkurtër dhe vdekja do të vijë shpejt. Urtësia e madhe–urtësia që do ta revolucionarizojë jetën–vjen nga të menduarit rregullisht për këto gjëra.

Kriteri i suksesit që Pali përdori për ta matur jetën e tij, ishte nëse e kishte ruajtur besimin. “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij” (2 e Timoteut 4:7-8). Le të jetë kjo prova jonë në fund të vitit.

Nëse zbulojmë se nuk e kemi ruajtur besimin gjatë vitit të kaluar, atëherë mund të gëzojmë, sikurse edhe unë, se vdekja e fundit e këtij viti është (ndoshta) vetëm një provë përgatitjeje, dhe se na pret një jetë e tërë ku kemi mundësi ta ruajmë besimin në vitin në vazhdim.

Shkrimet e Shenjta

Dita 365

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë